Zëri i Amerikës: Aleanca për Teatrin dhe mbështetës të opozitës protestë kundër korrupsionit të Veliajt

Aleanca për Teatrin dhe mbështetës të opozitës protestuan sërish sot për të tretën herë, duke kërkuar dorëheqjen e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj.

Ata hodhën lëndë shpërthyese mbi derën e bashkisë, ndërsa oratorët opozitarë kërkonin hetime të thelluara për korrupsionin në bashki.

Disa drejtorë e ish drejtorë janë arrestuar nga SPAK-u nën dyshimet për aferën korruptive të shoqërisë 5D.

Zoti Veliaj është distancuar nga veprimet e drejtorëve, duke theksuar se ai nuk ka nënshkruar asnjë dokument prej nga mund të burojë përvetësim i fondeve publike, dhe se përgjegjësitë e secilit para drejtësisë janë personale.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara reagoi për zhvillimet e sotme përmes një deklarate, ku dënon aktet e dhunës gjatë protestës së sotme pranë Bashkisë së Tiranës.

“E drejta për t’u mbledhur në mënyrë paqësore, për të protestuar dhe për të kërkuar veprim kundër korrupsionit janë të gjitha jetike në çdo demokraci, por nuk ka vend për dhunën e ndërmarrë nga organizatorët. Aktorët politikë të përgjegjshëm duhet të refuzojnë çdo formë dhune. Përshëndesim zyrtarët e forcave të rendit për profesionalizmin e tyre gjatë protestës së sotme”, thuhet në deklaratën e selisë diplomatike amerikane në Tiranë.

Dhunën gjatë kësaj proteste e kanë dënuar edhe përfaqësitë diplomatike të BE-së dhe Britanisë së Madhe.

Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri “dënoi fort dhunën gjatë protestës së sotme në qendër të Tiranës, gjatë së cilës u hodhën mjete piroteknike të improvizuara ndaj godinës së bashkisë”.

Në deklaratën e tij theksohet se “akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë me të drejtën legjitime për protestë paqësore”.

Ambasada britanike “dënoi përdorimin e dhunës dhe aktet e frikësimit”. Ajo deklaroi se “skenat jashtë Bashkisë së Tiranës sot dhe përdorimi i koktejve molotov nuk kanë vend në demokraci”.

Në deklaratë theksohet se Mbretëria e Bashkuar vazhdon të kërkojë që të gjitha mosmarrëveshjet dhe konfliktet të kryhen përmes proceseve demokratike, pa dhunë dhe se duhet respektuar sundimi i ligjit.

Edhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dënoi aktet e dhunës gjatë protestës së sotme përpara Bashkisë së Tiranës.

“Protesta paqësore është akt demokratik legjitim, dhuna jo”, theksohet në reagimin e zyrës së OSBE-së.

Ambasada e Italisë po ashtu “dënoi aktet e dhunës të kryera sot gjatë protestës” së zhvilluar para Bashkisë së kryeqytetit.

“E drejta për t’u organizuar paqësisht e për të protestuar është thelbësore në një shoqëri demokratike, por dhuna ndaj objekteve apo personave nuk është aspak e justifikueshme”, theksohet në reagimin e kësaj ambasade./VOA

About Redaksia

Check Also

Meta: Dumani në shërbim skllavërues ndaj Ramës!

Presidenti i PL-së, Ilir Meta ka akuzuar drejtuesin e SPAK, Altin Dumani dhe prokurorët e …