Zheni Gjergji: Po përpiqen t’i hapin rrugë monopolit të shëndetit riprodhues! Ligji u hartua në fshehtësi 

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësinë, deputetja e PD, Zheni Gjergji, denoncoi sot para mediave projektligjin “Për shëndetin seksual dhe riprodhues” që është hartuar në fshehtësi dhe nga një grup pune që mbahet sekret.

Gjergji theksoi se ky projektligj shkatërron konceptin e familjes dhe vazhdimësisë së jetës, duke shtuar se “një grua sot nuk merr dot asnjë shërbim bazik të ndjekjes së shtatzënisë pa pagesë siç e ka ligji aktual dhe kjo do të vazhdojë të jetë fasadë”.

Sa i përket nënave zëvendësuese për lindjen e fëmijëve, të ashtuquajturave “nëna surrogate”, Gjegji deklaroi se ai do t’i hapë rrugën një abuzimi masiv dhe një skllavërie moderne, që sipas saj, e shndërron Shqipërinë në një laborator të madh kriminal.

“I hartuar në fshehtësi nëpër klinika private që ditën bllokojnë shërbimet publike dhe natën u japin jetë aktiviteteve të pakontrolluara, kjo nismë i hap rrugë monopolist të shëndetit riprodhues, që nëse Ministria e Shëndetësisë të përcaktojë dhe licensojë ekspertët e fushës së riprodhorimit të asistuar me kritere allashqiptarçe duke shkatërruar shërbimet e shëndetit seksual dhe riprodhimit të asistuar.

Grupi i punës mbahet sekret, sepse është në paligjshmëri të plotë duke qenë në konflikt interesi.

Ky projektligj i paraprin edhe shkatërrimit të plotë të konceptit të familjes, të mëmësisë dhe vazhdimësisë së jetës veçanërisht seksit femëror pa një kontroll nga institucionet publike e shëndetësore.

Flitet për mëmësi dhe shtatzëni të sigurt, vetëm në përkufizimet e ligjit nga fundi kuptohet, por ndërkohë një grua shtatzënë sot nuk merr dot asnjë shërbim bazik të ndjekjes së shtatzënisë pa pagesë siç e ka ligji aktual dhe kjo do të vazhdojë të jetë fasadë.

Sa i përket konceptit të surrogacisë, nënës zëvendësuese, ligji ka parashikuar që ky akt do të realizohet përmes një marrëveshje me shkrim përmes palëve, hapësirë ligjore abuzive. Ky akt në vendet ku njihet realizohet nëpërmjet një vendimi gjykate që merret me çështjet civile. Në Evropë, shtetet e fuqishme e kanë të ndaluar pasi prek shtresat e grave në kushte të rënda ekonomike. Kjo marrëveshje i hap rrugë një abuzimi masiv dhe një skllavërie modern duke e shndërruar Shqipërinë në një laborator të madh kriminal”, tha Gjergji.

About Redaksia

Check Also

Proçedohet penalisht Tom Doshi