Nënkryetari i PD, Oerd Bylykbashi dha një deklaratë për mediat sot nga Kryesia e Kuvendit, ku deputetët e opozitës po luftojnë për të marrë pjesë në Komisionin e Reformës Zjedhore.
Bylykbashi tha se, ajo që kërkon opozita është vendosja e rregullave të ndershme dhe të barabarta, të mjaftueshme, jo të pamjaftueshme si ato të viti 2020, që të pengojnë shtetin të futet në zgjedhje; që shteti të ndahet nga partia në pushtet; që të ndalohen kriminelët të blejnë vota; që të ndëshkohen kur të blejnë vota; që të ndalohet sistemi kriminal i patronazhimit.
“Jeni të gjithë dëshmitarë të vendimit të qartë që ka marrë Edi Rama që Komisionin e Reformës ta shkatërrojë. Të shkatërrojë çdo mundësi që parlamenti i Shqipërisë, në përputhje me rekomandimet e ODIHR, në përputhje me traditën më shumë se 20-vjeçare, të bëjë një reformë zgjedhore me konsensus.
E ka deklaruar në dhjetor se do të kërkojë numra në parlament, jo konsensus. E ka deklaruar në dhjetor që historia e konsensusit tashmë nuk vlen për të. Ai po kërkon numra, po kërkon pazar në parlament, vetëm vetëm e vetëm që të miratojë rregullat që do ai për zgjedhje, që zgjedhjet të jenë si ato të 14 Majit 2023, si ato të 2021-shit, si ato të 2017-ës, si ato të 2019-ës.
Ajo që kërkon opozita është vendosja e rregullave të ndershme dhe të barabarta, të mjaftueshme, jo të pamjaftueshme si ato të viti 2020, që të pengojnë shtetin të futet në zgjedhje; që shteti të ndahet nga partia në pushtet; që të ndalohen kriminelët të blejnë vota; që të ndëshkohen kur të blejnë vota; që të ndalohet sistemi kriminal i patronazhimit; të miratohen rregulla që bëjnë vepër penale, të qartë, kush guxon dhe ndikon mbi sekretin dhe lirinë e votës të qytetarëve, siç thotë OSBE/ODIHR, i kërcënuar, duhet të përballet me drejtësinë; të shtrëngojmë rregulla më të forta që SPAK dhe Prokurori i Përgjithshëm mos t’i shmangen detyrave që kanë tashmë me ligj.
Të gjitha këto Edi Rama nuk i do sepse kërkon një reformë zgjedhore që ta mbyllë me atë që ka bërë pazar, me Lulzim Bashën.
Nuk mundet në Komisionin e Reformës Zgjedhore, të përcaktojë Edi Rama se kush është opozita. Ky komision është i ndërtuar veçmas asaj që sot thotë rregullorja. Asnjë gërmë në rregulloren e Kuvendit nuk parashikon komision bipartizan 50% me 50% mazhorancë dhe opozitë, me bashkëkryetar, me të drejtë vetoje sepse kjo është tradita e mirë që kemi vendosur më shumë se 20 vjet, siç e thotë edhe ODOHR një javë më parë, “pikërisht për të zgjidhur konfliktin dhe krizën”.
Ky komision në të shkuarën ka shërbyer edhe si kanali që ka shfryrë krizën politike në parlament, po Edi Rama kërkon pikërisht këtë. Jo vetëm që të masakrojë rregullat për zgjedhjet, por dhe të krijojë një krizë tjetër shtesë sepse ka hallin për skandalet që i plasin përditë. I duhet lajmi i konfliktit, nuk i duhet që fokusi të jetë te skandali i inceneratorëve, te ai i Portit të Durrësit, tek ajo që ndodh me fermerët, me profesionistët, që u shtohen taksat etj. Nuk i do këto lloj debatesh, por do të krijojë konfliktin fals.
Dhe ajo që është për të ardhur keq është se me kërkesë të atyre që ka emëruar në emër të opozitës, i krijohet mundësia që sot të mos ketë mbledhje, të mos ketë përfaqësim dhe deputetët, anëtarë të opozitës, anëtarë të këtij komisioni të përjashtohen për asgjë tjetër përveçse se mbanin pankartë në heshtje në seancë plenare dhe për këtë janë përjashtuar. Pse?! Sepse nuk duhej të ishin këtu.
Jo vetëm në seancë plenarë, po as këtu në komision, anëtarët që përfaqësojnë opozitën nuk duhet të jenë në mënyrë që t’i krijohen kushtet, siç kërkon bashkëkryetari që ka përcaktuar Edi Rama, t’i krijohen kushtet që së bashku të miratojnë atë që kërkojnë.
Reforma zgjedhore pa konsensus nuk i duhet askujt. Reforma zgjedhore pa konsensus i duhet vetëm Ramës. Askujt tjetër, asnjë force opozitare, asnjë shqiptari me parti apo pa parti.
Ne kërkojmë me insistim që ky komision të funksiojë normalisht. Kemi bërë kërkesën tonë me 47 firma deputetësh që të rinovohet anëtarësia në përputhje me vullnetin e mazhorancës dërrmuese të opozitës. Presim që mazhoranca të reflektojë në përputhje me atë që është tradita e mirë, me atë që është vullneti pozitiv politik, reformë konsensuale në të mirë të shqiptarëve”, u shpreh Bylykbashi.