Pedagogu Edvin Cami: Është e qartë pse lideri i opozitës mbahet në arrest si në komunizëm!

Pedagogu Edvin Cami ka qenë i pranishëm sot në tubimin qytetar në mbështetje të liderit të opozitës shqiptare, Sali Berisha, i cili mbahet në arrest politik prej 30 dhjetorit 2023. Në fjalën e tij pedagogu Cami ka kujtuar Revoltën e të burgosurve politikë të Spaçit, të cilët u ngritën kundër regjimit komunist në një revoltë mbresëlënëse dhe frymëzuese.

Cami hoqi paralelizmin mes periudhës së diktaturës dhe ditëve të sotme, ku është e njëjta parti e cila ka rikthyer Shqipërinë në vitët e para ’90-ës. Ai theksoi se Partia Socialiste, si trashëgimtare e Partisë Komuniste nuk ka njohur kurrë legjitimitet të asnjë force tjetër politike për shkak të trashëgimisë dhe mendësisë së saj.

Fjala e plotë e Edvin Camit

Para dy ditësh pata fatin të shoqëroja të rinjtë e departamentit “Brain Gain” në një takim në Mirditë, në përkujtim të Kryengritjes së Spaçit. Një histori mbresëlënëse e frymëzuese, në të cilën të dënuarit e ndërgjegjes, opozita e burgosur e këtij vendi, u ngritën dhe u përballën me duar e me dhëmbë, të paarmatosur dhe duke kënduar, me organet e dhunës së regjimit më të egër socialist të Evropës. Ata e çliruan territorin e tyre nga diktatura dhe ngritën flamurin kombëtar pa yll, ndërsa ne, që nuk dinim asgjë për ta dhe që mendonim se ata ishin të burgosur dhe ne ishim të lirë, pas vitit 1990 mësuam se, në fakt, ata kishin qenë të lirë dhe ne kishim qenë të burgosur.

E përballë kësaj historie heroike, më duhet t’ju sjell ndërmend se pas më pak se një muaji do të na servirin të kujtojmë një histori komike. Me siguri, në kujtim të 12 a 13 qershorit 1991, Partia Socialiste do të ketë filluar të shpërndajë që tani ftesat për të festuar atë që e njeh si ditën e lindjes së vet. Po vërtet ka kush në këtë vend që e beson se Partia Socialiste është themeluar në qershor 1991? Pa ju bezdisur me dokumentime të hollësishme, dëshiroj t’ju lexoj vetëm një shkresë të shkurtër të kohës, me numër protokolli 1167, datë 3.7.1991, drejtuar ministrisë së drejtësisë, ku fjalë për fjalë thuhet:

“Ju njoftojmë se në bazë të Vendimeve të Kongresit të 10-të të PPSH si parti politike e njohur, veprimtaria dhe marrëdhëniet e saj si person juridik do të vazhdojnë nën emrin Partia Socialiste e Shqipërisë.” Nënshkruar: kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano.

Atëherë çfarë feston në qershor Partia Socialiste? Partia Socialiste, e themeluar në ilegalitet më 8 nëntor 1941 nën emrin Partia Komuniste Shqiptare? Natyrisht, sikurse gjithkush që e dëshiron, edhe partia e vjetër është e lirë ta ndërrojë emrin sa herë të dojë, se fundja në atë parti duket se është në modë që gjithkush të ketë dy, tre a më tepër emra. Po nëse ndryshimi i emrit mund të shihet si legjitim, ndryshimi i datës së lindjes është asgjë më pak se falsifikim. Dhe asnjë falsifikim nuk bëhet pa një qëllim.

Ne që jemi këtu e dimë, të dashur miq, se qëllimi i këtij falsifikimi është pikërisht shmangia e përgjegjësisë për krimet e regjimit socialist, që i mbetet Partisë Socialiste si e vetmja trashëgimtare e faktuar juridike dhe historike e regjimit. Është, pra, përgjegjësi e Partisë 80 e kusur vjeçare Socialiste dhe e askujt tjetër izolimi dhe varfërimi deri në palcë i Shqipërisë, vrasja dhe burgosja e çdo opozite e disidence gjatë regjimit socialist.

Duke e vështruar në këtë perspektivë, është e qartë se pse, edhe në këto 33 vjet, Partia Socialiste nuk ka njohur kurrë për legjitim tjetër pushtet veç pushtetit të vet, i ka shpallur diktaturë vitet e qeverisjes nga Partia Demokratike dhe diktator presidentin e parë jokomunist të vendit. Është e qartë edhe se pse sot, lideri i opozitës sot mbahet në arrest dhe përndiqet jo i vetëm, por, si në komunizëm, bashkë me familjarë të tij. Sepse në këtë vend, nën udhëheqjen e Partisë, kanë rilindur tashmë i ashtuquajturi pushtet popullor dhe e ashtuquajtura drejtësi e popullit, që simbolizohet më së miri në fjalët e dikurshme të Mehmet Shehut, që thoshte: “Pse, ligjet tona do të na pengojnë ne për të ndëshkuar armiqtë tanë?”

Në kushtet e pushtetit të rilindur popullor dhe të drejtësisë së rilindur popullore, që burgos opozitë apo, ca më keq, edhe rekruton opozitë, siç po bën me atë që njihen si “opozita e vulës”, është e qartë edhe se çfarë rrezikon ky vend në të ardhmen në rast se askush nuk e pengon tatëpjetën: rrezikojmë, të dashur miq, modelin kinez të pushtetit të Partisë Komuniste që ndërton socializmin me forcat e kapitalistëve, në të cilin opozita nuk ka vend dhe ku, ndoshta, mund të tolerohet vetëm formë e rrallë disidence.

E pra, ju jeni këtu, ne jemi këtu, si sot, si 30 vite të shkuara, në krah të Sali Berishës dhe të opozitës së duhur dhe jo opozitës që duam, për të mos e lejuar kurrë këtë skenar. Siç e tha Çun Lajçi para dy ditësh, me qefin në krye jemi në krye të kësaj beteje dhe do të qëndrojmë drejt, së bashku, duke pasur si frymëzim edhe veprën e qëndresëtarëve të kryengritjes së Spaçit.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Beleri refuzoi të kandidojë për Edi Ramën, nuk pranoi të bënte pis duart për mafien e tij

Kryetari i PD, Sali Berisha ka denoncuar ftesën e Edi Ramës për Fredi Belerin që …