Olsi Rama frikë nga hetimi për kokainën në “Xibrakë”, padit sërish Bardhin

Vëllai i kryeministrit, Olsi Rama ka depozituar sot një kallëzim në SPAK ndaj kryetarit të grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, lidhur me kallëzimin e bërë nga ky i fundit për implikimin e tij në trafikun e drogës në laboratorin e Xibrakës.

Në kallëzimin e dytë të Olsi Ramës, ai i referohet një statusi të Gazment Bardhit në 8 maj, ku kreu i grupit të PD-së thotë se SPAK e ka njoftuar zyrtarisht për rinisjen e hetimeve.

Ai ka kërkuar nga Prokuroria e Posaçme që ndaj Gazment Bardhit të nisë procedimi penal për kallëzim të rremë, lidhur me deklaratat e tij për çështjen e Xibrakës.

“Në cilësinë e kallëzuesit, unë Ols Rama, jam vënë në dijeni për një deklaratë publike të shfaqur në median online ndaj personit tim, të bërë nga një deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, i kallëzuari Gazment Bardhi. Për shkak se ky veprim i tij lidhet me deklarata të mëparshme ndaj meje të cilat, në vlerësimin tim, në tërësinë e tyre përmbajnë elementët e veprës penale të “Kallëzimit të rremë”, të parashikuar nga neni 305 i Kodit Penal, dhe më cenojnë pikësëpari mua si person duke më dhënë cilësinë e viktimës së veprës penale, bazuar në nenet 58 e 283 të Kodit të Procedurës Penale, paraqes këtë kallëzim penal me shkrim”, thuhet në dokumentin e depozituar.

Ndërsa shton: “Kërkoj regjistrimin e procedimit penal në ngarkim të z. Gazment Bardhi, deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, për kryerjen e veprës penale të “Kallëzimit të rremë, të parashikuar nga neni 305 i Kodit Penal. 2. Marrjen e akteve të materialit të kallëzimit penal nr. 68, datë 9.4.2024, të regjistruar nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit Tiranë, sipas rregullave të parashikuara nga neni 191 i Kodit të Procedurës Penale, për shkak se i shërbejnë këtij kallëzimi të ri penal.”

About Redaksia

Check Also

Nikolla u dorëhoq, apo e larguan?

Lindita Nikolla ka njoftuar se do të largohet pas pas tre vitesh nga posti i …