Berisha: Kjo ditë duhet të na frymëzojë që t’i japim përgjigjen e merituar regjimit të bandave

Kryetari i PD, Sali Berisha zhvilloi një takim me departamentin ‘Brain Gain’ në nderim të ditës së pavarësisë. Berisha ftoi shqiptarët qw kjo ditë të na frymëzojë në mënyrë që t’i japim përgjigjen më të merituar regjimit të bandave, të drogës, krimit, korrupsionit.

“Edhe njëherë ju falenderoj shumë përzemërsisht për këtë event të organizuar në këtë datë të të gjitha datave, të të gjitha festave të historisë sonë kombëtare.

Falënderoj artistët e mrekullueshëm, përfaqësimin dinjitoz që i bënë kulturës sonë popullore, aq e pasur dhe e dashur për shqiptarët.

Ftoj shqiptarët përsëri, kjo ditë të na frymëzojë në mënyrë që t’i japim përgjigjen më të merituar regjimit të bandave, të drogës, krimit, korrupsionit.

Shqipëria sot loton në këtë 111-vjetor të Pavarësisë së saj. Loton sepse një e treta e shqiptarëve janë larguar në 10 vite nga Shqipëria.

Loton sepse shqiptarët sot janë kombi më i plaçkitur.

Loton sepse pak vite më parë, ata ishin qytetarët me të ardhurat më të lartat në rajon, sot janë me të ardhurat më të ulëta.

Loton se janë larguar nga ky vend 1 milion e 100 mijë shqiptarë, prej tyre 80 përqind të rinj. Janë mbyllur me qindra shkolla.

Loton sepse opozita e saj, autoriteti moral i demokracisë,  u bë objekt i sulmeve më të egra. Sepse pushteti është i përqendruar në një dorë, të një njeriu, që nuk ka asnjë interes shoqëror, asnjë interes kombëtar, ka vetëm interesa personale dhe të pasurimit të tij.

Në këtë kontekst, në këtë kuadër, sot shqiptarët presin me të drejtë nga PD, t’i prijë betejës pa kthim për shpëtimin e Shqipërisë.

Sot, shqiptarët me shumë të drejtë presin nga demokratët të ngrihen me guxim, kundër kësaj diktature të re.

Denoncimi është njëra anë, por beteja gjer në fitoren e plotë është vendimtare për fatin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ndaj dhe le të na frymëzojë kjo ditë për t’u betuar ne, se me të gjithë forcën tonë, do rivendosim sovranitetin e këtij vendi, do rivendosim demokracinë, do presim me forcën e idealeve tona, lidhjen fatale të shndërrimit të krimit në votë dhe votës në krim.

Do bëjmë gjithçka që qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë, njëlloj si qytetarët e vendeve të tjera të Europës, njëlloj siç kishim projektuar dhe parashikuar rilindësit tanë.

Nderim përjetë Ismail Bej Vlorës, etërve të pavarësisë, por edhe qindra e mijëra shqiptarëve që ranë për t’u bërë të pavdekshëm për lirinë e Shqipërisë dhe kombit shqiptar”, tha Berisha.

About Redaksia

Check Also

Ardit Gjoklaj humbi jetën në landfillin e Sharrës, Këlliçi: Viktimizimi s’do e shpëtojë kreun e 5D për këtë vrasje

Drejtuesi politik i PD për Qarkut Tiranë, Belind Këlliçi ka reaguar në lidhje me vrasjen …