Sondazhi, 81.5% e shqiptarëve: Qeveri e korruptuar, 63% nuk besojnë tek prokurorët

Anketa IDM, 1
Anketa IDM, 1

Anketa vjetore e opinionit publik “Besimi në Qeverisje 2023”, zhvilluar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në të 61 bashkitë e Shqipërisë, zbuloi se shumica e pjesëmarrësve (81.5%) e vlerësojnë korrupsionin e madh si “të përhapur” ose “shumë të përhapur”, duke shënuar një rritje me 4.8 pikë në krahasim me vitin 2022.

Vetëm 15.6% e qytetarëve e shohin atë “jo të përhapur” ose “aspak të përhapur”. Rritje ka shënuar edhe mosbesimi ndaj prokurorisë. Një pjesë e madhe e të anketuarve (62.8%) nuk besojnë tek aftësia e prokurorisë për të trajtuar rastet e korrupsionit të madh, ose shprehin 5.9 për qind më shumë mosbesim nga një vit më parë, kur ky tregues ishte 56.9%.

Anketa IDM, 2
Anketa IDM, 2

Një shumicë po aq e madhe (81.3%) e tyre vlerësojnë korrupsionin e vogël si “të përhapur” ose “shumë të përhapur”. Vetëm 16.2% që e konsiderojnë atë “jo të përhapur” ose “aspak të përhapur”. Ndërsa 56.8% e tyre shprehën mungesë besimi tek prokuroria, se ajo mund të ndjekë në mënyrë të efektshme rastet e korrupsionit të vogël. Gjithsesi besimi është rritur me 9 % nga viti 2022, kur mosbesimi ishte 65.8%.

Nga bashkimi i të dhënave doli që tetë në dhjetë shqiptarë besojnë se korrupsioni i vogël dhe i madh është i përhapur dhe shumë i përhapur në vend. Sipas tyre, institucionet më të korruptuara në vitin 2023 janë drejtësia (17.5%), shëndetësia (14.8%) dhe policia (7.2%).

Besjana Kuçi një nga autoret e studimit, thotë për Zërin e Amerikës se vijon tendenca disavjeçare e perceptimit shumë të lartë nga publiku mbi përhapjen e korrupsionit, dhe se për të kuptuar shkaqet e këtyre treguesve, duhen studiuar shumë zhvillime sociale e politike në vend.

“Ne si shoqëri e kemi përforcuar në nivele të ndryshme dukurinë e korrupsionit në raport me institucionet. Mesatarja ndër vite është mbi 77 për qind e të anketuarve. Zhvillimet politike nuk kanë ndikuar pozitivisht për të mbajtur larg këtë dukuri nga proceset qeverisëse në vend”, thotë zonja Kuçi.

Megjithë këtë perceptim të lartë mbi përhapjen e korrupsionit, vetëm 14.7% e anketuarve pohuan se ishin dëshmitarë në rastet e korrupsionit të qeverisjes qendrore dhe 21.6% e tyre thonë se ishin dëshmitarë në korrupsion të qeverisjes vendore.

Gjatë kësaj ankete pohuan se kanë dhënë ryshfet për të marrë shërbime një e treta e qytetarëve (29.8%) tek zyrtarët e qeverisjes qendrore dhe po aq qytetarë për zyrtarë të qeverisjes vendore. Ndër arsyet për dhënien e ryshfetit më shumë se gjysma e qytetarëve (57.8%) pohuan se ryshfeti u ishte kërkuar, pjesa tjetër (21.7%) thanë se paguan për të marrë shërbime më të mira herën tjetër, ndërsa të tjerë (14.8%) se paguan si mirënjohje për shërbimet e marra. Vetëm një pakicë (10.9%) e atyre që paguan ryshfete, e raportuan atë tek autoritetet. Një pjesë e madhe (39%) e atyre që nuk e raportuan, thanë se e shohin ryshfetin si praktikë të zakonshme, të tjerët (32.2%) e mendonin denoncimin si të padobishëm dhe më pak (8.3%) thanë se kishin frikë nga hakmarrja.

Institucionet më pak të besuara në Shqipëri gjatë vitit 2023 janë partitë politike (25.5%), parlamenti (29.1%), gjykatat (33.4%), madje me një rënie nga 3-5 pikë krahasuar me një vit më parë. Po ashtu, besimi i publikut te presidenti ka rënë me 6 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë.

Organet e drejtësisë shfaqen në këtë anketë me pamje të kundërta; gjykatat (33.4%) dhe prokuroria (33.7%) renditen si institucionet më pak të besuara për qytetarët. Por nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit – SPAK (60.3%) renditet ndër institucionet më shumë të besuara, madje shënoi një rritje të konsiderueshme prej 10 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë. Më shumë se gjysma e të anketuarve (50.2%) pohojnë se sistemi i reformuar i drejtësisë po jep ndihmesë pozitive në zhvillimin e vendit, ndërsa në krahun tjetër, një pjesë e konsiderueshme (44.9%) e qytetarëve nuk janë dakord me këtë pohim.

“SPAK-u sërish në këtë anketë konfirmohet si një nga instutucionet ku qytetarët kanë më shumë besim në efektivitetin e punës së tij në luftën kundër korrupsionit. Besoj se në këtë vlerësim pozitiv kanë ndikuar edhe hetimet mbi korrupsionit të nivelit të lartë, që ka ndjekur SPAK-u vitin e kaluar e në vazhdim”, tha zonja Kuçi e IDM-së.

Të anketuarit renditin si institucionet më shumë të besuara organizatat ndërkombëtare si NATO (76.7%), OKB (74.3%) dhe BE (74.7%), dhe më pas vijnë institucionet fetare vendase (67%), si dhe organizatat e shoqërisë civile (55.7%).

Ashtu si renditën ndër organet më pak të besuara, të anketuarit cilësojnë gjykatat (35.5%) dhe prokurorinë (35.3%) si institucionet më të ndikuara politikisht nga gjithë të tjerët ndonëse me një përmirësim në krahasim me vitin 2022 (përkatësisht 41.8% dhe 38.6% e të anketuarve). Perceptimi sa i takon ndikimit prej politikës është përmirësuar gjatë 2023 karahasuar me një vit më parë në të gjitha institucionet, por ndryshimet më të mëdha u shënuan tek mediat (-9 pikë), SPAK-u (-8 pikë) dhe gjykatat (-7 pikë).

Afro 60 për qind e shqiptarëve të anketuar mendojnë se qeveria qendrore dhe ajo vendore kanë mungesa në transparencë e llogaridhënie. Pjesa më e madhe tyre mendojnë se organizatat ndërkombëtare i kërkojnë llogari qeverisë më shumë se sa institucionet vendase. Kontrolli i Lartë i Shtetit (58.6%) dhe parlamenti (49.5%) cilësohen si institucionet vendase më të efektshme për llogaridhënien e qeverisë, ndonëse me një rënie të konsiderueshme një vit më parë (përkatësisht -5 dhe -9 pikë).

About Krye Redaktor

Check Also

Kërcënimi mafioz i Ramës për Ahmetajn: Po fole…

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj do të flasë sërish nga arratia. Gazetari Çim Peka ka publikuar disa …