Shoqata e flokëkuqëve

ARTHUR CONAN DOYLE

-Tregim-

Përktheu Agim Xh. Dëshnica

I

Një ditë në Beker Strit e gjeta Holmesin të zhytur në bisedë me një zotni të bëshëm, faqembushur, të moshuar e me flokë të kuqërremtë.

– Keni ardhur në kohën e duhur, Uatson! – më tha. Pastaj u kthye nga vizitori: – Zotni Vilson, ky është bashkëpunëtori im! Më ka ndihmuar në zgjidhjen e shumë çështjeve. Besoj se do të jetë i vlefshëm, gjithashtu, edhe për çështjen tuaj. – Më bëri shenjë të zija vend, mandej u ul edhe vetë, duke mbështetur ballin mbi pëllëmbën e dorës së djathtë për t’u menduar më qetë. – Ju kujtohet, besoj, kur jam shprehur dikur, se jeta na servir më shumë ndodhira të çuditshme dhe tërheqëse se sa fantazia e sajimet.

– Është pak si e vështirë për t’u besuar kjo! – i thashë.

– Sidoqoftë së shpejti do të pajtoheni me pikëpamjen time. Zotni Xhabez Vilson më tregoi një histori, që ndoshta s’e kam dëgjuar ndonjëherë. – Dhe sakaq iu kthye atij: – A do të kishit mirësinë, zotni Vilson, ta tregonit nga e para ndodhinë posaçërisht për dr. Uatsonin?

Klienti i Holmesit nxori nga xhepi i xhaketës një gazetë të ndotur e të zhubrosur. U përpoqa ta studioja Vilsonin sipas mënyrës së Holmesit, por nuk zbulova ndonjë gjë. M’u duk njeri i zakonshëm, pak si i ngathët e i ngadalshëm. Qe veshur jashtë mode, me pantallone që i rrinin si thes, me jelek nga varej zinxhiri i artë i sahatit dhe me xhaketë jo aq të pastër. Të vetmet që binin në sy qenë flokët e tij të kuqëremtë dhe pamja e hutuar.

Holmesi vuri re përqëndrimin tim, buzëqeshi dhe e mori përsëri fjalën…

– Me sa kuptoj, z. Vilson për disa kohë ka qenë punëtor, ka shkuar në Kinë, dhe kohët e fundit është marrë me shkrime të shumta. Kaq mund të them.

Vilsoni e vështroi me ngulm e me habi.

– Nga i dini të gjitha këto? – pyeti. – Unë vërtet dikur kam qenë punëtor. E kam nisur punën si karpentier anijesh.

– Dora juaj e djathtë duket më e madhe se e majta, – i tha Holmesi, – sepse nga puna e krahut, muskujt e saj janë zhvilluar më shumë.

– Po për shkrimet?

– Kur shkruani, nga fërkimi shuplaka merr shkëlqim. Po ashtu edhe bërryli i majtë, kur e mbështetni mbi tavolinë.

– Ashtu, ashtu! Po Kina?

– Tatuazhin me peshk, që shoh në kyçin e dorës së djathtë e keni kujtim nga ai vend. Tatuazhet i kam studiuar me hollësi. Ngjyra trëndafil e luspave të peshkut është krejtësisht punë kineze. Gjithashtu, në zinxhirin e sahatit tuaj varet një monedhë kineze.

Vilsoni qeshi me gjithë shpirt.

– Oh, po! – tha. – Qysh në fillim e vura re mprehtësinë tuaj. Mund t’ju them se atje s’mund të bëja asgjë.

– Dëgjoni, Uatson! –  ia ktheu Holmesi. – Mendoj se kemi të bëjmë me një gabim, që duhet parë mirë. E gjetët njoftimin në gazetë?

– Sigurisht! – m’u përgjigj ai, duke ma dorëzuar. Nisa të lexoja:

“Shoqatës së flokëkuqëve:

Është hapur një vend për punë të thjeshta, të cilat mund t’i kërkoj çdo anëtar i Shoqatës, me një pagë prej 4 stërlinash në javë. Ai që do të pranohet duhet të jetë flokëkuq, i shëndetshëm nga ana fizike e mendore dhe me moshë mbi 21 vjeç. I interesuari të paraqitet vetë tek Dunkan Rosi në zyrën e Shoqatës! Adresa: 7 Pope’s Kort, Flit Strit”.

– Kjo është e jashtëzakonshme! – thirra, pasi e lexova dy herë.

Holmesi qeshi e tha:

– Ashtu vërtet! – Tani të dëgjojmë z. Vilson, veçse më parë, Uatson, i hidhni një sy datës së letrës!

