Zhupa: Bylisi një rast flagrant se si tjetërsohen paratë e dhëna nga BE

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ka mbajtur në Tiranë një dëgjesë publike për planin e menaxhimit të Bylisit dhe Klosit financuar nga BE, dy zona arkeologjike që parashihet të administrohen me fondacion pavarësisht një propozimi të parë, që sugjeronte menaxhim shtetëror. Zëvendës ministrja e Kulturës, Lira Pipa tha se plani synon zhvillimin e infrastrukturës me qëllim promovimin. Ndërkaq, shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin Europian, Hubert Perr theksoi se dëgjesa e opinioneve dhe e shqetësimeve ashtu si integrimi dhe dalja me një zgjidhje, është shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe Bashkimin Europian. Dhe kritikat nuk munguan, duke nisur nga deputetja e opozitës Ina Zhupa.

“Bylisi ka një rast flagrant sesi tjetërsohen paratë e dhëna nga BE. Ka 900 mijë euro te harxhuara ne rroga, udhëtime, zyra. Ndërkohë janë gati 6 milionë euro për ta nxjerrë Bylisin në pah e për ta bërë një nga pikat me atraktive të Shqipërisë. Por, të përgatisësh dosjen e Bylisit e të mos kesh një fjalë për ta bërë pjesë të Unesco? Kjo tregon se nuk synon njohjen ndërkombëtare të tij”, pohoi Ina Zhupa.

Ndërsa e krahasoi me menaxhimin e Butrintit, formula e menaxhimit me fondacion u kritikua dh nga eksperti i trashëgimisë, Auron Tare. “Kam një pikëpyetje të madhe se si me atë kontribut financiar, kemi plan menaxhim të cektë dhe të mangët. Fakti që ju vini e propozoni një menaxhim të drejtpërdrejtë, pa e argumentuar. Përshembull, modelet që sillni ju, si ai i Stonehenge është model i dështuar”, tha Tare.

Arkeologu Neritan Ceka, që është edhe një nga autorët e planit të menaxhimit, pati dy qëndrime, kontradiktore. Një në fillim si autor i planit dhe një në fund ku e kritikoi planin dhe paralajmëroi bojkot. “Puna që do paraqitet nga kolegu, është bërë përveç meje nga një ekip që kanë bërë 7 nga 9 kapitujt e këtij dokumenti që është publikuar nga Ministria e Kulturës”, -tha ai në fillimin. Ndërsa në fund shtoi; “Unë me këtë lloj plani menaxhimi të jeni të sigurt se arkeologët shqiptarë nuk bashkëpunojnë dhe po ua them në mënyrë përfundimtare”. Fokusi i takimit shkoi për Bylisin duke e lënë disi në hije Klosin dhe të ardhmen e tij.

About Redaksia

Check Also

Proçedohet penalisht Tom Doshi