Si SPAK e “çliroi” Dakon nga akuza e korrupsionit madhor dhe e bashkëpunimit me krimin e organizuar

Ish-kryebashkiaku do përfitojë nga gjykimi i shkurtuar

Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK për dërgimin në gjyq të ish-kreut të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako dhe zyrtarëve të tjerë për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve.

BIRN

Ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako do të përballet me gjykatën për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, të kryer dy herë, pasi Gjykata e Posaçme vendosi të mërkurën që të pranojë kërkesën e SPAK për gjykimin e tij.

Bashkë me Dakon, Gjykata vendosi të dërgojë për gjykim edhe shtatë persona të tjerë të akuzuar për veprat penale të falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës si dhe të pushojë hetimin për njërën prej të akuzuarave.

Ish-kryebashkiaku Dako u arrestua në qershor të vitit 2023 së bashku me pesë zyrtarë të tjerë dhe një ndërtues pas një hetimi të nisur ndaj tij në vitin 2020. Por tetë muaj më pas, Dako u lirua nga qelia për shkak se Prokuroria nuk arriti të përfundojë në kohë hetimet.

Vangjush Dako ishte kryebashkiaku më jetëgjatë i Partisë Socialiste në Durrës, i shpallur i padëshirueshëm nga Departamenti Amerikan i Shtetit me motivacionin e “korrupsionit madhor” në korrik 2019. Ai është akuzuar nga opozita dhe ka rezultuar në përgjime me elementë të krimit të organizuar, të cilët veç narkotrafikut, dyshohet se ndikuan në tjetërsimin e rezultatit të zgjedhjeve në Durrës në vitin 2017.

Megjithatë, Dako u hetua nga SPAK për veprime në kundërshtim me kompetencat e kryetarit të bashkisë në miratimin e lejes së ndërtimit në favor të shoqërisë Fakle sh.p.k, pasi ai dhe zyrtarët e Bashkisë Durrës i përpiluan dokumentet dy vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe banorët banonin në pallatin në fjalë. Hetimi arrin në përfundimin se është bërë legalizimi i një objekti shumëkatësh, të ndërtuar pa leje, ndërkohë që dhe vetë ndërtimi nuk është bërë sipas projektit të paraqitur nga ndërtuesi dhe të miratuar nga bashkia.

Vepra e dytë penale për të cilën prokuroria kërkon gjykimin e Dakos ka të bëjë me një procedurë prokurimi, për shërbim konsulence, sigurimin e një projekti të quajtur “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”. Sipas SPAK, komisioni i ngritur me urdhër të Dakos, ka kryer gabim llogaritjen e fondit limit, me një vlerë gati dhjetë herë më shumë se ajo që duhet të llogaritej në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave.

Ndërsa do të përballet me gjykatën në gjendje të lirë, Dako ka kërkuar gjithashtu që procesi i tij të zhvillohet me gjykim të shkurtuar, ç’ka i mundëson atij uljen e 1/3 së dënimit. E njëjta procedurë do të ndiqet edhe për të pandehurit Fiqiri Farruku dhe Adrian Bulku.

Të pandehurit

Vangjush Dako, i akuzuar për “Shpërdorim detyre”, kryer në bashkëpunim.

Fiqiri Farruku, i akuzuar për “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve”.

Fatmir Ejupi, i akuzuar për “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve”.

Adrian Bulku, i akuzuar për “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve”.

Ferzilet Hajdëri, e akuzuar për “Shpërdorim detyre”.

Adnand Toçila, i akuzuar për “Shpërdorim detyre”, kryer në bashkëpunim.

Diana Dedja, e akuzuar për “Shpërdorim detyre”, kryer në bashkëpunim

Bashkim Salillari, i akuzuar për “Shpërdorim  detyre”, kryer në bashkëpunim

Hanza Reka, e akuzuar për “Shpërdorim detyre”, kryer në bashkëpunim.

Meri Priftuli Semini, është pushuar hetimi.

About Redaksia

Check Also

Berisha për “Antena3 CNN”: Balla mik me Coldea, Agaçi ka firmosur kontratën që Coldea të jetë këshilltar i Ramës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili një javë më parë zbuloi se ish-deputeti …