– 27 gusht 1890! Pra, dy muaj më parë.

– Në Sheshin Koburg kam një dyqan të vogël pengjesh! – nisi të tregonte Vilsoni. – Punët me pak vështirësi më shkuan për së mbari. Atje mbajta vetëm një ndihmës, i cili pranoi të punonte me gjysmë page.

– Si quhet djaloshi juaj i gjindshëm? – pyeti Holmesi

– Vinçenc Spalding! – u përgjigj Vilsoni. – Nuk është aq i ri. Ndihmës më të mirë nuk gjeta. Ai mund të fitonte më shumë gjetiu, por meqenëse pranoi, përse duhej t’ia thoshja këtë?

– E çuditshme! – tha Holmesi. – Një fat i tillë me një ndihmës si ai, ndoshta është më i rëndësishëm se sa njoftimi i gazetës. – Eh, sit ë thuash… Nuk ishte edhe aq i përkryer! – tha Vilsoni. – Ai papritur largohej dhe bridhte poshtë e lart me aparat fotografik, pastaj në bodrum merrej me stampime fotografish. Megjithatë, qe punëtor i mirë. Isha i kënaqur deri në çastin, kur Spaldingu më tregoi njoftimin e shoqatës. “Sigurisht do të dëshiroja, – më tha, – të isha edhe unë flokëkuq. Shoqata e flokëkuqëve ka një vend të lirë pune. Është një fat i mirë për këdo që do të zërë atë.”

Unë s’kisha dëgjuar të flitej për një shoqatë të tillë, e cila e kishte mahnitur Spaldingun. Ai më tha se isha i përshtatshëm për atje dhe mund të fitoja lehtësisht shumë para, duke mos u lodhur edhe aq:

“Shoqata, – vazhdoi ai, – është themeluar nga një milioner amerikan, i cili kishte dëshirë të ndihmonte anëtarët e saj flokëkuq për të patur sukses në jetë. Për këtë qëllim ai i la punët e mëdha.”

Kjo punë e re më joshi mjaft, por mendova se edhe shumë të tjerë do të paraqiteshin medoemos atje.

“Nuk mendojnë të gjithë kështu! – më tha Spaldingu. – Kam dëgjuar se flokët e pjesëmarrësve duhet të jenë të kuqe si flokët tuaj. Përse, në fund të fundit, të mos bëni një përpjekje e të shihni se ç’ndodh atje?”

Vendosa të paraqitesha i shoqëruar nga Spaldingu.

Në Flit Strit ishin grumbulluar njerëz të shumtë, të gjithë ishin me flokë të kuqe. Më kapi pa dashur dëshpërimi, por Spaldingu më dha zemër. Më shtyu përpara dhe kështu dolëm në krye, ku një burrë me flokë të kuqe e të ndritur qe ulur pas tavolinës.

“Ky është mister Jabez Vilsoni, – i tregoi Spaldingu atij. – interesohet për vendin e lirë.”

“Qenka i përkryer për këtu! – ia ktheu nëpunësi. Lëvizi nga karrikja e më pa nga afër. Papritur m’i kapi flokët e i tërhoqi fort, aq sa bërtita nga dhimbja. – Më fal, –  më tha, – Dua të bindem nëse janë të vërteta apo paruke! Duhet të më besoni se disa përpiqen të ma hedhin!

Dunkan Rosi më bëri edhe pyetje të tjera. Më së fundi, pasi i largoi të tjerët, më pranoi në punë. Mund t’ju them se mbeta i kënaqur, nga vlerësimi i tij. Më shpjegoi se puna zgjaste nga ora dhjetë deri në orën dy. Pra, ishte një kohë mjaft e mirë, që më lejonte të merresha me dyqanin tim pasdite. Në kohën, kur do të mungoja, Spaldingu m’u zotua se do kujdesej për mua. Rroga m’u caktua goxha e mirë, 4 stërlina në javë. Punët do t’i kryeja sipas orarit të caktuar. Nëse do të largohesha nga zyra për çdo shkak, do të pushohesha në vend. Puna ime qe kopjimi i Enciklopedisë Britanike, duke filluar nga vëllimi I. Të nesërmen nisa kyerjen e detyrave. Punova kështu rregullisht tetë javë. Pothuaj isha në mbarim të gërmës A, për të nisur më tej me gërmen B, kur befas gjithëçka mori fund! Në mëngjes gjeta të ngjitur në derën e zyrës një letër të bardhë ku shkruhej:

“Shoqata e flokëkuqëve është shpërndarë!”

