Teliti: Nuk ka diktaturë që shembet vetë, diktaturat shemben me rezistencë!

Para Bashkisë së Tiranës, paraditen e sotme u zhvillua protesta e dhjetë kundër aferës korruptive të 5 drejtorëve të arrestuar të saj si dhe aferës së inceneratorëve. Dorjan Teliti tha gjatë fjalës së tij se, nuk ka diktaturë që është shembur vetë, diktaturat shemben me protesta, diktaturat shemben me qëndresë!

“Jam lindur dhe rritur në këtë qytet dhe kur ishim fëmijë arrinim ta shihnim malin e Dajtit. Sot Edi Rama dhe Erion Veliaj e zhdukën malin e Dajtit ashtu siç zhdukën edhe Kullën e Sahatit.

Nuk shihet më se sytë tanë zënë vetëm kulla, zënë vetëm beton, zënë vetëm zullumet e kësaj qeverie.

I keni parë këto ditë lajmet në mediat ndërkombëtare, në mediat italiane që po zbardhin dita ditës se si e gjithë nomenklatura shtetërore që nga kryeministri, zv. kryeministrat e ministrat dhe gjithë të tjerët janë përfshirë në një strukturë kriminale, që po abuzon me të tashmen dhe të ardhmen, që po shkatërron jetën e shqiptarëve. Zhdukën edhe 132 milionë të inceneratorit të Tiranës.

Zhdukën 60 milionë euro. Thotë Arben Ahmetaj “pyetini se ku janë paratë, pyeteni pronarin e vërtetë të inceneratorit”.

Por pronari nuk del, pronari është i humbur, në arrati, ka mbyllur derën e bashkisë dhe i ka vendosur zinxhirin dhe i denjë për një ministër të brendshëm diktature, rrethohet me policë, që marrin urdhra dhe detyroheni ju t’i zbatoni.

Miqtë e mi, kjo rezistencë e dhjetë, për të cilën unë ju falënderoj përzemërisht, që të shumtë siç jemi sot, siç ishim dhe herën e kaluar dhe më të shumtë të jemi herën që vjen, të vazhdojmë të rezistojmë!

Nuk ka diktaturë që është shembur vetë! Diktaturat shemben me protesta! Diktaturat shemben me qëndresë! Diktaturat shemben nga njerëzit e lirë që nuk ulin kokën para pushtetit, nga ata që me të drejtën e Zotit dhe të drejtën që u jep Kushtetuta, protestojnë me të gjitha mjetet demokratike të mosbindjes civile derisa diktatura të shembet!

Diktatura e Kryeministrisë dhe diktatura e bashkisë shumë shpejt do të ulen në gjunjët e shqiptarëve!

Ai, që 800 metra larg nga këtu, në godinën e kryeministrisë, në vend që të bëjë politikat ndërkombëtare, për ta çuar Shqipërinë në Evropë, bën vetëm biznes ndërkombëtar!”, tha Teliti.

About Redaksia

Check Also

Nikolla u dorëhoq, apo e larguan?

Lindita Nikolla ka njoftuar se do të largohet pas pas tre vitesh nga posti i …