Tre liderët e partive opozitare, Lumir Abdixhiku (LDK), Memli Krasniqi (PDK) dhe Ramush Haradinaj (AAK), kanë kujtuar masakrën e Reçakut.
Kryetari i LDK, Lumir Abdixhiku thotë se masakra e Reçakut ishte një ndër më të rënda të njerëzimit në fundshekullin e njëzetë.
“Mes familjarëve të fëmijëve, grave, të moshuarve e burrave, të vrarë e masakruar nga forcat policore, paramilitare e ushtarake të Serbisë; në mëngjesin e ftohtë të 15 janarit të vitit 1999. Në përkujtim të ditës që tronditi një botë të tërë. ‘Krim kundër njerëzimit’ do ta quante ambasadori Walker atëherë”, thotë ai.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se masakra e Reçakut është një krim mizor dhe me paramendim kundër njerëzimit, i cili vulosi qëllimin politik të Serbisë dhe agjendën e saj për të kryer gjenocid dhe spastrim etnik në Kosovë..
“Gjithmonë, e posaçërisht sot, vlerësojmë lartë kontributin e Ambasadorit William Walker, i cili, çerek shekulli më parë, nga vendi i ngjarjes në Reçak, krimin e quajti me emrin e të tij të vërtetë”, ka deklaruar Krasniqi.
Ndërsa, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj pohon se masakra e Reçakut, mbetet simboli i krimit gjenocidal që aparatura shtetërorë ushtarake serbe kreu në Kosovë.
“Ajo bëri kthesën e madhe historike duke prekur thellë në ndërgjegjen e kombeve të fuqishme për të lëvizur me NATO-n në krye me ShBA-të”, thotë ai.
Masakra në Reçak tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën. Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje të gjithë botën e civilizuar dhe shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocidal të ish-kriminelit Sllobodan Millosheviç.
Pas Masakrës në Reçak, rifilluan luftimet 48-orëshe në mes të UÇK-së dhe forcave serbe për marrjen e kufomave Serbia donte t’i zhdukte gjurmët e krimit, por kjo tentativë e tyre dështoi. Bota e pa krimin.