Çfarë pamë dhe dëgjuam mbrëmë te RAI3 për Edi Ramën

Enver Bytyçi

Një fjalim i Edi Ramës në opozitë pas emisionit të RAI 3 për qeverinë e Sali Berishës dhe vëllait të tij, Olsit!

Pas një reportazhi, çfarë pamë dhe dëgjuam mbrëmë te RAI 3 i Italisë, nëse ato fakte i adresoheshin kryeministrit të supozuar, Sali Berisha, kryetari i opozitës po ashtu i supozuar, Edi Rama, do të mbante këtë fjalim ose një të tillë akoma më radikal:

– Më në fund shqiptarët panë me sy dhe dëgjuan me veshë ato që unë kam thënë vazhdimisht prej një dekade e më shumë për qeverinë ,mafioze të Sali Berishës. E kam thënë e shkruar përmes qytetarit dixhital, se qeveria Berisha është qeveri e mafies, është regjim, nuk ka të bëjë as më demokracinë e as më lirinë. Nuk ka pikë dyshimi tashmë se zyra e kryeministrit të vendit tonë nuk është më zyra e kujdesit për qytetarët shqiptarë, por është shndërruar në zyrë pazaresh me mafien vendore e ndërkombëtare, në një zyrë ku pasi është grabitur pasuria jonë kombëtare ajo i falet mafiozëve të Vlorës dhe atyre meksikanë. Ne do të zbulojmë se cila është pjesa e kësaj trorte që përfiton Berisha së bashku me familjen e tij dhe vëllain mafioz, Oslin!

Ne pamë se si vëllai i Berishës, Olsi, akuzohet për lidhje ndërkombëtare të trafikut të drogës. Ai u akuzua jo vetëm nga RAI 3, por edhe nga gazeta më e mëdhe e Europës “BILD” për lidhje të forta me kartelin e drogës. Tashmë nuk ka asnjë dilemë se Olsi, pra vëllai i Sali Berishës, shetit me makinat luksoze të bosëve të mafies. Eshtë ky, vëllai i Sali Berishës, që ia çoi kryeministrit në zyrë bosin e Sinaloas dhe kjo është dëshmi e lidhjes së familjes së tij me kartelin ndërkombëtar të mafies. Jo vetëm kaq, por kryeministri ndan paratë e drogës e të trafiqeve duke dhënë liçensa për kazino dhe favore të tjera për mafien vendore shqiptare e ndërkombëtare!

Njeriu deri dje më besnik i Berishës, bashkëpunëtori i tij në qeverisje dhe në korrupsion, Arben Ahmetaj, e akuzoi atë hapur për pritjen në zyrën e të parit të ekzekutivit shqiptar të bosëve ndërkombëtarë e shqiptarë të mafies. Po t’i shtojmë kësaj edhe pritjet që Sali berisha ka bërë për McGonigal dhe mafiozë të tjerë ndërkombëtarë, atëherë ne e kuptojmë se në çfarë humnerë ka rrëshqit Shqipëria. Zëvendësi i Berishës zbuloi edhe lidhjet dhe koordinatorin midis kryeministrit dhe mafies. Ai është djali i një ish-deputeti të Berishës, Agasi i Durrësit! Kjo zbulon se sa thellë janë rrënjët e këtij regjimi mafioz që është tashmë edhe një diktaturë mafioze! Ne do ta shkulim këtë diktaturë!

Në intervistën e tij mbrëmë tek RAI 3 Berisha na tha se përfaqësuesi i Sinaloas ishte një kushëri i mafiozëve të Vlorës, i cili kishte para dhe donte të investonte në Shqipëri. Ky kamuflazh tregon se Sali Berisha është vetë anëtar dhe madje drejtues I kartelit të drogës në Shqipëri e me lidhje të shumta në vendet e tilla si ato të Amerikës Latine. Çfarë kushërninjsh paskan shqiptarët në Meksikë?! Kjo është pikërisht ajo që e bën regjimin Berisha edhe më të rrezikshëm për fatet e Shqipërisë. Ndërkaq, kur Berisha tha se është Hollanda qendra e trafikut europian të drogës, ai dëshmoi se është pjesë e këtij trafikimi edhe në portet holandeze, sidomos atë të Roterdamit.

Vëllai i tij, Olsi, akuzohet nga BILD se bashkëpunon me grupet hollandeze përmes grupeve mafioze të Hanoverit! Pse vëllai i kryeministrit Berisha, Olsi pra, është tashmë një eksponent i njohur i mafies ndërkombëtare? Sepse ai ka mbështetjen dhe mbrojtjen e vëllait të tij, kryeministër! Ta shkulim këtë mafie bashkë me kryeministrin mafioz të Shqipërisë e të shqiptarëve!

