Zëri i Amerikës: Protestuesit të vendosur, kërkojnë largimin e Erion Veliajt

Në Shqipëri, edhe protesta e sotme e mbështetësve të opozitës para Bashkisë së Tiranës për të kërkuar dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj, u shoqërua me hedhjen e molotovëve drejt hyrjes kryesore të godinës. Përpjekjet e këshilltarëve të opozitës për të hyrë në mjediset e brendshme, u penguan nga forcat e shumta të policisë të rreshtuara rreth ndërtesës. Vala e protestave u nxit nga arrestimet muajin e kaluar të disa drejtorëve dhe ish drejtorëve të Bashkisë, të dyshuar për korrupsion

Hedhja e molotovëve ishte edhe sot pjesë e skenarit të protestës së mbështetësve të opozitës dhe veprimtarëve të Aleancës për Teatrin, ndërsa policia këtë herë, ishte përgatitur duke mbajtur pranë vetes dhe fikse zjarri. Prej katër javësh, çdo të premte, protestuesit përpara godinës së Bashkisë, kërkojnë me forcë dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj si dhe transparencë mbi përdorimin e fondeve publike.

Kërkesa e këshilltarëve të opozitës për një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit bashkiak, apo dhe ngritja e një komisioni mbi financat janë hedhur poshtë nga shumica. “Përfaqësuesit e Erion Velisë në kryesinë e Këshillit bashkiak, i thanë Jo, çdo kërkese të opozitës. Këtë të martë, kanë njoftuar mbledhjen e zakonshme të Këshillit. Jo mor jo! Kërkesa jonë është një dhe vetëm një: Mbledhje jashtë radhe, e jashtëzakonshme e Këshillit, ku të vijë Erion Veliaj e të japë llogari se ku kanë shkuar 30 milionë euro të kompanisë 5D. Ne nuk tërhiqemi nga kjo kërkesë. Ata mund të bëjnë sikur nuk ka ndodhur asgjë, por qytetarët e dinë tani të vërtetën”, deklaroi Dorin Teliti, nënkryetari demokrat i Këshillit bashkiak të Tiranës.

Kjo kërkesë si dhe angazhimi për të mos u tërhequr nga ky aksion, ishte kreyfjala e folësve të ndryshëm, ndërsa tensioni u rikthye pasi këshilltarët e opozitës kërkuan të hyjnë në mjediset e Bashkisë, dyert e së cilës ishin mbyllur, ndërsa përpara qëndronte një gardh i shumëfishtë forcash policie. Pas këtij momenti që zgjati disa minuta, protesta u mbyll.

Javën e shkuar, hedhja e molotovëve të shumtë nga protestuesish, solli reagime të përfaqësive të huaja diplomatike, nga ambasada amerikane te Delegacioni europian, OSBE, si dhe ambasada të tjera të vendeve europiane, të cilat dënuan shfaqjet e dhunës.

Protestat ndaj kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj, u nxitën nga arrestimet e disa drejtorëve dhe ish drejtorëve të rëndësishëm të Bashkisë, të dyshuar se janë të përfshirë në afera korruptive, me fondet publike, përmes kompanisë 5D, të zotëruar prej tyre, nën emrat e personave të tjerë. Me herët është arrestuar dhe drejtori i Punëve Publike Taulant Tusha, në kuadër të hetimeve për inceneratorin e Tiranës. Zoti Veliaj është distancuar prej tyre duke deklaruar se cilido person i përfshirë, duhet të përballet vetë me drejtësinë./ VOA

About Redaksia

Check Also

Doni më për… narcosin e shndërruar në institucion?

Nga Adriana KALAJA Sot, nga tingujt e radios së Syrit, nuk po i besoja veshëve …