A e shpëtojnë dot pemët dhe adoleshentët Tiranën nga mafia e betonit?!

Nga Iva V.GRILLO

Dje hasa në rrjet disa postime të përfaqësisë së BE në Tiranë në kuadrin e fushatës për qytete të gjelbra, një fushatë e mirëpritur dhe e rëndësishme sidomos për Shqipërinë e cila po rend me shpejtësi marramendase ndaj betonizimit të çdo hapësire urbane.

Gjithsesi, siç mund të shihet edhe nga postimet nuk mund të mos bëjë pershtypje qasja sipërfaqësore dhe disi infantile e çeshtjes së gjelbërimit…apo mungesës së gjelbërimit në qytetet shqiptare, e sidomos në kryeqytet.

Besoj se përfaqësia e EU ka kapacitetet, burimet dhe aftësinë për të kuptuar se problemi i gjelbërimit në Tiranë nuk është as çështje e mbjelljes së pemëve nëpër “poçet” familjare dhe as diçka që zgjidhet nga adoleshentë që shkojnë të shohin një film fantastiko-shkencor, pavarësisht rëndësisë që ka ndërgjegjësimi i gjithkujt.

Ç’është e drejta, shqiptarët i kanë qejf lulet dhe gjelbërimin, si dhe shumë popuj të tjetë. Një pjesë e mirë e këngëve e traditës popullore i referohet luleve në saksi, zylbylave, etj, etj.

Gjithsesi edhe sikur të marrim të mirëqënë që të gjithë qytetarët e Tiranës do ti përgjigjen thirrjes së BE, do të gjejnë një copë tokë të pabetonizuar rrotull pallateve dhe do t’a mbjellin pemën e tyre, nuk di se sa kjo do të mund ta ndalë betonizimin e përbindshëm që po i bëhet pothuajse çdo hapësire në kryeqytet.

Shumë raporte ndërkombëtare (disa edhe nga vetë strukturat e BE e partnerët e tyre) e shohin betonizimin e Tiranës dhe Shqipërisë si pastrim parash që rrjedhin nga aktivitete kriminale.

Unë besoj se përfaqësuesit e BE kanë autoritetin, të drejtën dhe mundësinë ti shkojnë në thelb arsyeve të këtij problemi madhor, duke i pyetur nga afër zbatuesit e betonizimit masiv, kryeministrin e vendit Rama dhe kryetarin e Bashkisë, Veliaj (të cilin ata e mbajnë në krah kur promovojnë Tiranën e gjelbër): cili është plani urbanistik i Tiranës dhe si e përligjin betonizimin skizofrenik të kryeqytetit?!

Përgjigjia e këtyre pyetjeve mund të ndihmojë përfaqësuesit e BE që ti përdorin më mirë taksat e qytetarëve europianë, të bëjnë strategji (dhe postime) më realiste dhe me shpresë edhe më pak qesharake.

Jam e sigurtë që nxënësit e shkollës “Dëshmorët e Lirisë” e kanë pëlqyer filmin “Kokrrat e piperit dhe sekreti i detit të thellë” ku një shkencëtar që dëshiron të shpëtojë oqeanin nga mbetjet plastike merret peng nga mafia ndërkombëtare… por uroj që së shpejti nxënësit dhe prindërit e tyre të kuptojnë se ky është një “film” që ata e shohin përditë në kryeqytetin shqiptar.

Tirana është marrë peng…dhe gjelbërimi e ajri i ndotur kryeqytetas mund të quhen pa frikë: “dëshmorët e betonit”.

About Redaksia

Check Also

Nga loti te lotët…

Nga Lutfi DERVISHI Dikur, në kohët e moçme, para vitit të largët 2013, inaugurimi bëhej në …