Berisha: Nuk ka forcë në botë që të mposhtë revoltën e qytetarëve të lirë!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka paralajmëruar kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, se në protestën para bashkisë do të kapet për zverku dhe do të dërgohet në burgun 313.

Gjatë fjalës në tubimin e përnatshëm, Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve që martën në orën 11:30 të bëhen bashkë për të protestuar tek bashkia e Tiranës. ‘Është koha nesër të bëjmë drejtësi me zemërimin tonë’, theksoi gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Sali Berisha.

Berisha ka akuzuar Erion Veliajn se ka përdorur gruan e tij, për të vendosur skulptura në vendin e krimit monstruoz, ku u vra Ardit Gjoklajn.

Lideri i opozitës Sali Berisha i ka kërkuar dorëheqjen Erion Veliajt, një ditë para protestës qytetare që do të mbahet tek bashkia e Tiranës.

FJALA E PLOTE

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të zjarrta ju qytetarëve të pamposhtur, luftëtarëve të vërtetë të lirisë dhe dinjitetit njerëzor, misionarëve të të vërtetës.

Nesër është një ditë shumë e veçantë.

Nesër mbarë Shqipëria, kombi shqiptar kudo që ndodhet, ka sytë, mendjen dhe zemrën tek veprimi juaj, zemërimi juaj, fitorja juaj në Bashkinë e Tiranës.

Nesër shqiptarët presin që qytetarët e Tiranës të dëshmojnë shqiptarizmin e tyre.

Presin të faktojnë veten si europianë të vërtetë.

Presin që me zemërimin e tyre të çlirojnë Bashkinë e Tiranës, shtëpinë e parë të kryeqytetit nga një bandë hajnash pa asnjë moral, që aplikojnë modelin e vjedhjes 100 përqind të parave të taksapaguesve të Tiranës.

Të dashur miq, nesër është dita e qytetarit.

Është dita e luftëtarëve të lirisë.

Është dita në të cilën Erion Veliaj kapet për zverku dhe dërgohet në 313-ën.

Nesër është dita që qytetarët marrin në dorë fatin e tyre, fatin e bashkisë, fatin e Tiranës, fatin e Shqipërisë.

Çdo orë që kalon, Erion Veliaj nuk e meriton gjetiu përveçse në qelinë e burgut.

Ky bandit, ky hajdut i zhveshur nga çdo moral njerëzor përdori të shoqen për të vendosur në vendin e krimit monstruoz, në vendin e groposjes të një adoleshenti, Ardit Gjoklaj, në vendin e vjedhjes së 130 milionë eurove, për të vendosur skulptura që qytetarët të harronin krimin e shëmtuar, të harronin vjedhjen e shekullit.

A ka akt më cinik dhe më të poshtër se ky?

Miq, për zverku drejt te 313-a, aty e ka vendin.

Aty e ka vendin bashkë me hajnat e tjerë.

Nesër është dita t’u tregojmë shqiptarëve se mori fund koha kur qeveritarët na poshtëronin me vjedhjet e tyre.

Se mori fund koha kur qytetarët na përzinin nga vendi me vjedhjet e tyre.

Se mori fund koha kur ata përdornin drejtësinë si mburojë të shëmtuar të krimeve të tyre.

Qytetarë, nesër është një ditë e veçantë sepse beteja kundër vjedhjes së Erion Veliajt dhe bandës së tij është betejë për rritjen e rrogave tuaja.

Vetëm me paratë e zhdukura të djegësit, shqiptarët do merrnin sot 15 përqind më shumë rroga.

Dhe këto vetëm me paratë e zhdukura gjer në vitin 2021.

Se nga viti 2021 deri në vitin 2024, Dumani, ky mercenar që ndan para krimi me qeveritarët, nuk i ka futur në llogari fare, sikur të ishin paratë personale të tij apo të Erion Veliajt.

Nesër është dita për çdo student dhe studente, për çdo të ri dhe të re, të ngrihet në lartësinë e guximit për idealin e tij të pastër, për ëndrrën e tij më të bukur.

Por edhe për dinjitetin e tij si shqiptar.

Krenarinë e tij si shqiptar.

Nuk kemi pse të tregohemi me gisht si vendi ku paratë vidhen 100 përqind.

Si vendi ku 130 milionë euro janë zhdukur pa nam e nishan për një djegës, gjurmët e të cilit nuk ekzistojnë.

Është koha nesër të bëjmë drejtësi me zemërimin tonë të firmosim largimin e hajnave.

Rritjen e pensioneve.

Është koha të bëjmë drejtësinë.

Të firmosim që në spitalet tona të mjekohemi si njerëz, siç e meritojmë.

Është koha të këpusim me fuqinë tonë zinxhirin e kësaj vjedhje të tmerrshme që po shfaros shqiptarët.

Ndaj dhe nesër, në ora 11.30, të gjithë te bashkia për shpëtimin e shtëpisë së parë të Tiranës.

Qytetarë dhe qytetare, shqiptarët në të katër anët e dheut presin nga ju çlirimin e bashkisë.

Presin nga ju betejën epike, fitoren historike mbi këto klane mafioze.

Presin të marrim fatin në duart tonë dhe të mos presim nga askush tjetër përveçse nga guximi ynë, nga zemërimi ynë, nga veprimi ynë.

Ndaj dhe nesër do të jetë dita e gjyqit popullor, e gjyqit qytetar ndaj armiqve të shqiptarëve.

Ndaj atyre që po shtypin qytetarët e këtij vendi me tiraninë e varfërisë.

Me sëmundjet e pamjekuara.

Me dhunën dhe terrorin policesk.

Me drejtësinë e mohuar.

Me drejtësinë falso, të mashtrimit, të mburojës së krimeve të qeveritarëve.

Kohë si kjo është koha e guximtarëve.

Koha e shqiptarit.

Koha e atyre që i thonë vetes shqiptarë.

Ndaj dhe ne të vazhdojmë.

Erion Veliaj, mos prit te bashkia po ik menjëherë, njofto dorëheqjen.

Njofto dorëheqjen se nuk ka forcë në botë që të mban ty më në të atë zyrë.

Se nuk ka forcë në botë që të mposhtë fuqinë, zemërimin, revoltën, veprimin e qytetarëve të lirë.

Ndaj dhe thirrja ime, të bashkohemi së bashku me çdo njërin prej atyre që pretendon që e ndjen veten se është opozitar.

Beteja është prova që ndan të vërtetën nga mashtrimi.

Beteja është prova që ndan fitoren nga dështimi.

Ndaj dhe ne nesër firmosim fitoren.

Nesër firmosim çlirimin e bashkisë.

Nesër firmosim triumfin e Tiranës, kryeqendrës së kombit, trurit dhe zemrës së tij.

Edhe njëherë ju përshëndes përzemërsisht dhe ju ftoj, ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës të bashkohen nesër në betejën e fitores, betejën e çlirimit, betejën e shpëtimit të bashkisë së Tiranës dhe të Shqipërisë.

Faleminderit.

Fitore, fitore, fitore!

About Redaksia

Check Also

Nikolla u dorëhoq, apo e larguan?

Lindita Nikolla ka njoftuar se do të largohet pas pas tre vitesh nga posti i …