Rrjeti i madh amerikan, Fox News, i bën jehonë zhvillimeve më të fundit në Shqipëri.
Fox News raporton se parlamenti i drejtuar nga socialistët në Shqipëri, ka vendosur t’i heqë imunitetin liderit të opozitës shqiptare, Sali Berisha.
“Parlamenti shqiptar votoi të enjten për t’i hequr imunitetin ligjor ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili drejton Partinë Demokratike të opozitës dhe akuzohet për korrupsion.
Deputetët e opozitës brenda sallës bojkotuan votimin dhe u përpoqën të bllokojnë seancën duke mbledhur karrige dhe ndezur flakadanë, por u penguan nga rojet e sigurisë.
Berisha nuk pranoi të merrte fjalën për të folur kundër mocionit.
Partia Socialiste në pushtet ka 74 nga 140 vende në legjislaturën kombëtare të Shqipërisë dhe 75 ligjvënës ranë dakord të miratojnë një kërkesë të prokurorëve për t’i hequr Berishës imunitetin e tij parlamentar.
Votimi i të enjtes i hap rrugën prokurorëve që të kërkojnë nga gjykata lejen për të vendosur Berishën në arrest ose në arrest shtëpiak,” raporton Fox News.
Sipas rrjetit amerikan, Berisha akuzohet se ka ndihmuar dhëndrin e tij për të marrë një tokë në Tiranë, ku u ndërtua një kompleks pallatesh.
“Berisha dhe Malltezi janë deklaruar të pafajshëm, duke pretenduar se kjo çështje është një lëvizje politike nga Partia Socialiste e Edi Ramës”.
“Mbështetësit e Partisë Demokratike protestuan jashtë godinës së parlamentit të enjten me pankarta antiqeveritare dhe thirrje ‘Poshtë diktatura’. Berisha u bëri thirrje mbështetësve të tij që t’i bashkohen ‘një beteje pa kthim’ kundër regjimit autoritar të socialistëve”, raporton Fox News.