Tenderat e drejtorëve që janë në burg/ PD: IPunët janë lënë përgjysmë, lekët janë harxhuar, përgjegjës është Veliaj

“Kush mban përgjegjësi sot për këtë katrahurë e abuzim?” Është kjo pyetja që shtron Partia Demokratike në lidhje me tenderat e Bashkisë së Tiranës të fituara nga kompania “5D Konstruksion”, ku investimet kanë ngelur përgjysmë, pasi dy drejtorët e bashkisë Redi Molla dhe Mariglen Qato u futën në burg, teksa drejtonin indirekt kompaninë.

Anëtari i Kryesisë në PD, Grigels Muçollari u ndal këtë të shtunë në zonën e Kinostudios në Tiranë, ku tha se janë dhënë 4 mln euro për investim për rehabilitimin e zonës, por sot pas tre vitesh që ka filluar puna është kaos dhe një ferr për banorët e zonës.

DEKLARATA E ANËTARIT TË KRYESISË, GRIGELS MUÇOLLARI:

Korrupsioni i Bashkisë së Tiranës është një sfidë e madhe, një e keqe që i prek qytetarët, i dëmton ata, i ndikon jetën e përditshme. Korrupsioni i drejtuesve të Bashkisë, i Erion Veliajt, ka të bëjë me njerëzit. Kur ata vjedhin, është një shërbim, është një investim, është një e mirë që u mohohet banorëve, familjeve, komunitetit.

Jemi këtu pranë Kinostudios në Tiranë, siç e shihni në një kaos urban, në një punë të lënë përgjysmë. Ky investim, ju dha kompanisë së drejtorëve të Veliajt, ju dha të famshmes 5D.

Mbi 3 vite që kane nisur punimet. Rreth 4 milionë euro fond, nga taksat e qytetarëve të Tiranës. Ja ku jemi sot. Një ferr për banorët e për këdo qe e sjell puna këndej.

Sipas kësaj tabele, që tani Bashkia e ka hequr, rehabilitimi i qendrës Kinostudio, do të merrte 12 muaj. Kanë kaluar 3 herë nga 12 muaj.

Paratë me siguri drejtorët e Veliajt i kanë marrë se u duheshin për hotelin luksoz që po ndërtojnë në Durrës. Po detyrimi ndaj publikut, ndaj qytetarëve, ndaj ligjit?

Kush mban përgjegjësi sot për këtë katrahurë e abuzim?

Askush nuk ka dalë të japë një sqarim. Sepse ky nuk është i vetmi kantier i 5D në Tiranë i lënë përgjysëm. Po ashtu është shëtitorja tek Liqeni i Thatë.

Kush do përgjigjet pra?

Përgjegjës sigurisht është Erjon Veliaj.

Për këto afera në kurriz të njerëzve ai duhet të shkojë sa më shpejt para ligjit dhe të largohet nga zyra që ka turpëruar.

I ftoj qytetarët të bashkohen në protestën para Bashkisë të martën, për të kërkuar drejtësi. Drejtësi për ata, për banorët, për qytetin.

About Redaksia

Check Also

Nikolla u dorëhoq, apo e larguan?

Lindita Nikolla ka njoftuar se do të largohet pas pas tre vitesh nga posti i …