Pse duhet të jemi sot në protestë

Nga Enver BYTYÇI

  1. Sepse nuk duam më të vazhdojë braktisja e Shqipërisë. Duam ta ndalojmë hemoragjinë kombëtare të emigrimit dhe shpopullimit!
  2. Sepse duam që të ringrihen tri shtyllat e shtetit: – Arsimi, shëndetësia dhe administrata publike!
  3. Sepse nuk duam një vend pa opozitë, me institucione shtetërore në duart e një njeriu. Ne shqiptarët i kemi vuajtur pasojat e diktaturës dhe nuk mund të lejojmë të rikthehet ajo në emër të stabilokracisë!
  4. Sepse duam drejtësi. Drejtësi sidomos në luftën kundër korrupsionit, mafies dhe krimit të organizuar. Pra drejtësi e luftë pa kompromis kundër të keqes që e ka mbërthyer për gryke regjimin e sotëm!
  5. Sepse duam barazi. Barazi në dinjitet, barazi në integritet, barazi në votim, barazi në shpërndarjen e të mirave materiale dhe fondeve publike, barazi dhe drejtësi në shanse!
  6. Sepse duam liri! Liri të fjalës e të mendimit, liri të shprehjes në medie, liri të kritikës e të kontrollit të institucioneve të shtetit, sidomos ekzekutivit, liri në zgjedhjet politike, por edhe në zgjedhjet personale për ta ndërtuar vetë jetë tonë!
  7. Sepse duam demokraci! Demokraci në ndarjen e pushteteve dhe funksionimin e pavarur të tyre! Demokraci në pjesmarrjen e drejtpërdrejtë në qeverisje përmes referendumeve. Demokraci në ushtrimin e funksioneve të secilit institucion! Pra llogaridhënie dhe jo si tani, kur ekzekutivi e shteti i kërkojnë llogari popullit, zgjedhësve!

A na i siguron këto vetëm një protestë? Sigurisht që jo. Por ne duhet të dëshmojmë se ne i duam këto vlera të shoqërisë njerëzore! Dhe kjo protestë duhet të japë mesazhin se është mjet i efektshëm për të arritur këto synime.

A na i siguron këto opozita që ka thirrur protestën? Ne duhet ta rrëzojmë këtë regjim dhe duhet ta testojmë e paralajmërojmë opozitën se ne nuk do ta tolerojmë as atë nesër në pushtet! Vetëm duke i marrë vetë ne fatet tona në duart tona do të imponohemi. Por radha është t’i imponohemi këtij regjimi! Që sot!

Opozitën do ta testojmë nesër e në çdo protestë që do të bëhet! Nesër do ta testojmë për projektin dhe kërkesat ultimative që do t’i bëhen regjimit kleptokratik e mafioz të Shqipërisë.
Mos u pajto me stabilokracinë, kërko me ngulm lirinë dhe demokracinë! Kjo është motoja dhe qëllimi ynë!

About Redaksia

Check Also

Që të mos jemi hipokrit me veten, debitor me historinë dhe hileqar me Zotin

  Alfons Grishaj Largimi në jetën tjetër të personaliteteve politike, shkencore, letrare artistike etj shoqërohet …