Salianji: Persona me rekorde kriminale kishin akses në TIMS, kanë fshirë të dhënat

Kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar për TIMS-in, Ervin Salianji, deklaron se do ti shkohet deri në fund hetimit parlamentar, pavarësisht pengesave që krijohen si pasojë e vendimeve të ndërmjetme.

Gjatë një interviste për New24, Salianji tha se të dhënat e sistemit TIMS ndodhen online dhe të publikuara në një web të paligjshëm.

Salianji deklaron se ka kërkuar një mbledhje urgjente me kolegët e komisionit të sigurisë sepse, sipas tij, jemi në kushtet e cenimit të rëndë të sigurisë kombëtare.

“Pas hakërimit, sistemi TIMS gjendet online, në një web të paligjshëm dhe gjenden të dhënat e qytetarëve aty. Kam kërkuar një mbledhje urgjente me kolegët e komisionit të sigurisë, sepse jemi në kushtet e cenimit të rëndë të sigurisë kombëtare. Ju them me bindje dhe dokumente që janë adminisstruar që në sistemin TIMS ka patur akses të paautorizuar dhe po ashtu ju them që ka patur persona që pavarësisht se fusnin dokumentet në sistem, sistemi për personat në kërkim nuk i nxirrte çka le dyshime të arsyeshme që mund të jenë përdorur nga persona me rekorde kriminale”, tha Salianji.

Ai u shpreh se është bërë një katrahurë me emërimet, ndërsa më e rënda është se justifikohen me togfjalëshin gabim njerëzor.

I pyetur nëse janë fshirë informacione të caktuara nga sistemi TIMS, Salianji u shpreh se të paktën për disa persona është faktuar se sistemi nuk i ka sinjalizuar hyrje-daljet e tyre kur kanë kaluar kufirin, megjithëse kanë qenë në kërkim. Kjo sipas tij do të thotë se kjo mund të jetë bërë për mijëra të tjerë.

“Do të përfundojmë hetimin brenda afateve, që është data 21 korrik dhe të gjitha gjetjet dhe raportin përfundimtar do e çojmë në organet e drejtësisë, SPAK dhe Prokurori i Përgjithshëm, sikundër e parashikon ligji. Nuk ka asnjë sekret shtetëror në dëshmitë e dhëna deri më tani.

Të dhënat që morëm nga drejtuesit e Policisë së Shtetit ishin llahtar. Ajo që mund të them është se është keqpërdorur jo vetëm policia e shtetit, por edhe ligji”, tha Salianji.

Salianji thotë se “Komisioni Parlamentar është llahtarisur nga ajo që ka dëgjuar nga dëshmitarët”. Ai thekson se dëshmitarët nuk kanë dhënë informacion të klasifikuar.

“Jam llahtarisur nga ajo që kam dëgjuar nga dëshmitë. Në dëshmi nuk kishte informacione të klasifikuara. Në diskutimin 6 orë në pyetje me drejtorin e Policisë së Shtetit nuk gjeta asnjë informacion të klasifikuar. Kjo çështje ka zbuluar anë të errëta në lidhje me ndërhyrjen në sistemin TIMS. PS po përdor forcën e kartonit për të justifikuar paligjshmërinë. Persona të paautorizuar kanë hyrë në sistem“, tha Salinaji.

About Redaksia

Check Also

Nikolla u dorëhoq, apo e larguan?

Lindita Nikolla ka njoftuar se do të largohet pas pas tre vitesh nga posti i …