Kosova në Këshillin e Europës… ishte një ditë historike!

Enver Bytyçi

“Ta pranojmë Kosovën në KiE, sot, tani, menjëherë”! Kështu u shpreh një deputet gjerman në Asamblenë e Këshillit të Europës. Ndërsa një tjetër deputete tha se nuk e kuptonte pse Spanja nuk e njeh shtetin e pavarur të Kosovës, sepse Kosova është produkt i së drejtës ndërkombëtare dhe vullnet i qytetarëve të saj. Thuajse të gjithë kryetarët e fraksioneve parlamentare të Asamblesë kërkuan që të votohet raporti i Bakojanis dhe Kosova të bëhet anëtare e KiE. Edhe kreu i fraksionit konservator parlamentar tha se grupi I tij parlamentar në parim ishte dakord që Kosova të bëhej anëtare e këtij Këshilli. Por më tha se janë tri kushte pa plotësuar. Dhe si kusht kryesor numëroi konstatimin e tij se “Pranimi i Kosovës nuk i shërben stabilitetit dhe paqes”!

Nejse! Ylli i kësaj seance të Adamblesë Parlamentare ishte ish-ministrja e Jashtme e Greqisë, Bora Bakojanis, njëherësh dhe motra e kryeministrit aktual grek. Ajo mori komplimentet e merituara për raportin “e ekuilibruar” siç e cilësuan shumica e deputetëve që diskutuan. Pro anëtarësimit ishin dhe deputetë të vendeve të tjera që nuk e njohin Kosovën, Spanjës, Rumanisë, Ukrainës etj. Madje deputeti ukrainas ishte më aktiv dhe më i vendosur se çdokush tjetër. Dhe në fund erdhi votimi për pranim. Më shumë se dy të tretat e deputetëve të pranishëm votuan pro, gjithsej 131. Ndërsa vetëm 29 depuetë votuan kundër.

Rezultatet e këstij votimi janë produkt dhe meritë e konsolidimit të shtetit ligjor të së drejtës dhe demokracisë në Kosovë. Janë meritë e institucioneve të këtij vendi. Vendimi pozitiv është pasojë e aftësisë shtendërtuese dhe sidomos e profesionalizmit në sjelljen e policisë dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës në raport me qytetarët, veçmas me minoritetin serb në Kosovë. Por një rol parësor, historik për Kosovën, luajti Bora Bakojanis. Asaj i shkojnë falenderimet dhe meritat më të mëdha të momentit. Në historinë e Kosovës vendimi i sotëm dhe raporti i Bakojanis do të zënë vend të merituar.

Serbia kërcënon me daljen nga Këshilli i Europës, nëse Kosova bëhet pjesë e tij. Ky kërcënim dhe fjalimi i përfaqëseses serbe në Asamble e bënë Serbinë delen e zezë të Europës. Në fakt duhet pranuar: – Rezultati spektakolar i votimit për pranim është gjithashtu meritë e presidentit Vuçiq dhe përfaqësuesve serbë në Këshillin e Europës. Retorika e tyre nacionaliste, kërcënuese, madje ofenduese, i ve në vështirësi edhe miqtë europianë të Serbisë. Kështu që, sa më shumë Beogradi flet për “Kosovo dhe Metohi”, sa më shumë thotë se Kosova është pjesë e saj, aq më shume shanse fitohen për integrimin dhe pranimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike dhe organizatat ndërkombëtare.

Këshilli i Europës është organizata më e fuqishme e globit pas OKB-së, Këshillit të Sigurimit dhe Asamblesë së Përgjithshme. Këshilli i Europës, ka tagër që në një të ardhme t’u kërkojë 12 vendeve anëtare të saj, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur, ta bëjnë këtë. Dhe në bindjen time, Greqia, Rumania dhe Spanja po shkojnë me shpejtësi në këtë drejtim. Pranimi në Këshillin e Europës i jep kuptim juridik dhe politik jo vetëm shtetësisë, por edhe integritetit territorial të Kosovës.

Megjithatë vendimi i sotëm nuk është përfundimtar. Komiteti i Ministrave, i cili mblidhet nga mesi i muajit maj, është autoriteti që merr vendimin përfundimtar. Deri atëherë Kosova nuk do duhet të ketë stacione pushimi. As natën dhe as ditën. Do të duhet bërë kujdes, sepse në këtë periudhë kohe Serbia mund të provokojë, siç di ajo të provokojë. Kosova është nën vëzhgim, monitorohet me katërqind palë sy. Një gabim i vogël mund t’i kushtojë vendimin negativ nga ana e Komietit të Ministrave. Në këte kuptim merr rëndësi të përballohen me guxim e maturi të gjitha sfidat që mund të dalin.

Por Kosova dhe shqiptarët e kanë për obligim ta falenderojnë Greqinë dhe përfaqësuesit e saj në Asamblenë Parlamentare të KiE-së. Sepse raporti i Bakojanis dhe qëndrimi pozitiv i deputetëve të saj dha mesazhin se votimi i sotëm nuk është çeshtje e njohjes ose mos-njohjes së shtetit të Kosovës. Eshtë çeshtje e dinjitetit të secilit vend europian në shërbim të paqes, lirisë, stabilitetit, sigurisë, demokracisë dhe respektimit të lirive dhe të të drejtave themelore të njeriut.

About Redaksia

Check Also

Programi ekonomik i PD të diskutohet në Grupin Parlamentar, në Kryesinë e Sekretariatet dhe të miratohet në Këshillin Kombëtar

!Bujar LESKAJ Të gjithë departamentet e Partisë Demokratike të drejtuar nga Prof. Dr. Sali Berisha, …