Kur ikte Buharaja…

Nga Agim Xh. DESHNICA

-Tri poezi përkujtimi-

POETIT TË KËNGËS SË PAKËNDUAR


Namik Mehqemeja

Me rrezet e fundme
një brez i përskuqur-flak,
u shtri e u hap mbi Shpirag
e befas u fik.
Afër lumit nën ulli
krisma dhimbje e gjak
A fle lumi?
A ndjen lumi?
A sheh lumi?
Hesht mbi shkëmb qyteti i bardhë
pas dritaresh, radhë mbi radhë ,
me përralla e legjenda
brenda portave të rënda.
Afër lumit nën ulli, hijeve,
u vra poeti i bukurive,
në zemra i paharruar
u vra kënga e pakënduar
për fllad e det,
për lule e fletë,
vjeshtën e borën dimërore,
e mbrëmjen pranverore,
në kohë zgjimi
e në çaste frymëzimi
nën flakën e kandilit
me trillet e bylbylit.
Hesht qyteti, prehet në fresk,
në orën e krimit në terr.
Psherëtijnë rrepet- pëshpërijnë,
qajnë valët nën urë flijimesh,
qajnë poetin e dashurisë
poetin e hijshëm të lirisë.
Hëna ngriu mbi Kala,
feks dritare e baxha,
në gjumë trondit qytetin,
nën ulli e zgjoi poetin.
Nako, Nako, emri i tij rinor
ikën tutje lumit në Tomor.
jeton me kumtin e besimit,
për ditën e ngadhnjimit.
E ndjek në kohë muzg vjeshte,
shpirtin lot, tek ngrihet lart në heshtje
e humbet tej malesh e pyjesh
ja, tek ndrin si yll mes yjesh

KUR IKTE BUHARAJA

Kush ia thote aty matanë
me një fyell që përvëlon?
Vexhi Buharaja


Vexhi Buharaja

Nën hijen Kalasë,
ku çohet drejt për qiell,
minare e rrënuar,
nuk buron më Cezma e Sahatit
me ujë malesh nga gurët e latuar.
S’dëgjohet më këmbana,
jehona tej Beratit,
shkallmuar, rrafsh me tokën,
hesht Kulla e Sahatit…
Sofati i xhamisë,
i heshtur e pa jetë,
askush nuk falet
te sallë e shkretë.
Asnjë shandan, asnjë kandil
dhe Libri i Shenjtë i fshehur rri.
S’dëgjohet më nga larg,
as thirrje e myezinit.
as fjala shqip e Firdusit
mjaltë, si qëmoti,
veç thellë në shpirt,
me besë i falet Zotit.
Kur nata shkon e dita vjen sërish,
as hije, as fresk, as fëshfërimë selvish,
veç fryma e Tomorit
në rrënoja ka zbritur
ndër lot, se iku fluturoi
bylbyli, poeti i ndritur.
Mos shkoi te Mali i Thatë
e yjet lasgushiane gjen,
apo ku hesht lopata në Liqen?
A mbi Tomor me lule bore,
dëgjon i lumturuar,
xhuranë baritore?
Takon Naimin,
në male e pyje, bukurinë,
larg prangash e qelisë,
dhunës, padrejtësisë
ringjall histori
betejash për liri,
Gjergj Kastriotin-Skënderbe
arbër trima për atdhe.

Lë librat e penën mbi letër,
me shpresë rilindjesh
në një kohë tjetër.
Hipur deveve në karvan
ikën tutje në shtegtim,
me Shahnamenë në duar,
në shqip plot shkëlqim.
Në fund të shkretëtirës,
kanë dalë Firdusiu dhe Sadiu,
me çallma, bardhë dëborë,
se ja, po vjen, po vjen Vexhiu.

* * *
Poeti i hijshëm
me tungjatjeta, kur vije,
gëzonin porta, e dritare,
mure e gurë shtëpish
në sheshe e faqe tatëpjeta,
bahçetë me fryta,
lule e fletë të blerta

Nga kulla-hije e Sahatit
jehon kambana tej Beratit,
nën urë lumi rrjedh ngadalë
rrepet hedhin lule mbi valë.
në ato caste mbajnë vesh poetin,
kur pas vuajtjesh e mundimesh
me vargje këputur yjesh
ndrin dhe zgjon qytetin…

PERËNDIM BERATI

Humbi dielli pas Shpiragut,
hesht mes muresh kala e gurtë,
mbi kodra fshatrat ranë në gjumë,
hijet zgjaten e mbyten në lumë.

Nga bregu përmatanë,
dëgjohet thirrje e Zarizanës
djemtë sulen te pellg i thellë
e zhduken nën shtjellë.

Osumi rrjedh murmurin,
hëna lart mbi hon e urë ndrin,
në ato caste vashë e flijuar,
lanë sy e vetull, faqe e duar,
me lot yjesh valë mbi valë,
lundra e thyer dergjet në zall.

Dritaret ndizen një mbi një,
faqe Gorice e në Mangalem,
mbi rrugë fenerët varg,
në terr fle Tomori larg.
S’jehon më kambanë e Shëndëllisë,
u mbyllën portat e xhamisë,
nuk ndrijnë as qirinjtë e Baba Aliut,
ndihet zëri ëmbël i Vexhiut:.
“Më pushton që prej së largu
dhe një shpirt prej lashtërie…”

Lisat pikojnë lot e gjeth,
kujtimi i trishtë shpirtin rrënqeth,
kur krismat hijeve nën ullinj
vrisnin këngët, poetin e ri.—1)
Mbrëmje e vonë, pak nga pak
e lodhur, kotet, bie në shtrat,
flakë mbi kreshtë mjegull e re,
zogu i vonuar zbret në fole,
asnjë zë në muzg, as drita
kur tej Shpiragut, shkrep dita.
————

(1- Namik Meqemeja)

About Redaksia

Check Also

Mesazhi prekës i vajzës së Vilson Blloshimit në 47-vjetorin e ekzekutimit të poetëve

Eni Blloshmi Përkujtojmë VILSONIN dhe GENCIN. Të dashur miq, si sot, 47 vjet më parë, …