Ajo që mbrëmë dha RAI 3 për trafikun e lëndëve narkotike dhe akuzat e rënda të zëvëndësit të Sali Berishës, pra Arben Ahmetaj, për kryeministrin e Shqipërisë është një njollë turpi në historinë e Shqipërisë. Kurrë Shqipëria nuk ka qenë në këtë ditë tmerri si sot! Kurrë ajo nuk ka qenë më e turpëruar sesa sot! Prej kur Shqipëria doli nga Perandoria Osmane e krijoi shtetin e saj e deri më sot, ajo nuk ka parë një qeveri si kjo të lidhur me mafien nacionale e ndërkombëtare.

Për qeverinë e Sali Berishës, tri kabinete të së cilës gjenden në qeli dhe janë dënuar ose po dënohen për korrupsion, pavarësisht presionit që ai i bën drejtësisë, Shqipëria nuk është prioritet. Madje ajo është tashmë e rrënuar dhe e shpopulluar! Imagjinojeni, tani kemi një Shqipëri që nuk di se çfarë të bëjë me regjistrimin e popullsisë. Prej gati një viti nuk nxjerrin dor shifrat e regjistrimit, sepse e kanë shpopulluar këtë vend prej shqiptarëve! Sipas të gjitha gjasave mafia e Sali Berishës po tenton të manipulojë shifrat e regjistrimit të popullsisë, sepse ndryshe ne do të kishim më pak banorë sesa Kosova!

Në këto kushte Partia Socialiste dhe opozita shqiptare nuk do të rrijë duarkryq. Ne do të fillojmë protestat e fuqishme dhe mosbindjen civile në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Unë kam thirrur të shtunën e ardhshme Asamblenë e Partisë Socialiste dhe do të nisim aksionin politik “Ta çlirojmë Shqipërinë nga mafia kombëtare e ndërkombëtare, pra nga qeveria mafioze e Sali Berishës”! Askush të mos mendojë se fatet e Shqipërisë do t’i marrë e mbajë peng një kryemafioz, si Sali Berisha!

Ne e dimë se Sali Berisha ka ndërtuar një bunker të errët e të madh në Surrel, njësoj siç kanë bërë Kim-i i Koresë dhe Putin-i i Rusisë. Por ne do t’ia shembim atë bunker. Ne do t’ia zbulojmë edhe miliardat që ai ka grumbulluar përmes lidhjeve të tij e të vëllait të tij, Olsit, me mafien ndërkombëtare! Do t’ia zbulojmë të gjitha pauritë miliardëshe që Berisha dhe Olsi kanë vënë!

Investimet që kanë bërë, ortakëritë që kanë krijuar! Asgjë nuk do të mbetet në errësirë! Edhe nëse Sali Berisha aktivizon lidhjet e tij mafioze për të ushtruar dhunë e terror kundër opozitës, ai nuk do t’ia arrijë qëllimit të mbrohet nga zemërimi i popullit opozitar, sepse do t’i duhet të kalojë mbi trupat tanë. Ne jemi gati të japim jetën dhe Shqipërinë ta çlirojmë nga regjimi mafioz i Sali Berishës dhe vëllait të tij, Spinozës së shqiptarëve, Olsi Berisha!

Një falenderim i sinqertë për zv.kryeministrin e Shqipërisë, bashkëpunëtorin e ngushtë të Sali Berishës, zotin Arben Ahmetaj, i cili ia hoqi maskën kësaj qeverie mafioze e kriminale! Pavarësisht se edhe ai ka përgjegjësitë e tij, me aktin e denoncimit të Berishës dhe faktet që solli, veçmas në adresë të koordinatorit të mafies e të kryeministrit, Agasi, meriton falenderimet tona të përzemërta!

Ta çlirojmë Shqipërinë nga mafia e Sali Berishës dhe vëllait të tij, Olsit, nga kartelet e Meksikës, Kolumbisë, Hollandës, Ekuadorit etj dhe ta bëjmë Shqipërinë një kopësht me lule (kanabisi), siç është bërë Lazarati!
Rroftë Shqipëria! Poshtë mafia e Sali Berishës dhe familjes së tij olsiane!

About Redaksia

Check Also

Kur mediat nuk kanë interesin publik primar, por pagesat nga inceneratorët…

Nga Adriana KALAJA Sot gjithë mediat që paguhen nga inceneratorët, dhanë lajmin e dosjes së …