Beqaj bëri gruan aksionere dhe miratoi ligjin që favorizonte farmacitë, si lidheshin kontratat

Zbardhen detaje të reja në lidhje me kontrollin që Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) dhe policia, me urdhër të SPAK, një ditë më parë kryen në farmacinë ‘Delta Farma’, por dhe në disa farmaci të tjera kryesisht të lokalizuara në Tiranë.

Raportohet se SPAK po heton për rolin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj në lidhje me dyshimet për kontrollin e kompanive farmaceutike. BKH pas “Delta Pharma” ka ushtruar kontrolle dhe në banesat e aksionarëve dhe drejtuesve të kompanisë farmaceutike.

Sipas News24, rezulton se gruaja e Ilir Beqajt, Adriana Beqaj, ka qenë aksionere në një kompani që lidhet me “Delta Pharma”. Sakaq, kontrollet në “Delta Pharma” kanë vijuar deri natën vonë, ndërsa ka pasur forca të shumta policore. Mësohet se SPAK ka sekuestruar telefonat e aksionerëve të kompanisë, kompjutera dhe dokumente me vlerë.

Ilir Beqaj ka dyshime se kontrollon kompanitë indirekt dhe në kohën që ka qenë ministër ka dyshime për lidhje të kontratave klienteliste.

Më herët gjatë ditës, u raportua se janë ushtruar kontrolle në banesën e ish-ministrit në Tiranë nga Policia dhe BKH-ja.

Ilir Beqaj po hetohet nën masën e sigurisë detyrim paraqitje edhe në procedimin penal për koncesionin e sterilizimit. Ai akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre, ndërkohë në vendimin për masën e sigurisë ndaj ministrit, GJKKO ka shprehur bindjen se Beqaj duhet të vihet nën akuzë edhe për veprën penale të falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve. Sipas gjykatës, Beqaj është personi kyç në kryerjen e procedurave në koncesionin e sterilizimit të seteve kirurgjikale, vlera e të cilit është fryrë artificialisht me mbi 60 milion euro – para që ende nuk janë përcaktuar nga hetimet se ku kanë shkuar.

Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kërkoi ndërprerjen e koncesionit të sterilizimit para afatit, për shkak të problematikave dhe shkeljeve të evidentuara, megjithatë koncesioni është mbrojtur nga kryeministri Edi Rama dhe ministri Beqaj, i cili pretendon pafajësi.

Lidhur me çështjen, janë arrestuar biznesmeni Ilir Rrapaj – aksioneri kryesor në “SaniService”, kompania që ka lidhur kontratën koncesionare me MSH dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj. Masa më të buta janë dhënë për gjashtë anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit.

Rasti “Beqaj” përmendet shpesh nga opozita, që denoncon se deri më tani, SPAK po aplikon një formë amnistie ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Simbolika e kësaj ekspozite është e fuqishme! Edi Rama është akoma më thellë i inkriminuar se i ati i tij

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha mbajti një fjalim përshëndetës ku vlerësoi ekspozitën …