Shpëton nga kthetrat e Veliajt një tjetër pallat në Kombinat

Gjykata ka shpëtuar nga shembja një tjetër pallat në zonën e Kombinatit në kryeqytet, duke rrëzuar vendimet e Bashkisë së Tiranë të drejtuar nga Erion Veliaj.

Pallati me nr.97 në rrugën “Llazi Miho” ishte shpallur i pabanueshëm nga bashkia e Tiranës, për shkak të dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Por gjykata administrative e Shkallës së Parë në Tiranë në një vendim të marrë ditën e premte vendosi të shfuqizojë vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Sipas “Res Publices”, organizatë e cila ka asistuar juridikisht procesin e pallatit nr.97 në gjykatë, edhe në këtë rast “u shfaq e njëjta praktikë nga ana e Bashkisë Tiranë, Këshillit Bashkiak dhe Institutit të Ndërtimit, ku akt ekspertiza e manipuluar paraqiste një dëmtim shumë herë më të madh nga tërmeti i vitit 2019”.

Referuar vendimit të gjykatës, akt ekspertiza e thelluar është porositur dhe kryer nga bashkia Tiranë pa u orientuar nga një akt konstatimi paraprak për vlerësimin e pallateve të dëmtuara.

Sipas aktit të ekspertes të caktuar nga gjykata rezulton mes të tjerash se shkalla e dëmtimit nuk është DS4 sikurse është përcaktuar në vendimin e këshillit bashkiak të Tiranës, por është DS3 që ka të bëjë vetëm me plasaritje të suvasë, prezencë të lagështirës e dëmtime të mbulimit të shkallëve.

Për shkallën e dëmtimit DS4, sipas nenit 34 të aktit normativ numër 9/2019 të miratuar për përballimin e pasojave të tërmetit, nëse ndërhyrjet për riparimin e strukturës së godinës kushtojnë më shumë se 70% e kostos së rindërtimit nga e para të godinës, atëherë autoriteti përgjegjës vendos shembjen e detyruara të këtij objekti.

Sipas akt ekspertizës të kryer nga ekspertja e caktuar nga gjykata, raporti mes vlerës së riparimit dhe ndërtimit është nën 70%.

“Raporti mes vlerës së riparimit dhe të rindërtimit varion në disa variante, sipas kërkesave të bëra nga pala e paditur, mes vlerave: 47,13 %; 47,13 %; 39,37 % Në çdo rast nën 70 %”,-thuhet në akt ekspertizën e kryer nga ekspertja e caktuar nga gjykata.

Parregullsi të tjera janë venë re edhe në kostot e riparimit të pallatit.

“Në koston e riparimit të pallatit është shtuar qëllimisht duke shtuar kosto e TVSH, prej 20% dhe e fondit rezervë 3 %, ndërsa në vlerësimin e prishjes së pallatit këto kosto nuk janë përfshirë, ndërkoh që procesi i rindërtimit është i përjashtuar nga pagesat e TVSH. Kosto e prishjes nuk është përfshirë në kosto të rindërtimit nga e para, ndërkoh që këto janë shpenzime të detyrueshme që do të kryhen në rast të rindërtimit, për shkak të ekzistencës së pallatit në sheshin eventual të ndërtimit. Kosto të tjera si rrjeti inxhinierik; projektit; studimit gjeologjik; leje e ndërtimit, trualli, nuk janë përfshirë në koston e prishjes së kryer nga të paditurit”, -thuhet në gjykim.

Sipas avokates Irena Dule, kjo është çështja e dhjetë që është fituar në gjykatë kundër vendimeve të Këshillit Bashkiak Tiranë, ndërsa janë edhe gjashtë çështje të tjera në proces të ndjekura nga Qendra Res Publica.

Pas përfundimit të gjykimit oponencat teknike të Institutit të Ndërtimit dhe vendimet e Këshillit Bashkiak Tiranë janë shfuqizuar si akte të paligjshme, mes tyre renditen:

·       VKB nr. 105, dt. 28.09.2020;

·       VKB nr. 106, dt. 28.09.2020;

·       VKB nr. 107, dt. 28.09.2020;

·       VKB nr. 117, dt. 28.09.2020;

·       VKB nr. 121, dt. 28.09.2020;

·       VKB nr. 157, dt. 24.11.2021.

·       VKB nr 154, dt 24.11.2021

Në qershor 2022, Gjykata Administrative rrëzoi vendimin e këshillit bashkiak të Tiranës të datës 28 shtator 2020, që përcaktonte shembjen e pallateve 141 dhe 153 në zonën e Kombinatit.

Në nëntor 2022, u rrëzua vendimi nr.157 i 24 nëntorit 2021 të këshillit bashkiak të Tiranës që përcaktonte shembjen e dy pallateve, godinës 1 dhe 21 në Kombinat.

Ndërsa proceset gjyqësore vijojnë, katër vite pas tërmetit banorët e pallateve të shembura në Kombinat vijojnë të jenë në pritje të shtëpive të reja. Edhe pse në vendin ku ishin pallatet e tyre nuk janë pastruar ende inertet. Ata vijojnë të lëvizin nga një shtëpi me qira në tjetrën, ndërsa nga bashkia Tiranë kanë përfituar vetëm 18.000 lekë bonus qiraje, shifër e cila nuk përputhet as me shifrën reale të qirave në kryeqytet. /Citizens

About Redaksia

Check Also

Veliaj shantazhon gazetaren pse i publikoi aferat korruptive

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shantazhon gazetaren që ka publikuar fakte të shumta …