Kur halli yt dhe prioritetet e mikut nuk përputhen…

Nga Gent STRAZIMIRI

Një maksi-operacion i policive të Belgjikës, Francës dhe Holandës përmes zbërthimit të aplikacionit Sky/ECC, nxori në pah provat edhe për funksionimin e mafia-s shqiptare dhe lidhjeve të saj me politikën.

Janë njerëzit më të afërt e me kontakt personal, publik me kryeministrin e vendit.

Nga 9 marsi 2021 kur operacioni filloi në Belgjikë, u deshën 3 vjet e gjysëm që të vepronte SPAK, struktura anti-mafia e Shqipërisë, duke lëshuar 50 urdhër-arreste nga 16.800 përdorues shqiptarë që ishin pjesë e aplikacionit.

Asgjë e re nga 50 emrat e listuar…

As për ne e as për miqtë ambasadorë e partnerë që u shërbejnë vendeve mike në Tiranë.

Janë të gjithë krerë të familjeve kriminale, të mirënjohur publikisht për aktivitetin kriminal publik por, edhe për aktivitetin politik, po ashtu publik, që nga viti 2013 në krah të Edi Ramës.

Rasti mbase më ilustrues është ai i Arben Ndokës, i dënuar për prostitucion në Itali dhe me dënimin e vuajtur në Shqipëri, i cili ishte kontributori kryesor i “1 milion shuplakave” që sollën në pushtet Edi Ramën në vitin 2013.

Në korrik të vitit 2014 kur e denoncova në seancën parlamentare, pas sulmit fizik të koordinuar që pasoi, u dënova nga Byroja e Kuvendit “për dhunë verbale” në seancën plenare.

Vendimi në fakt citonte qëndrimin e Edi Ramës pak minuta pas sulmit në një sallë parlamenti pa prezencën e opozitës e cila nisi në atë moment një bojkot që do të zgjaste 6 muaj.

Atë ditë u artikulua për herë të parë nevoja për dekriminalizimin e institucioneve shtetërore, duke nisur nga parlamenti, në të cilin ishin ulur 19 deputetë, të gjithë të rekrutuar nga Edi Rama e të kandiduar me firmën e tij, në listat e tij, në zgjedhjet e vitit 2013.

Kjo u kthye dhe në kërkesën kryesore të opozitës, si një kusht i panegociueshëm për t’u rikthyer në Kuvend.

Po cili ishte qëndrimi i miqve, ambasadorëve e diplomatëve të akredituar në Tiranl?

Fillimisht heshtje! Asnjë fjalë sado e thatë, lakonike apo diplomatike, ZERO REAGIM…

Ngjarja thjeshtë nuk kishte ndodhur!

Dy muaj më vonë në vjeshtë 2014 ambasadori i OSBE në Tiranë Florian Rauning, në raportin drejtuar qendrës e raportonte ngjarjen si një konflikt fizik banal mes deputetëve, pas një debati të ndezur në seancë.

Propozonte miratimin e një Kodi Etike të Kuvendit, që të disiplinonte mënyrën e të sjellurit e të komunikimit mes deputetëve…

Asnjë fjalë për faktin që Ndoka ishte i dënuar nga drejtësia italiane, e që si ai në Kuvend ndodheshin edhe 18 individë të tjerë…

Iu përgjigja publikisht në atë kohë, duke e pyetur se përse propozonte si “zgjidhje” një Kod Etike, për një situatë që në çdo vend evropian e zgjidh Kodi Penal dhe ligjet e shkruara e të pashkruara të shoqërisë…

Sigurisht përsëri asnjë reagim!

Pak ditë më vonë, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, u shfaq publikisht për një vizitë pikërisht në Lezhë, në territorin më të kriminalizuar të Shqipërisë, i buzëqeshur e duke pozuar në krah të Arben Ndokës, ç’ka e përsëriti sa herë mundi me secilin prej deputetëve të Edi Ramës menjëherë pasi denoncohej publikisht prej nesh, me dokumenta e fakte publike…
Asnjë fjalë për kriminalizimin që po kapte çdo zyre e sektor nëpër bashkitë e vendit, në OSSHE, Ujësjellësa, duke emëruar drejtues, kriminelë të njohur publikisht, të dënuar për krime në Evropë e që shfaqeshin nëpër inaugurime e shtabe elektorale përkrah kryeministrit të vendit…

Jo!