9 tetor, 1890“

– Takova menjëherë pronarin e ndërtesës, – vijoi Vilsoni, – dhe e pyeta si mund ta gjeja shefin tim, mister Dunkan Rosin. Ai më tha se s’kishte dëgjuar kurrë për atë emër, si edhe për Shoqatën. Kur i përshkrova tiparet e Rosit, ai tha:

“Oh, ai është avokati Viliam Moris. Përdori me qera, përkohësisht, disa mjedise të ndërtesës sime, në kohën kur zyra e tij po rindërtohej. Ja adresa që ka!”

Menjëherë vajta atje. Ajo ishte një zyrë e panjohur dhe askush s’kishte dëgjuar të flitej për Rosin, Morisin, ose për ndonjë të ngjashëm me ta. Gjë e turpshme! Po humbisja paratë, që më takonin. Mister Holmes, a mund të më ndihmoni?

– Nuk dua ta humbas këtë çështje! – tha Holmesi. – Ju lutem, përgjigjuni pyetjeve që do të shtroj! Sa kohë punoi Spaldingu për ju, deri në çastin kur ju tregoi njoftimin në gazetë?

– Rreth një muaj.

– Si e gjetët?

– Ai iu përgjigj lajmërimit tim.

– Ishte i vetmi që të nisi përgjigjen?

– Jo, ishin edhe shumë të tjerë.

– Përse e zgjodhët atë?

– Sepse pranoi të punonte me rrogë më të ulët.

– Çfarë pamje ka?

– I shkurtër, energjik, pa qime në faqe, megjithëse në moshën 30 vjeç. Ka në ballë një njollë të vogël në ngjyrë të bardhë.

Holmesi u ngrit në këmbë sikur ta kishte ngacmuar diçka.

– Ashtu mendoj edhe unë! Dhe erdhi të punojë tek ju?

– Natyrisht! – tha Vilsoni.

– Faleminderit! Sot është e shtunë. Do të merremi vesh para të hënës.

Vilsoni na dha dorën dhe iku.

II

– Qenka një vepër misterioze Holmes!

– Çdo gjë, zakonisht, nuk është aq e çuditshme sa duket. Çështjet e krimeve të rëndomta janë më të vështira për t’u zgjidhur, sepse ato s’kanë asgjë të veçantë. Ejani, Uatson, të shëtisim pak!

Ecëm drejt sheshit Koburg. Atje rreshtoheshin shtëpi përdhese pa asnjë vlerë dhe dyqane të ndryshme. Njëri prej tyre ishte ai i Vilsonit. Holmesi brodhi sytë poshtë e lart, ndaloi përpara atij, goditi disa herë me shkop mbi trotuar, pastaj trokiti në derë. Në prag u shfaq nëpunësi me pamjen siç na e kishte përshkruar Vilsoni.

– Na falni! – i tha Holmesi. – Kemi humbur rrugën.

Djaloshi na tregoi drejtimin nga duhej të kalonim. Vijuam ecjen më tej.

– Bukur, – i thashë, – vura re se i hodhët një vështrim hetues.

– Më tepër tek gjunjët e pantalloneve. Tani le të shohim pak se ç’ka rreth e rrotull!

Në rrugën prapa dyqanit të Vilsonit kishte më gallëri sesa në sheshin Koburg. Holmesi shikoi me kujdes çdo ndërtesë, njerëzit e zënë me punë, dhe na tha:

– Këtu ndodhen dyqani i gazetave, një restorant, që shërben vetëm gjellë me zarzavate, një bankë e madhe dhe stacioni i pajtonëve.  – Tani çështja e Vilsonit nuk duket aq e thjeshtë, siç mendova, përkundrazi është mjaft serioze. Më duhet të shoh më përpara vetëm pak dyqane. A mund të më ndihmoni sonte natën?

– Sigurisht! Në ç’kohë?

– Ju pres në Beker Strit në ora dhjetë. Uatson, mos harroni të merrni me vete revolverin. Jeta jonë është e lidhur shpesh me armën.

III

Atë natë në Beker strit Holmesi s’ ishte vetëm, por me Petër Xhonsin, dedektivin e policisë. Me ‘ta ishte, gjithashtu, një burrë i pjekur, i cili m’u paraqit si mister Meriuedhër.

– Sonte natën, – tha Holmesi, – Xhonsi do të arrestojë vrasësin, hajdutin dhe fallsifikatorin Xhon Klei. Për ju, mister Meriuedhër, kjo natë ka vlerën e 30.000 stërlinave.

