Kreu i PD, Sali Berisha ka hedhur akuza ndaj qeverisë Rama se është e përbërë nga trafikantë dhe kriminela. Berisha u shpreh mbrëmë se, kohët e fundit në Shqipëri është dhjetëfishuar konsumi i bananeve dhe plehut kimit, pasi sipas tij këta dy produkte janë tashmë bartësit më kryesorë të trafikut të kokainës.
Kryedemokrati akuzon më tej se sot në qeveri janë emëruar në krye të rendit tre narkoministra me lidhje si kristali, personale dhe familjare me drogën.
Pjesë nga fjala e Berishës
Vazhdojmë më tutje se me këto pyetje, çdo shqiptar besoj se do gjejë të vërtetën brenda vetes së tij, për veten e tij.
A nuk u emërua në krye të ministrisë së rendit, skafo-ministri i parë në 32 vite, i cili veturën dhe skafin ua dha tezakëve Habilaj për të bërë trafiqe, në të cilat ministri merrte përqindjen e tij dhe përqindjen e madhe ia dërgonte edhe Edi Ramës.
A nuk informoi parlamentin, SHISH se 185 oficerë policie, nga të cilët 125 madhorë, ishin angazhuar në kanabizimin e vendit?
Krahas kanabizimit, a nuk nisi Edi Rama sa erdhi në pushtet me instalimin e fabrikës më të madhe në Ballkan të përpunimit të kokainës në Xibrakë, nga një grup i drejtuar nga njerëz shumë të afërt me Edi Ramën, vëllai i tij Olsi Rama, Ermal Hoxha, Genti Xhixha?
Pas Saimir Tahirit, a nuk u emërua në krye të rendit, Fatmir Xhafaj, tashmë jo tezak i trafikantëve siç ishte Saimir Tahiri me Habilajt, por vëllai i Gerond Xhafës, narkotrafikantit ndërkombëtar, bos i trafikut ndërkombëtar në Bolonja dhe Venezuelë.
Po kush e mohon këtë? A mund ta mohojë njeri këtë?
A nuk është sot në krye të rendit Taulant Balla, i lidhur së paku me dokumente të pakundërshtueshme me tre dhe më shumë grupe më të rrezikshme të trafikut të drogës në Shqipëri?
Cili shtet në botë nuk do të quhej narkoshtet, po të emëronte në krye të rendit tre narkoministra me lidhje si kristali, personale dhe familjare me drogën?
Po pse mo socialistë, nuk kishte socialistë të ndershëm dhe guximtarë që të emërohej në vend të Saimir Tahirit, Fatzi Xhafës, Taulantit me 5 mbiemra? Po i emëron droga mo zotëri.
A nuk është dhjetëfishuar konsumi i bananeve dhe plehut kimik në Shqipëri? Banania dhe plehu kimik janë tashmë bartësit më kryesorë të trafikut të kokainës.
A nuk është mbushur me shpejtësi si asnjë qytet tjetër në Europë nga viti 2015 gjer sot me dhjetëra e dhjetëra qiellgërvishtëse, monumente të tmerrshme të drogës dhe korrupsionit?
A nuk janë sot çmimet e apartamenteve në Tiranë m të lartat në Europë pas Parisit dhe Mynihut?
A nuk është rrëzuar përtokë euro, monedha e BE nga narkoeurot shqiptare?
A nuk janë sot çmimet në marketet e Shqipërisë më të shtrenjta se në Itali, se në Greqi dhe në shumicën e vendeve?