BIRN: Të dënuarit VIP i kthejnë qelitë në apartamente private

Në sistemin e burgjeve në Shqipëri, ish-zyrtarët e lartë të Partisë Socialiste dhe anëtarët e krimit të organizuar gëzojnë privilegje dhe kushte të favorizuara, në dëm të sigurisë dhe rregulloreve për trajtimin e të dënuarve.
Më 18 shtator, një grup inspektimi i Avokatit të Popullit vëzhgoi dy pamje të kundërta brenda burgut të Durrësit. Në godinën A rrinin të burgosurit e zakonshëm, të cilët ankoheshin për lagështirë në mure, dushe të amortizuara dhe dyshekë të vjetër e të konsumuar.

Ndërsa në katin e dytë të godinës B ishin akomoduar një grup ish-zyrtarësh të lartë të Partisë Socialiste, të cilët akuzohen për vepra penale të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Ndryshe nga të tjerët, ata gëzonin kushte dhe privilegje luksi.

Dhomat e tyre ishin të investuara, të lyera dhe të arreduara me krevatë të rinj, pajisje elektroshtëpiake dhe dushe të personalizuara. Në sektorin e tyre kishte gjithashtu një palestër për aktivitete sportive, një kuzhinë private dhe një mini-fushë bashkohore futbolli – donacion i Federatës Shqiptare të Futbollit.

“Brenda këtij sektori ishte përshtatur një dhomë banimi si ambient gatimi, i cili ishte i pajisur me sobë, frigoriferë, raft për mbajtjen e ushqimeve, tavolinë ngrënieje dhe enë kuzhine,” thuhet në rekomandimin e Avokatit të Popullit, që iu dorëzua drejtuesve të Burgjeve më 20 dhjetor.

Të burgosurit VIP të burgut të Durrësit, të tillë si ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputeti Alqi Bllako apo ish-kreu jetëgjatë i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako simbolizojnë jashtë burgjeve shembujt e luftës kundër pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Por brenda një sistemi që duhet të garantojë trajtim të barabartë dhe pa diskriminim mes të burgosurve, ish-zyrtarët socialistë ishin më të barabartë se të tjerët. Dhe ata nuk janë të vetmit.

Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes dokumenteve, emaileve dhe raporteve të inspektimit tregojnë se trajtimi me dy standarde i të burgosurve është një praktikë e zakonshme e sistemit të burgjeve në Shqipëri, e cila nuk favorizon vetëm ish-zyrtarët e lartë publikë, por edhe figura të krimit të organizuar apo të dënuar për krime të tjera të rënda.

Dokumentet tregojnë gjithashtu se kjo ka sjellë cenim të vazhdueshëm të sigurisë në burgje, kontrolle selektive dhe diskriminim për pjesën tjetër të të burgosurve.

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca i tha BIRN se sistemi i burgjeve ka ndërmarrë masa për të përmirësuar situatën, por përballet ende me sfida të shumta.

“Sistemi ka nevojë për përmirësimin e kushteve për të gjithë të dënuarit njësoj,” tha Ballanca, ndërsa shtoi se disa godina të vjetra “nuk plotësojnë kushtet e sigurisë”.

Problemet e trajtimit me dy standarde dhe futjes në burgje të sendeve të ndaluara u ekspozuan pas vrasjes së ndodhur më 15 dhjetor brenda burgut të sigurisë së lartë në Peqin, por BIRN gjeti se raporte të tilla u janë dërguar në vazhdimësi krerëve më të lartë të burgjeve, ndërsa masat kanë qenë të diskutueshme.

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Admir Abrija nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN për favorizimin e një kategorie të dënuarish në burgje deri në publikimin e shkrimit. Edhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja nuk pranoi të komentonte, duke sugjeruar që t’i drejtoheshim Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Festa dhe vrasjeShqipëria numëroi rreth 5200 të dënuar dhe të paraburgosur në nëntor 2023, të cilët i ka akomoduar në një rrjet prej 16 institucionesh të ekzekutimit të vendimeve penale. Mes tyre, 2128 veta ishin të dënuar dhe 3107 të tjerë të paraburgosur dhe në pritje të një vendimi.

Rreth 10% e numrit total të të burgosurve gjenden në burgun e Peqinit në Shqipërinë e Mesme – një institucion me dy seksione të sigurisë së lartë, regjim 41 Biz si dhe shërbime të tjera mbështetëse.

Ndryshe nga burgu i Durrësit që akomodoi të akuzuarit për krime “të jakave të bardha”, Peqini strehon kategorinë e të burgosurve më të rrezikshëm të Shqipërisë. Në nëntor 2023, rreth 66% të të dënuarve me burgim të përjetshëm dhe 64% të personave të dënuar për krim të organizuar në rang vendi ndodheshin në këtë institucion.

Më 15 dhjetor, siguria e burgut të Peqinit u cënua rëndë, pasi i dënuari me burgim të përjetshëm, Sokol Mjacaj vrau një bashkëvuajtës, plagosi një tjetër dhe kërcënoi disa punonjës policie. Arma e krimit, një pistoletë bashkë me fishekët, ishte futur në burg në rrethana të paqarta, ndërsa Mjacaj deklaroi më pas se e mbante atë të fshehur prej 1 muaji në një kuti qumështi.

Ngjarja në burgun e Peqinit nuk ishte një rrufe në qiell të kthjellët.

Thuajse një muaj më parë, një tjetër episod i thyerjes së sigurisë kishte ndodhur në Peqin, çka kishte zbuluar favorizime dhe futje të sendeve të ndaluara në kundërshtim me rregulloret.