Holmesi na priu për në rrugën e tregut, të cilën e vizituam sot në mënges. Mandej me Meriudhërin nëkrye zbritëm poshtë në një korridor të errët, duke kaluar nëpër dyer, që hapeshin e pastaj mbylleshin pas nesh. Më së fundi, u gjendëm në një qilar të madh mbushur përplot me arka.

– Nga lart qenkemi të mbrojtur! – tha Holmesi, duke ngritur fenerin drejt tavanit.

– Edhe nga dyshemeja, – shtoi Meriuedhëri dhe e goditi me shkop. – O Zot! – thirri befas. – Ndjeva një boshllëk nën të.

– Qetë! Mos e ngrini zërin! – pëshpëriti Holmesi. – Ju lutem uluni të dy mbi arkën te ajo qoshja gjysmë e errët!

Ai mori fenerin dhe lupën prej kristali, u ul mbi gjunjë e u zvarrit këmbadoras, duke vëzhguar me kujdes gurët e ashpër në dysheme, sidomos të çarat midis tyre. Pasi mbaroi hetimin, u ngrit i gjallëruar nga ato që pa. – Tani na mbetet të presim një orë. Ata s’mund të fillojnë, para se miku ynë Vilson s’do të ketë ikur për të fjetur. Pas kësaj, do të veprojnë shpejt e shpejt, që të fitojnë kohë për t’u larguar. Jam i sigurt, Uatson, se në këto çaste po vrisni mendjen se ku ndodhemi. Jemi pikërisht në qilarin e bankës, që pamë në rrugën përballë dyqanit të mister Vilsonit! Kur vura re bankën, mendja, natyrisht, më shkoi diku, – vijoi Holmesi, duke bërë me dorë në drejtim të mister Meriuedhërit, dhe tha: – Ky është drejtori i kësaj banke.

– Ari ynë francez! – pëshpëriti drejtori. – Pak muaj më parë na u desh të merrnim hua 30.000 napolona ar fracezë, por nuk i kishim nxjerr ende nga arka. Janë 2000 monedha ari në arkën, mbi të cilën jam i ulur tani. Ka edhe shumë të tjera si këto. Deri sot, kur mister Holmesi erdhi e më takoi, s’ më kishte shkuar ndër mend se isha aq pranë rrezikut.

Holmesi na lejoi për pak kohë të flisnim duke pëshpëritur, pastaj kërkoi qetësi të plotë dhe e uli dritën e fenerit. Më bëri shenjë të nxirrja pistoletën e të qëndoja gati. Pyeti Xhonsin, detektivin e policisë, nëse po vinin keqbërsit. Po, ata po vinin…

Po prisnim ulur. Të ftohtit, ajri i lagësht, errësira dhe heshtja e thellë krijonin një gjendje shpirtërore plot shqetësim. Nervat më ishin tendosur gjatë kohës së pritjes prej një ore e gjysmë, e cila m’u duk shumë më e gjatë seç qe në të vërtetë. Muskujt e mpirë përpiqesha t’i gjallëroja, duke zgjatur krahët e këmbët, pa bërë aspak zhurmë, kur befas sytë diktuan një shkëndi, që dilte nga dyshemeja e gurtë. Për disa çaste ajo u zgjerua dhe shkëlqeu fort. Nga poshtë, përmes një vrime, doli e u duk një dorë, që preku dyshemenë e aty për aty u zhduk. Pas disa sekondash u pa tek sillej rrotull një gur. Një fener hodhi dritë përqark nëpër hije e në çast një kokë u shfaq te zgavra në qilar. Fytyra e bëshme e një djaloshi hodhi vështrimin drejt hijeve, por nuk pa asgjë. Ishte ndihmësi i Vilsonit, i cili sot para dite na tregoi se në ç’drejtim duhej të ecnim!

– Çdo gjë në rregull, Arkie! – pëshpëriti.

U duk mbi zgavër një kokë e dytë me një tufë flokësh të kuqe e të ndritura.

– T’ia nisim punës menjëherë, pa humbur kohë! – tha ai.

Në atë çast Holmesi doli nga vendi i fshehtë e u vërsul drejt të parit.

– Ou! Mbathja, Arkie! – thirri i pari, në çastin kur Holmesi e kapi fort nga jaka. Xhonsi u sul drejt kokës së Arkies, por i mbetën në duar vetëm parukja e flokëve të kuqe dhe një copë nga jaka e këmishës së grabitësit. Njeriu në duart e Holmesit u orvat të nxirrte revolverin, por Holmesi më i shpejtë, goditi me shkop dorën e keqbërësit dhe arma fluturoi larg tij.

– Ju çarmatosa, Xhon Klei! – tha Holmesi butë. – Më në fund ju kapa!

