Si i shpëtonin kriminelët kontrollit nga TIMS, dëshmia e Drejtorit të arrestuar zbardh skemën

Kopjimi i sistemit TIMS nga zyrtarë të ministrisë së brendshme dhe përpjekja për ta mbytur të vërtetën me preteksin e sekretit shtetëror i ka vëshur skandalin me një tis misteri, shoqëruar me teori të shumta konspiracioni. Pikëpyetjet kanë qenë të mëdha për ngjarjen që iu servir opinionit përmes një emaili anonim, vazhdoi me shqetësimin e pasqaruar të ambasadës amerikane dhe u rizgjua nga deklaratat e rreme të Taulant Ballës dhe Edi Ramës se në ministri nuk kishte ndodhur asgjë.

Por një dokument që publikoi kreu i opozitës Sali Berisha mbrëmjen e së shtunës nxjerr një version tjetër të ndërhyrjeve në sistemin TIMS, nga ato që janë dëgjuar deri tani. Njeriu kyç i kësaj afere, Ervin Muça, drejtor i teknologjisë në ministrinë e brendshme, aktualisht nën arrest shtëpie, shndërrohet nga i akuzuar për kopjimin e TIMS në denoncues të një skandali akoma më të madh.

Dokumenti është një “memo” e hartuar në Dhjetor të vitit të kaluar nga Ervin Muça. Ai jep versionin e tij të ngjarjeve dhe pranon kopjimin e të dhënave të TIMS me miqtë e tij. Por skandali i vërtetë, sipas tij është një tjetër.

Denoncimi i parë në lidhje me TIMS u bë për mediat në fillim të gushtit të vitit të kaluar nëpërmjet një emaili anonim. Aty  rrëfehej një përplasje mes drejtuesve të ministrisë së brendshme që kishte ndodhur në Maj të 2023, kur Ervin Muça kishte kërkuar një kopje të të dhënave të TIMS.

Sipas e-mailit anonim, i shkruar nga një dëshmitar okular, Drejtori i Departmentit te Teknologjise se Informacionit ne Policine e Shtetit Ervin Muça kishte nxjerrë jashtë zyrave të policisë nëpërmjet një USB bazën e të dhënave të TIMS. Për të bërë këtë, ai ishte ndihmuar nga disa miq të tij.

Vetë Muça e pranoi në prokurori se i duhej një kopje e TIMS dhe se shefi i sektorit Ardit Muço nuk i ishte bindur. Për këtë, kishte thirrur një mikun e tij për ta ndihmuar.

“Më datë 2 Gusht 2023, unë thirra A. V, që të vinte në Drejtorinë e Teknologjisë dhe Informacionit dhe të fliste me specialistët e sektorit, me qellim kryerjen e back up-it. Ku testi i back-upit do të mbahej në një kopje të paaksesueshme në kasafortën e Policisë së Shtetit. Për këtë arsye më datë 2 Gusht, unë kërkova ndihmën e kolegut Klodian Mazari, që punonte si përgjegjës sektori pranë AKSHI-t”, u shpreh Muça në prokurori.

Siç dihet pjesë e TIMS janë hyrje-daljet e personave, dokumentat biometrike, gjeneralitetet, ngjarjet kriminale dhe jo kriminale, aksionet e policisë, dosjet hetimore, lista e terroristëve, gjobat e makinave, informacion territorial sekret etj. Sistemi është një investim i ambasadës amerikane.

Nuk zgjati shumë dhe i ngarkuari me punë i Ambasadës në Tiranë, H. Martin McDoëell takoi ministrin Taulant Balla me kërkesën për të bërë transparencë.

Tetë muaj më pas, prokuroria e Tiranës njoftoi arrestimin e Ervin Muçës, drejtori i IT në Ministrinë e Brendshme. Sipas prokurorisë, Muça shkeli ligjin, kur bëri kopjimin e sistemit me miqtë e tij.

Pozitat e Ervin Muçës rëndohen edhe nga fakti se në vitin 2007,  në Itali ai është raportuar për falsifikim të dokumentave. Përveç kësaj, rezulton se Muça mbante edhe një punë tjetër si këshilltar i jashtëm i Drejtores së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Për muaj me radhë në drejtim të Muçës janë bërë një seri akuzash, por arsyeja e veprimeve të tij ka qenë përherë e frymëzuar nga konspiracionet.

është aluduar nga opozita se Muça synonte të fshinte emrin e Olsi Ramës nga sistemi TIMS. Të tjerë thonë se Muça kërkoi të fshinte nga TIMS lëvizjet e Edi Ramës apo të ministrave të tij. është folur edhe për skenarë me banda që paguanin miliona euro për të patur një kopje në TIMS etj etj.

Dokumenti që publikoi Sali Berisha pasqyron një përgjigje që Ervin Muça i ka dhënë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullakut për skandalin e ndërhyrjeve në sistemin TIMS. Ndryshe nga sa është thënë deri tani, Muça tregon se kopjimi i të dhënave i është dashur për të zbuluar një skandal akoma më të madh, manipulimi që vetë punonjësit i bënin sistemit duke bërë që disa pasaporta të mos kapeshin nga sistemi i INTERPOL dhe TIMS-KRIMINAL.

Në raportimin e tij, Muça thotë se iu desh kopjimi i programeve të TIMS, sepse shkak u bë problematika që gjenerohej në sistemin TIMS-Kriminal, në servisin (program) që kontrollonte personin ndaj Interpol, TIMS dhe TIMS-Kriminal”.

Ai ka thirrur në ministri Neritan Milaqin, ish-punonjës i ICITAP dhe zhvillues i sistemit TIMS në datën 9 Nëntor të vitit 2023, si një nga njerëzit që e njihte mirë sistemin që në fillimet e funksionimit të tij. Por, shpjegon Muça, kodit i programit TIMS-Kriminal ishte ndryshuar në datën 30 Tetor të vitit 2023 dhe kjo ishte bërë pa “asnjë njoftim paraprak apo justifikim për shkakun e këtij ndryshimi” 

Në këtë situatë, është përdorur kopja e shumëpërfolur e programeve. E njëjta për të cilën Muça është sot në arrest shtëpie. Kjo kopje e sistemit është ekzaminuar nga eksperti Neritan Milaqi, i cili ka zbuluar një skandal për të cilin deri më sot nuk është folur.

Punonjësit, që sipas ligjit kishin për detyrë të mbikqyrnin funksionimin dhe sigurinë e sistemit TIMS, kishin krijuar një të çarë në sistem me anë të së cilës mund të shmangeshin kontrollet e pasaportave të caktuara.

Lexoni më poshtë se çfarë shkruan Muça në raportimin për shefin e tij, Met Rrumbullaku.

“Gjatë ekzaminimit të servisit të rikthyer nga backup në kodin kompjuterik të këtij servisi u dallua se për një grup prej 5 (pesë) dokumentash udhëtimi të tipit pasaportë, sistemi nuk kryente kërkim në TIMS-Kriminal, duke sjellë kështu moskontrollin e tyre në listën e personave të kërkimit. Pasi u verifikuan numrat e dokumentave rezulton se këto dokumenta janë dokumenta shqiptare dhe u përkasin:

Katër prej emrave të mësipërm, janë punonjës së Ministrisë së Brendshme. Njëri prej tyre, Bruno Veizaj madje kishte ndërtuar sistemet gjatë kohës që ka qenë programues në ministri. