Grabitja e pronave të 100 mijë qytetarëve, thellohet skandali, Dhoma e Përmbaruesve nuk njeh Sejkon

Dhoma Kombëtare e Përmbarimit Privat ka reaguar në lidhje me komentet e bëra nga Guvernatori i Shqipërisë, Gent Sejko gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë.

Teksa ndante detaje për mënyrën se si do të procedohet me rastet e mashtrimit nga kompania “Final” sh.p.k. dhe “Micro Credit Albania” sh.p.k, Sejko tha se është ngritur një grup pune dhe është njoftuar Kadastra që të mos kryejë më tjetërsime pronash. Por, Dhoma Kombëtare e Përmbarimit Privat sqaron se Kadastra nuk merr urdhra për mosekzekutime prej Guvernatorit.

“Kadastra bashkë me “Kullën” digjitale, nuk marrin urdhra/njoftime për mosekzekutime prej Guvernatorit, por vetëm nga subjektet që njeh ligji nr. 111/2018 “Për kadastrën”. Nëse janë kryer tjetërsime pronash, sekuestrime pronash, çsekuestrime (pas mashtrimit) pronash – dhe janë kryer shumë nga “përmbarimi mikrofinanciar”, të gjithë do mbajnë përgjegjësi para Ligjit. Hesht dhe shih inventarizimin e dëmit!,” shkruan Dhoma e Përmbarimit.

Sekjo deklaroi dje se do komunikojë me Ministrinë e Drejtësisë, për të përcaktuar një likuidator për secilën kompani dhe për të bërë definimet ligjore. Mirëpo, Dhoma e Përmbarimit duke cituar ligjin nge pikëpyetjen se si mundet Ministria e Drejtësisë të përcaktojë një likudiator për MCA dhe Final, pasi kjo kompetencë i takon BSH-së.

“Definimet ligjore, për 8 vite janë parashikuar me rregullore. Tani është shumë vonë të kthehet ‘koka’ nga ligji,” thekson në reagim.

Dhoma Kombëtare e Përmbarimit Privat i ka kthyer “dhëmbë për dhëmbë” Gent Sejkos lidhur me komentin ironik që përmbaruesi del me lloj lloj teorish.”

“Përmbarues me lloj lloj teorish si ‘përmbarues’ Shalsi, Braçe etj., mund të gjenden në komision të ekonomisë, apo gjetkë, por jo tek Dhoma Kombëtare. Asnjë prej tyre nuk njeh teori përveç asaj që parashtron Kodi i Procedurës Civile. Ndonjë përjashtim të veçantë mund të bëjnë 4-5 përmbaruesit ‘digjitalë’ që shumë herët do vendosen para përgjegjësisë ligjore si shokët e tyre bankierë,” thotë Dhoma Kombëtare e Përmbarimit Privat.

Sipas tyre, Urdhri i Ekzekutimit si vendim gjykate që rrjedh nga një titull ekzekutiv/kontratë kredie që ka mashtruar Ligjin dhe Qytetarin, nuk mund të vihet në ekzekutim nga asnjë përmbarues gjyqësor pa u përcaktuar në fillim ligjshmëria e tij, që do dalë nga hetimi penal.

Dhoma Kombëtare e Përmbarimit Privat shprehet se nuk ka asnjë konkurrencë për ekzekutimin e kontratave mashtruese të MCA/Final dhe se të gjitha janë produkt i veprës penale ose veprimtarisë kriminale.

“Asnjë lëvizje ligjore nuk mund të bëjë Banka e Shqipërisë në këtë situatë ‘pandemie mikrofinanciare’, përveç se të presë thirrjet që do vijnë nga Institucionet që bëjnë drejtësi. Kohë do marrë vetëm hetimi një e nga një i të gjitha kontratave mashtruese, sekuestrimeve mashtruese, tjetërsimeve mashtruese, pyetja e të gjithë të mashtruarve – viktima të kësaj maskarade financiare,” shkruhet më tej.

Në fund të sqarimit, Dhoma Kombëtare e Përmbarimit Privat i bën thirrje Sejkos për reflektim, pasi procedura që pretendon të ndjekë për të ndihmuar qytetarët e prekur nga skandali me mikrokreditë nuk ka baza ligjore.

Duke qenë se Shqipëria ka një Kod për Procedurat Civile, ku në 107 nenet nga fundi i tij, janë edhe dispozitat për ekzekutimin e detyruar apo procedurat përmbarimore, nuk mund të bëhet një ligj i ri, ashtu siç kërkon prej kohësh Sejko.

Po ashtu i i bën thirrje Bankës së Shqipërisë që të gjejnë një tjetër alibi pa “përmbarim” dhe me nota ironie i sugjeron të kërkojnë ndihmë nga ChatGPT, për një alibi digjitale.

Reagimi

Guvernatori Digjital
Në shëtitjen e radhës, sot, para Komisionit të Ekonomisë, Guvernatori i Bankës Qëndrore, Gent Sejko lidhur me kryepyetjen se si do të procedohet me dy rastet e mashtrimit “Final” dhe “Micro Credit Albania”, shpalosi komplet talentin e tij:

1. I kemi çuar një njoftim Kadastrës që të mos kryejnë tjetërsime pronash, për ta ditur këtë revokim liçense.

2. Do komunikoj me Ministrinë e Drejtësisë, për të përcaktuar një likuidator për secilën kompani.

3. Po bëjmë definimet ligjore, pasi është hera e parë që bëhet fjalë për një gjë të tillë.

4. Problematika do të ketë, sidomos për ato raste që janë në përmbarim, pasi përmbaruesi del me lloj lloj teorish.

5. Ato raste që janë dhënë vendim gjykatash dhe kanë kaluar në përmbarim, kjo krijon problematikë dhe duhet të jemi të qartë për këtë gjë.