BIRN siguroi një video dhe një kallëzim të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të cilat tregojnë se brenda ambienteve të burgut ishte zhvilluar një festë private me pjesmarrjen e mbi 30 të dënuarve me burgim të përjetshëm dhe krime të tjera të rënda më 20 nëntor.

Mbi tryezën e të dënuarve kishte ushqime të porositura, shishe uji dhe Coca- Cola. Një telefon celular klandestin filmonte të dënuarit teksa ngrinin dolli me gota plastike që dyshohet se janë të mbushura me raki, pija tradicionale e shqiptarëve, e ndaluar për popullatën e burgjeve.

Ngjarja u pasua me pezullimin e drejtorit të burgut, Artan Tabaku më 22 nëntor dhe komandimin në vend të tij të Kamber Hoxhës. Por tre javë më pas, Hoxha dhe 11 vartës të tij u arrestuan pas vrasjes së kryer nga Mjacaj nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Në seancën e masës së sigurisë, Hoxha deklaroi para gjykatës se “burgu i Peqinit ishte kthyer në hotel”. Para vrasjes, Hoxha i kishte përcjellë informacione të ngjashme drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Admir Abrija.

“Të burgosurve u është lejuar ndërhyrja/ investimi në dhoma (rikonstruksion/kompletim), tashmë të privatizuara. Ndërhyrja në dhoma e ka kufizuar shumë mundësinë e kontrollit për elementë sigurie dhe sende të ndaluara…,” thuhet në një letër të datës 30 nëntor.

Në letër shtohet më tej se të dënuarit i konsideronin qelitë si pronë të tyre dhe akomodimi i të dënuarve të tjerë në dhomat e tyre “ishte në kufijtë e së pamundurës”.

Në dy sektorët e sigurisë së lartë në Peqin, sipas shkresës së Hoxhës, kishte 160 shtretër bosh, ndërsa 115 të dënuar të tjerë ishin akomoduar në kundërshtim me aktet ligjore dhe jashtë kushteve normale të jetesës dhe sigurisë.

Lista e sendeve të ndaluara që u gjendën brenda burgut ishte gjithashtu e gjatë; frigoriferë jashtë përmasave të lejuara, kondicionerë, furra pjekjeje, mikrovalë, shtrydhëse frutash dhe aksesorë e bokse muzike të përmasave të mëdha.

Trajtimi me dy standardeVrasja e ndodhur në burgun e Peqinit ndikoi edhe privilegjet e grupit të të burgosurve VIP në Durrës, i cili përbëhej nga një ish-ministër, një ish-deputet, pesë ish-kryebashkiakë, një prokuror dhe një ish-drejtues i lartë i Policisë së Shtetit.

Ata u transferuan përkohësisht në burgun e Fierit, pasi sipas një drejtuesi të policisë së burgjeve, “ishin trajtuar në mënyrë preferenciale dhe në kundërshti me rregullat e brendshme të burgjeve”.

Megjithatë, trajtimi me dy standarde në shkelje të ligjit dhe rregulloreve është një praktikë që shkon përtej një kohe të caktuar apo institucioneve të veçanta të ekzekutimit të vendimeve penale.

Një raport inspektimi i kryer në qershor- korrik 2023 në 16 institucionet e vuajtjes së dënimit, të cilin BIRN e disponon, ekspozon cenim të sigurisë dhe shkelje të rënda të parimit të barazisë dhe mosdiskriminimit edhe në institucione të tjera të vuajtjes së dënimit.

Në burgun “Jordan Misja” në Tiranë, institucioni më i madh i paraburgimit në Shqipëri, grupi i inspektimit evidentoi kontrolle selektive për sende të ndaluara.

“Kishte jo vetëm dhoma që nuk kontrolloheshin, por edhe sektorë që nuk ishin prekur dhe kontrolluar asnjëherë…,” thuhet në raport.

Edhe në regjimin e brendshëm të burgut të Vlorës, trajtimi me dy standarde i të burgosurve u konstatua fare lehtë.

“Kishte të burgosur të sistemuar që qëndronin të vetëm nëpër dhoma të mirëarreduara, ndërsa të tjerë të sistemuar në disa dhoma të quajtura dhoma karantinimi, pa asnjë orendi brenda, pa tualete, vetëm me një krevat, pa derë dhome, vetëm me zgarë,” shton raporti.

Në burgun e Kosovës në Lushnje, inspektorët kishin gjetur një ndarje të pabarabartë të hapësirës mes të burgosurve. Në disa dhoma ishin akomoduar vetëm dy persona, ndërsa të tjerat “ishin mbushur plot”.

Inspektimi konstatoi gjithashtu se në shumicën e burgjeve, kontrollet për sende të ndaluara ishin fiktive, se punonjësit e turnit të natës flinin gjumë dhe se kishte shkelje të rregulloreve për futjen e sendeve të ndaluara.

“Nga sondazhi i kryer për procedurën e kontrollit të elementëve të ndaluar, u konstatua se kontrolli zgjaste 3 minuta në një sektor me 10-12 dhoma, ku mesatarja e kontrollit për një dhomë i bie 20 sekonda,’ citon raporti për burgun “Jordan Misja” në Tiranë./BIRN

About Redaksia

Check Also

Gjekmarkaj: Kjo është stina e fundit politike për Ramën! Të bashkuar do të sjellim fitoren e PD

Drejtuesi Politik i Partisë Demokratike për Qarkun e Lezhës, Agron Gjekmarkaj ka postuar në faqen …