Në këtë pikë të hallit ama, një këshillë ua dha shqiptarëve, si mik: lini duhanin se ju dëmton shëndetin…

E bëri i rrethuar nga deputetët e zyrtarët kriminelë të Edi Ramës, faqe gjithë popullit që prej tij priste t’i qante hallin…

Por halli i popullit nuk përputhej me prioritetin e mikut, e ky nuk është faji i mikut!

Në kulturën tonë, miku ka gjithmonë të drejtë dhe ti ke detyrimin ta llastosh e të bësh gjithçka që të largohet me mbresat të pashlyeshme, pavarësisht se ç’hall ke!

Halli që ke ti, nuk është punë e mikut! Hallin tënd ti e zgjidh vetë!

Por ti hallin e le pazgjidhur se e prisje nga miku, e halli i pazgjidhur vazhdoi të të mblidhet kular në fyt.

Në 2015 kur ligji i dekriminalizimit po bëhej fakt, Arben Ndoka dorëzoi mandatin së bashku me një letër mirënjohje për Edi Ramën, shkruar nga një penë rurale që e përshkruante si një “Zhan Valzhan” që në adoleshencë kishte patur një “lapsus”…

Në vitin 2016 ama, po Edi Rama e emëron Drejtues Politik të PS për Qarkun Lezhë…

Përpjekjet e opozitës për ta dënuar penalisht atë dhe të tjerët, rezultuan të pasuksesshme në Gjykatën e Lartë!

Vendimi?

Me dy fjalë: Çështja nuk ekziston!

Trupa kishte në përbërjen e saj as më shumë e as më pak se… Ardian Dvoranin…

Vitet rodhën dhe Ndoka u zëvendësua nga Ndreca e Rraja të cilët, njësoj, së bashku me familjen janë pjesë bandës që përdorte Sky/ECC ashtu sikurse “fituesit” e zgjedhjeve fiks me aq sa ç’e ka “parashikuar” Edi Rama 24 orë para votimit…

Provat për aktivitetin e tyre kriminal erdhën nga Belgjika, Franca e Holanda!

SPAK duhej vetëm t’i arrestonte, por kjo nuk ndodhi.

SPAK pasi i lajmëroi se ka në dorë materialet për 16.800 kriminelë shqiptarë që kanë përdorur aplikacionin, priti mbi 3 vjet që të merrnin masat e “të mbyllnin ca punë” për vete dhe Edi Ramën, e të largoheshin për në Dubai…

Ndërsa miqtë nuk reshtin së lavdëruari SPAK-un, së dekoruari Ardian Dvoranin e së inkurajuari shefin, rekrutuesin, mbrojtësin publikisht të Ndokave, Rrajave, Ndrecave, Avdylajve, Bamëve, Shullazëve, për të vazhduar në këtë rrugë…

“Miku është budallë” thoshte një dibrane e mençur, plakë fisnike që vinte shpesh për të bujt në shtëpinë time kur isha i vogël.

Dhe vazhdonte “miku nuk don me dit ça halli ke, e si i ke punët…. Vjen në derë dhe me “a don miq o i zoti i shpisë”, i ka thanë të gjitha…”

E kujtoj sa herë kur televizionet japin lajm të parë, të dytë e të tretë, prioritetet e miqve e partnerëve të akredituar në Tiranë…

Të gjithë këta janë halli ynë e jo halli i mikut a i miqve.

Miku le të vazhdojë të jetë “budallë” siç i takon, e “budallës” nuk i lihen në dorë hallet e tua.

Në këtë traditën tonë të mrekullueshme, thuhet edhe se halli nuk është më hall kur e din kush ta shkakton…

Halli zgjidhet!

E zgjidh vetë, e mbetesh i mirë e me faqe të bardhë edhe me mikun… nëse je shpi e mirë…

Kaq!

About Redaksia

Check Also

Nikolla u dorëhoq, apo e larguan?

Lindita Nikolla ka njoftuar se do të largohet pas pas tre vitesh nga posti i …