6. Por nga ana ligjore do të shohim se çfarë mund të bëjmë.

7. Kjo është një punë do të të marrë kohë.

8. Por kërkoj që të ecim shpejt me miratimin e ligjeve, pasi rregulloret ne i bëjmë vetë, si ligji për proceduarat përmbarimore, ligji për tavanin e normës së interesit, për penalltinë.
Dikush nga Këshilli Mbikëqyrës, Qeveria apo Kuvendi duhet ta përmbajë, ta ndihmojë, ta frenojë Guvernatorin tonë. Kaq shumë broçkulla në një ditë, lehtësojnë edhe një godinë të rëndë si është Banka Qendrore.

1. Kadastra bashkë me “Kullën” digjitale, nuk marrin urdhra/njoftime për mosekzekutime prej Guvernatorit, por vetëm nga subjektet që njeh ligji nr. 111/2018 “Për kadastrën”. Nëse janë kryer tjetërsime pronash, sekuestrime pronash, çsekuestrime (pas mashtrimit) pronash – dhe janë kryer shumë nga “përmbarimi mikrofinanciar”, të gjithë do mbajnë përgjegjësi para Ligjit. Hesht dhe shih inventarizimin e dëmit!

2. Ligji nr. 9662/2006 “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, parashikon rrethanat për vendosjen e likuidimit të detyruar të bankës ose degës së bankës së huaj nga Banka e Shqipërisë, kur revokohet licenca për kryerjen e veprimtarive bankare dhe financiare. Caktohet edhe likuidatori nga BSH, por në asnjë rast ky ligj nuk parashikon institucionet financiare jobanka. Si mund të “përcaktojë” Ministria e Drejtësisë një likuidator, për MCA dhe Final?!

3. Definimet ligjore, për 8 vite janë parashikuar me rregullore. Tani është shumë vonë të kthehet “koka” nga ligji.

4. Përmbarues me lloj lloj teorish si “përmbarues” Shalsi, Braçe etj., mund të gjenden në komision të ekonomisë, apo gjetkë, por jo tek Dhoma Kombëtare. Asnjë prej tyre nuk njeh teori përveç asaj që parashtron Kodi i Procedurës Civile. Ndonjë përjashtim të veçantë mund të bëjnë 4-5 përmbaruesit “digjitalë” që shumë herët do vendosen para përgjegjësisë ligjore si shokët e tyre bankierë.

5. Urdhri i Ekzekutimit, si vendim gjykate që rrjedh nga një titull ekzekutiv/kontratë kredie që ka mashtruar Ligjin dhe Qytetarin, nuk mund të vihet në ekzekutim nga asnjë përmbarues gjyqësor pa u përcaktuar në fillim ligjshmëria e tij, që do dalë nga hetimi penal. Nuk ka asnjë konkurrencë për ekzekutimin e kontratave mashtruese të MCA dhe Final. Të gjitha janë produkt i veprës penale ose veprimtarisë kriminale. Nuk ka më përmbarues “digjital” të merret me to. U fikën bashkë me MCA & Final.

6. Asnjë lëvizje ligjore nuk mund të bëjë Banka e Shqipërisë në këtë situatë “pandemie mikrofinanciare”, përveç se të presë thirrjet që do vijnë nga Institucionet që bëjnë drejtësi.

7. Kohë do marrë vetëm hetimi një e nga një i të gjitha kontratave mashtruese, sekuestrimeve mashtruese, tjetërsimeve mashtruese, pyetja e të gjithë të mashtruarve – viktima të kësaj maskarade financiare.

8. Si mundet një Guvernator, të përsërisë për dy javë resht të njëjtën broçkull për ndryshimin e “Ligjit për proceduarat përmbarimore”?! Si nuk ka njeri t’i thotë “Mjaft… se nuk ekziston një ligj i tillë!”
– Se Shqipëria ka një Kod për Procedurat Civile, ku në 107 nenet nga fundi i tij, janë edhe dispozitat për ekzekutimin e detyruar apo procedurat përmbarimore. Do “sharrojmë” Kodin e Procedurës Civile dhe do bëjmë një ligj të ri? Apo do “ngulim” ligjin e ri në pjesën e fundit të Kodit të Procedurës Civile?! Të dyja janë të pamundura. Duhet një Kod i ri. Por ky nuk mund të bëhet kaq thjesht si të ishte rregullore e BSH-së…
Pasi ta sqaroni dhe qartësoni, ju lutemi bindeni të gjejë një alibi tjetër pa “përmbarim”. Le të kërkojë ndihmë nga ChatGPT, për një alibi digjitale. Nëse nuk e gjen as aty, le të hiqet si Gaztor sa të harrohet se ishte Guvernator.
Ps. Guvernator, je që je, meqë bën ndalim “tjetërsimesh” në kadastër, futi dhe nja 20 000 heqje sekuestrosh llogarish nëpër bankat e nivelit të dytë, meqënëse i ke brenda perimetrit të mbikëqyrjes. Bëhu Guvernator Digjital! Do të të bekojnë qytetarët. Ndërsa, ne për herë të parë do mbyllim gojën për këtë “padrejtësi”!

About Krye Redaktor

Check Also

Partneri juaj ideal/ Grupi “SIGAL UNIQA”, lider i sigurimeve edhe për 6-mujorin e parë 2024

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) publikoi këtë të premte të dhënat e tregut të sigurimeve …