Berisha: Mirënjohje arkitektit të pavarësisë së Kosovës, Gandit të Ballkanit dhe Europës, Ibrahim Rugova!

Kryetari i PD, Sali Berisha tha gajtë fjalës së tij para qytetarëve që tubojnë poshtë banesës së tij se, le të shprehim sot ne krenarinë e madhe, mirënjohjen e pakufishme ndaj arkitektit të pavarësisë së Kosovës, burrit mendjendritur të kombit, Gandit të Ballkanit dhe Europës, presidentit Ibrahim Rugova.
“Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të zjarrta, mirënjohjen më të pakufishme për ju, misionarët e vërtetë të dinjitetit, të shpresës, të betejës pa kthim për fitoren e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Të dashur miq, sot në historinë e kombit është një nga ditët më të mëdha, është dita e pavarësisë së Kosovës.
Është dita, e cila bëri të lirë pas shekuj e shekujsh kombin shqiptar.
Ne jemi komb me dy ditëlindje lirie.
Ne jemi komb me dy data pavarësie.
28 nëntori i 1912-ës, pavarësia e Shqipërisë, pa të cilën nuk do kishte shtet shqiptar, nuk do kishte Kosovë të pavarur.
Përveç kësaj, ne kemi 17 shkurtin e vitit 2008, ditëlindjen tjetër të lirisë kombëtare, pavarësinë e Kosovës, pa të cilën shqiptarët nuk do të ishin një komb i lirë, nuk do gëzonin liri kombëtare.
Ndaj dhe sot le të shprehim ne krenarinë e madhe, mirënjohjen e pakufishme ndaj arkitektit të pavarësisë së Kosovës, burrit mendjendritur të kombit, Gandit të Ballkanit dhe Europës, presidentit Ibrahim Rugova.
Le të shprehim ne nderimin më të madh ndaj komandantit legjendar, Adem Jashari. Luftëtarëve të lirisë të UÇK, që me guximin epik, bënë luftën më të ndritur në historinë e shqiptarëve për liri dhe dinjitet nga kohërat e Skënderbeut.
Mirënjohje të pakufishme Aleancës së Atlantikut të Veriut, partnerëve tanë, presidentit Bill Klindon dhe Xhorxh Bush, për rolin e tyre përcaktues në pavarësinë e Kosovës.
Por miqtë e mi, një ndjenjë krenarie ka sot çdo demokrat, sepse kjo parti u themelua në dhjetor të vitit 1990, si parti që shpalli yll polar, çështjen kombëtare.
Shpalli yll polar çështjen kombëtare, të tradhtuar për 50 vite nga Partia Komuniste shqiptare, seksion i Partisë Komuniste jugosllave.
Shpalli yll polar çështjen kombëtare, në një kohë kur shqiptarët në vendet përreth mbijetonin si qeniet më të shtypura në Europë.
Por ne nuk mund të ishim parti e vërtetë e shqiptarëve, në qoftë se nuk shpallnim kauzën e drejtë për liri dhe dinjitet të shqiptarëve si kauzë kryesore të programit tonë.
Miqtë e mi, forca e vetme ishin idealet tona. Forca e vetme në atë kohë ishte besimi te të vërtetat shqiptare.
PD u shndërrua në mbështetje kryesore të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Me ardhjen e saj në pushtet, Shqipëria u shndërrua në promotor kryesor të çështjes së shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe kudo.
Qeveria e Kosovës, pushteti paralel i saj, presidenti Ibrahim Rugova por edhe aradhet që nisën luftën çlirimtare, Adem Jashari dhe luftëtarët e tjerë të lirisë, patën Shqipërinë mbështetjen më kryesore të tyre”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Zhupa: Rama po pengon reformën zgjedhore, ka frikë nga vota e qytetarëve

Deputetja e partisë demokratike Ina Zhupa, gjatë fjalës së tij në tubimin e mbrëmjes së …