– E shoh, – ia ktheu ai qetë, – por tjetri ju iku.

– Jo, jashtë atë e presin tre policë!

– E çuditshme! – tha Xhon Klei. – Paskeni vepruar për bukuri, zotni!

– Gjithashtu edhe ju me sajimin e shkëlqyer të Shoqatës së flokë – kuqëve! – iu përgjigj Holmesi.

Xhonsi u avit e i hodhi prangat Kleit. Ky, sa e pa, kthehu shpinën i zemëruar.

– Mos më prek me duart e tua të ndyra! – tha. – Kur të flasësh me mua duhet të më drejtohesh  me „sër“ dhe „ju lutem“, sepse në venat e mia rrjedh gjak mbretëror.

Xhonsi qeshi, pastaj i tha të arrestuarit:

– Siurdhëron, sër! Ju lutem, sër, marsh për në karrocë, e cila do të mbartë lartësinë tuaj për në qendrën e policisë.

– Kështu, po! – turfulloi Klei. Pasi ktheu kokën drejt Holmesit, Meriuedhërit e ndaj meje, eci hijerëndë pas detektivit të policisë.

– Mister Holmes, s’di sa herë duhet t’ju falënderoj apo t’ju shpërblej! – tha Meriuedhëri, duke i shtrënguar dorën mikut tim.

– Në gjurmët e Xhon Kleit kisha rënë qysh më parë. Jam i bindur se banka do të ma jap shpërblimin. Por, shpërblimi më i mirë për mua, është historia e pazakontë e mister Vilsonit rreth Shoqatës së flokëkuqëve, e cila më ndihmoi të kapja banditin e rrezikshëm.

IV

Atë natë në shtëpi, të ulur pranë zjarrit, Holmesi më tregoi gjithçka, fije e për pe, duke zbardhur edhe disa pika të errta.

– Shikoni, Uatson, – më tha, – qysh në fillim dyshova se ata me anën e njoftimit në gazetën e Shoqatës së flokëkuqëve për kopjimin e enciklopedisë, u arvatën të largonin Xhebs Vilsonin naiv, disa orë në ditë nga dyqani. Sapo dëgjova se ndihmësi i ri pranoi të punonte me pagë aq të ulët, u binda se ai kishte një arsye të fortë për ta marrë atë vend pune.

– Si e kuptuat? – e pyeta.

Vilsoni s’kishte as grua e as motër, po ashtu edhe Klei. Vilsoni s’qe i pasur. Në shtëpi apo dyqan s’kishte sende të rralla a me ndonjë vlerë kushedi se çfarë. Nga ana tjetër, Vilsoni s’ia kishte zënë në gojë kurrë ndihmësit punën me fotot në bodrumin e dyqanit. Sapo dëgjova nga Vilsoni përshkrimin rreth ndihmësit të vet, mësova se kishim të bënim me kriminelin më të mbrapshtë të Londrës.

– Njohët Klein?

– Asnjëherë s’e kemi parë njëri – tjetrin, por unë i di poshtërsitë e tij  dhe se ç’pamje ai ka.

– Ndaj  dolëm të shëtisnim?

– E saktë! – tha Holmesi. – A ju kujtohet seç ju thashë për gjunjët e ndotura të pantallonave të ndihmësit? Më breu dyshimi për një vend gërmimesh. Ndoshta të një tuneli. Kur ecnim rrugës, vura re bankën. I rash në të. Menjëherë nxitova për në polici dhe te drejtori i bankës.

– Nga e dinit se ata do të vepronin sonte natën?

– Fare thjesht! A s’kishin më arësye ta largonin Vilsonin nga dyqani, sepse tuneli tashmë qe përfunduar. Vendosën të vepronin shpejt e shpejt, para se të zbulohej tuneli, ose paratë të zhvendosevin gjetiu. E shtuna ishte koha më e mirë. Deri të hënën, kur hapet banka, vjedhja nuk do të diktohej dhe ata do të kishin kohë të mjaftueshme të iknin larg nga vendi i kryerjes së krimit dhe të arratiseshin jashtë kufirit.

– Shkëlqyeshëm! – thirra me admirim. – Arsyetimi juaj është i përkryer.

– Duke e zgjidhur këtë çështje, e ndjeva veten larg çdo mërzie. Shpresoj se së shpejti do të merrem me diçka tjetër dhe kështu, sërish, do të jem po ai.

 

About Redaksia

Check Also

8 vite nga shenjtërimi i Nënë Terezës

Si sot 8 vjet më parë, më 5 shtator 2016, Nënë Tereza,  fituese e çmimit …