Nga Korespodenti ynë
Enton DOÇI
Rama ka deklaruar sot se nuk do të lejojë Parlamentin që të monitorojë punën e qeverisë. Rama i bëri komentet sot në një konferencë shtypi ku deklaroi se nuk do të lejojë ngritjen e komisioneve hetimore të kërkuara nga opozita dhe të mbështetura nga ndërkombatarët. Komisionet hetimore janë instrumenti kryesor përmes të cilave opozita ushtron të drejtën e saj kushtetuese për të mbikqyrur qeverinë.
Rama thotë se nuk mund të ngrejë komisione hetimore me thashetheme siç i quan ai pretendimet e opozitës, duke theksuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë. Gjatë konferencës për shtyp, ai tha se Rregullorja ka përcaktuar që një deputet përjashtohet vetëm 10 ditë edhe kur vë zjarr në Kuvend dhe përtej këtij vendimi sipas tij duhet të veprojë drejtësia.
Pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë konferencës me gazetarët tha se, “nuk mund të ngrihen komisione hetimore në bazë të thashethemeve” ka reaguar kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi.
Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi i referohet Ramës si miku i Vangjush Dakos, teksa sipas tij, kreu i qeverisë, refuzoi hapur apelin e partnerëve ndërkombëtarë për funksionimin normal të Parlamentit dhe dialog konstruktiv mes palëve për lejimin e mbikëqyrjes parlamemtare të pushtetit ekzekutiv.
“Miku i Vangjush Dakos dhe bashkëpunëtori politik i Tom Doshit, refuzoi hapur apelin e partnerëve ndërkombëtarë për funksionimin normal të Parlamentit dhe dialog konstruktiv mes palëve për lejimin e mbikëqyrjes parlamemtare të pushtetit ekzekutiv.
Prej datës 5 tetor, Parlamenti është përfshirë në ngërç për shkak të refuzimit të mazhorancës për të respektuar të drejtat kushtetuese të opozitës në Kuvend.
Opozita nuk kërkon asnjë favor, përveç respektimit të Kushtetutës, për të mundësuar:
1. Lejimin e kontrollit parlamentar përmes pranimit të kërkesave të opozitës për ngritjen e Komisioneve Hetimore, një e drejtë kushtetuese e opozitës që nuk varet nga vullneti i shumicës parlamentare;
2. Lejimin e Grupit Parlamentar të PD për t’u përfaqësuar në Komisionin e Posaçëm Parlamentar të Reformës Zgjedhore, me kryetarin dhe anëtarët që përzgjidhen nga vetë opozita, duke hequr menjëherë dorë nga loja e emërimit të opozitës në Kuvend dhe ndërhyrja në punët e brendshme të grupit parlamentar të PD;
3. Shqytimin në kohë të propozimeve ligjore të deputetëve të opozitës, që prej 2 vjetësh mbahen pezull dhe nuk futen në procedurë parlamentare.
Në vend që të reflektojë, në vend që të sillet si kryeministri i një vendi demokratik, anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtar i BE, Edi Rama zgjodhi rrugën e gënjeshtrave.
Edi Rama gënjeu hapur kur tha se Gjykata Kushtetuese ka shpallur antikushtetuese Komisione Hetimore të ngritura me kërkesë të 1/4 të deputetëve të opozitës. Nuk ka asnjë vendim të tillë të Gjykatës Kushtetuese.
Edi Rama gënjeu publikisht kur tha se Gjykata Kushtetuese ka lënë porosi për të rregulluar ligjin për Komisione Hetimore. Nuk ka asnjë vendim të tillë të Gjykatës Kushtetuese. Opozita nuk është bërë, në asnjë rast, pengesë për rregullime të mundshme në ligjin për Komisionet Hetimore, përkundrazi nga data 9 dhjetor 2022 ka propozuar një projektligj për këtë qëllim, por që mbahet i bllokuar si një prej 31 projektligjeve të propozuara nga deputetët e opozitës.
Edi Rama genjeu pa turp kur tha se kërkesat e opozitës për ngritjen e Komisioneve Hetimore bazohen në thashetheme.
Cili është thashethem: “Shqetësimi i datës 17 Gusht 2023 i Ambasadës së SHBA për ndërhyjet e paligjshme në sistemin TIMS”?
Cili është thashethem: “Konstatimi i gjykatës së posaçme kundër korrupsionit se në koncesionin e sterilizimit kostoja është e shtuar në mënyrë abuzive dhe se ajo është lidhur në kushtet e konfliktit të interesit”?
Cili është thashethem: “Konstatimi i KLSH, që për vitin 2022 qeveria ka paguar 20 mijë fatura fiktive dhe që qytetarët nuk i kanë përfituar shërbimet për koncesionin e check-up”?
Cili është thashethem: “Që, në kushtet e konfliktit të interesit, Edi Rama ka miratuar statusin e investitorit strategjik për mikun e tij, Artan Gaçi, bashkëshort i ministres së tij Olta Xhaçka”?
Të 3 kërkesat e opozitës janë të drejta dhe kushtetuese. Edi Rama duhet të heqë dorë nga sjelljet autoritare, përfshirë edhe qëndrimin e sotëm, që, pasi tentoi të shuajë zërin e opozitës me forca sigurie në Kuvend, kaloi tek tentativa për të intimiduar deputetët e opozitës me “drejtësinë” që u dashka të përndjekë deputetët që reagojnë. Qëndrime të tilla, dhuna dhe shantazhi, vetëm sa na forcojnë bindjen dhe vendosmërinë se jemi në rrugën e duhur për të mos lejuar një Parlamentin një partiak dhe autokrat që kërkon të ndërtojë Edi Rama, duke asgjesuar opozitën dhe të drejtat e saj”, shkruan Bardhi.