Berisha: Rama përdori Sorosin, McGonigalin dhe Dumanin për të goditur liderin e opozitës shqiptare

Kryetari i PD, Sali Berisha tha gjatë fjalës së tij para qytetarëve që protestojnë prej një muaji poshtë banesës së tij se, Rama përdori Sorosin, McGonigalin dhe Dumanin për të goditur liderin e opozitës shqiptare. Ai tha se, Edi Rama e kuptoi se me Sali Berishën, pas grabitjes së zgjedhjeve të 14 majit, ai nuk do mund të zhvillonte zgjedhje të tjera në Shqipëri.
“Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta!
Të dashur luftëtarë të lirisë, misionarë të shpresës, misionarë të fitores!
U mbush një muaj që ju sakrifikoni dhe mblidheni këtu çdo darkë.
Viti 2024 nisi në Shqipëri njëlloj si në Ugandën e Musevenit, Bjellorusinë e Lukashenkos, Teheranin e Ajatollahëve.
Kreu i organizatës kriminale të qeverisë shqiptare vendosi në arrest liderin e opozitës, duke i dhënë kështu opozitës shqiptare, pluralizmit politik, goditjen më të rëndë.
Duke spostuar Shqipërinë nga hapësirat euro-atlantike në hapësirat despotike diktatoriale.
Kjo ishte sigurisht një goditje shokuese për të gjithë demokratët dhe opozitarët shqiptarë.
Edi Rama, i tmerruar nga beteja në parlament, i tmerruar nga fuqizimi i opozitës, denoncimi i përditshëm i aferave të tij kriminale, vjedhjes së shekullit, Dubai City-t të Durrësit, PPP-ve të tij.
I tmerruar nga denoncimet e vjedhjeve familjare, me familjen e tij të ngushtë.
I tmerruar nga qëndrimi juaj, zgjodhi të vendosë në arrest shtëpie Sali Berishën.
Duke besuar se në këtë mënyrë ai do heshtë zërin e tij.
Miqtë e mi, vendosja në regjim arresti të një njeriu, për të cilin nuk ka asnjë fakt, asnjë provë, asnjë dokument, asnjë firmë që të faktojë se ka shkelje më minimale të ligjit, asnjë dëshmi që të faktojë se ka bërë presionin më të vogël, dëshmon karakterin fund e krye politik, dëshmon një akt frikacak të Edi Ramës.
Edi Rama e kuptoi se me Sali Berishën, pas grabitjes së zgjedhjeve të 14 majit, ai nuk do mund të zhvillonte zgjedhje të tjera në Shqipëri.
Edi Rama e kuptoi se njeriu, ndaj të cilit ai me lobim korruptiv me Xhorxh Sorosin, me McGonigalin, mendoi se i dha goditjen nukleare, por së bashku me ju, u ngritur si Feniksi nga hiri, e kuptoi se nuk ka të ardhme, se nuk ka më fitore, se do japë llogari për të gjithë krimet e tij.
Edi Rama, që përdori armën e tmerrshme të korrupsionit për të goditur antikorrupsionin, doli lakuriq para vetes, para botës, së bashku me mafien ndërkombëtare, se ata ishin korrupsioni dhe se ata kishin tmerr nga denoncimet e Sali Berishës të korrupsionit të tyre.
Kjo është e vërteta, ndaj dhe përdori mercenarë, përdori grupin e tij të organizuar kriminal me në krye Damanin në Skapin e partisë për një vendim antikushtetues, antidemokratik kundër pluralizmit, për të cilin do të japin llogari gjithë jetën”, tha Berisha.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Garantoj çdo prind se do të paguhet për çdo fëmijë në mënyrë që të mos u mungojë më asnjë vakt

Lideri i opozitës, Sali Berisha ka premtuar se me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike, …