Sondazhi, 68% e shqiptarëve, të pasigurtë për jetën nga krimi, 38% duan të iki nga vendi

Anketa vjetore e opinionit publik “Besimi në Qeverisje 2023” e “IDM”

Pasiguria e qytetarëve në jetën e përditshme është rritur po ashtu. 67.6% e qytetarëve të anketuar thonë se nuk ndjehen të sigurtë në jetën e përditshme, me një rritje të ndjeshme prej 8 pikë përqindje nga niveli 59.3% në 2022. Të anketuarit pohuan se tre arsyet kryesore të pasigurisë janë kriminaliteti, shëndetësia pa cilësi e standarte, dhe pasiguria e vendit të punës. Pjesa tjetër, 32.4%, thanë se ndjeheshin të sigurt.

Në vitin 2023, 38.3% e të anketuarve pohuan se dëshirojnë të largohen nga vendi për të emigruar, afërsisht po aq sa edhe në vitin 2022. Shumica e tyre janë të rinj, 18-25 vjeçarë dhe studentë. Ndër arsyet kryesore të dëshirës për të shkuar në një shtet tjetër ata renditin punësimin, paga më të mira, mundësi më të mira arsimimi dhe mjekimi si dhe bashkimin me pjesëtarët e tjerë të familjes. Vetëm 5.5% e të anketuarve deklarojnë se duan të zhvendosen në zona të tjera brenda vendit. Pjesa tjetër (56.2%) e të anketuarve thanë se nuk po planifikojnë të largohen nga vendbanimi i tyre.

“Gjetjet janë një reflektim shumë i mirë i gjendjes sociale politike dhe ekonomike të vendit. Fakti që shprehet një nevojë kaq të lartë për të emigruar, arsyetuar për punësim dhe arsim më të mirë, tregon se qytetarët nuk po i gjejnë më këto nevoja, shërbime dhe pritshmëritë e tyre. Veçanërisht pjesa politike në vend është ajo që vlerësohet më pak edhe për nga besimi, korruspioni, pjesëmarrjen e ulët të qytetarëve në vendimmarrje etj. Të gjithë treguesit ndikohen nga situata politike në vend”, thotë zonja Kuçi për Zërin e Amerikës.

Pjesëmarrja e qytetarëve në konsultime dhe tubime ka mbetur e ulët apo ka rënë më tej. Të anketuarit theksuan se fushat më të rëndësishme që duhen trajtuar me përparësi nga qeveria ne 5 vitet e ardhshme janë kujdesi shëndetësor (54%) dhe arsimi (38%), pasuar nga turizmi, infrastruktura e transportit dhe bujqësia. Vetëm një pakicë e tyre (10.9%) pohuan se ishin ftuar në proceset e konsultimit të qeverisë qendrore, dhe vetëm një pakicë (18.5%) kishin marrë ftesa për konsultime në nivel vendor, ndërsa pjesëmarrja aktuale ka mbetur vazhdimisht e ulët gjatë viteve, nën 25% e qytetarëve. Pjesëmarrja e tyre në një demonstratë / tubim apo nënshkrim peticioni ra në 25.2% në 2023, kundrejt 32.2% një vit më parë.

Vetëm katër nga dhjetë qytetarë (39.3%) thanë se ishin të kënaqur ose shumë të kënaqur me ofrimin e shërbimeve publike bazë. Pakënaqësitë më të mëdha lidhen me shërbimet gjyqësore, me transportin publik dhe shërbimin policor, ndërsa vlerësime më të larta kanë marrë furnizimi me ujë (47.2%), shërbimi i pastrimit (47.3%), arsimi (46.2%) dhe shërbimet shëndetësore publike (44%). Shumica dërrmuese e të anketuarve (90.7%) mendojnë se mbrojtja e të dhënave personale është e rëndësishme ose shumë e rëndësishme, por vetëm një e treta e tyre (35%) besojnë në aftësinë e aktorëve publikë për të menaxhuar të dhënat personale elektronike dhe më akoma më pak prej tyre (30.8%) pohuan të njëjtën gjë për sektorin privat.

Anketa “Besimi në Qeverisje” vëren se opinioni publik po ndikohet nga përparimi në procesin integrues në BE, ndërsa autorët pohojnë se korrupsioni vazhdon të jetë një sfidë, dhe shumica e përgjigjeve nga qytetarët janë nxitur prej hapave të ndërmarra për ta luftuar atë, krahas hetimeve penale, ku janë përfshirë zyrtarë të të lartë si ish-ministra dhe deputetë.

About Krye Redaktor

Check Also

“Kam 10 vite pa fjetur në krevat”, Pareshqevi Simaku u gjet duke fjetur mbi valixhe

Elvira Tata, gruaja që gjeti në rrugët e Amerikës ikonën e muzikës shqiptare, Parashqevi Simakun, …