Investigimi/ Trafik kokaine me taksitë në Tiranë, pamje e prova, por policia hesht

Me shprehjen “e dinim” që nën zë e qarkullojnë këto ditë ata që duhet të parandalonin/ hetonin/ ndalonin/ arrestonin këtë zinxhir shpërndarësish me liçensë, justifikohen me njëri tjetrin dhe me këdo tjetër që çuditet nga kjo heshtje pus.

TIRANË– 4 muaj investigim nga Zëri, për të zbuluar sesi thuajse të gjithë taksistët, e thuajse të gjitha kompanive të liçensuara në Tiranë, bënin sekserin për t’i shitur kokainë klientit më të parë që i hipte në makinë. Disa të lidhur me shpërndarës, disa që e konsumonin vetë, disa që të merrnin në telefon edhe të nesërmen, kur taksia as të duhej më, për të të shitur përsëri dozën e radhës.

Heshtje vdekjeje nga Policia. Me shprehjen “e dinim”, që nën zë e qarkullojnë këto ditë ata që duhet të parandalonin/ hetonin/ ndalonin/ arrestonin këtë zinxhir shpërndarësish me liçensë, justifikohen me njëri tjetrin dhe me këdo tjetër që çuditet nga kjo heshtje pus.

Dhe ne e dinim. Ndaj vendosëm ta investigonim. E dinim ndaj vendosëm ta publikonim investigimin, pavarësisht presioneve nga më të ndryshmet për ta fshirë, modifikuar apo mos shfaqur.

E dinim thonë dhe disa kolegë gazetarë, që merren me kronikën dhe bëjnë jo pak punë, por që nuk gjetën një hapësirë në mediumet e tyre për të paktën një duartrokitje inkurajuese ndaj një investigimi, që tregon një copë të hidhur të realitetit në vendin tonë.

Dhe ne e dinim, por nuk e injoruam. Nxorëm në dritë një pjesë të zhytur në këtë llumin që e dimë të gjithë, por që ende nuk e kemi pranuar të gjithë. Dhe shyqyr që është kështu. Të paktën e dinim.

Sepse në këtë vendin tonë të vogël, pak gjëra nuk dihen. Herë si legjenda që të kalojnë nën hundë e herë si thashetheme që të vijnë bashkë me kafen e mëngjesit, në këtë copë tokë, thuajse gjithçka dihet.

Mbase na shijon të flasim e llomotisim për gjithkënd. Të marrim e të japim lajme e thashetheme me njëri tjetrin, më shumë sesa të japim mbështetje, përkrahje dhe solidarizim. Akoma më shumë, sesa të bëhemi bashkë përballë pushtetit të të fortit apo forcës së pushtetit.

Na duket më interesante vetja kur nisemi me tangërllikun përpara, e ca hapa mbrapa nxjerrim dhe fytyrën. Sepse këtu dhe pushteti është arrrogant, dhe i papushtetshmi është arrogant me një më të papushtetshëm se vetja.

Dhe kështu, secili për hesap të vet e të gjithë për hesap të njëri-tjetrit, më i forti bën sipas qejfit. Dhe këto, sigurisht i dinim. Prej kohësh.

Ne do preferonim që heshtja e policisë përballë pamjeve aq evidente të shpërndarjes së kokainës masivisht në mes të Tiranës, të ishte më së paku shenjë e injorancës, paaftësisë apo përtacisë së atyre individëve që kanë për detyrë të lëvizin nga vendi dhe kur denoncon një qytetar, jo më kur pamje të atilla bërtasin në ekran aq fort.

Më mirë të ishte kështu, sado e pafalshme në këtë shekull që jetojmë, sesa të ishte shenja më evidente sesi tregu i kokainës ka kapur prej gryke jo vetëm disa taksistë që u shesin klientëve ca gram, por më shumë akoma ka kapur edhe drejtuesit e policisë prej të cilëve prindrit e fëmijëve presin të bëjnë luftën për të mbajtur larg shpërndarësit dhe për ta bërë kështu më të vështirë gjetjen e atij gramit të kokainës që nesër të merr jetën.

Që korrupsioni në Polici bëhet masiv kur paratë burojnë nga droga, kjo nuk ka dyshim. Kjo ka ndodhur e ndoshta do ndodhë, sa të ketë drogë e polici bashkë në të njëjtin vend. Por nuk ka ndodhur kurrë, që përballë denoncimeve kaq eksplicite, Policia të heshtë po aq sa heshtën dhe vetë shpërndarësit e drogës që u shfaqën në ekran.

Të dy palët nuk mund të heshtin njëlloj. Dhe trafikantët e kokainës me taksistët si korrierë, dhe policët që duhet t’i luftojnë, nuk mund të heshtin njëlloj kur skena të tilla dalin haptazi në media. Përndryshe, nuk janë më përballë në luftë, por në të njëjtin thes, nga del droga e hyjnë lekët. Dhe heshtja i bashkon.

Që të mos bëhet edhe kokaina treg në dritë të diellit, e shitshme dhe nga taksisti, ka nevojë për një shkundje të fortë. Këtë duhet të dinë më mirë ata që mbajnë detyra shtetërore për të luftuar krimin dhe drogën, para se të na vrasë të gjithëve ajo që pëshpërisin nën zë për çfarë dinim./ZËRI.al

About Redaksia

Check Also

Kërcënimi mafioz i Ramës për Ahmetajn: Po fole…

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj do të flasë sërish nga arratia. Gazetari Çim Peka ka publikuar disa …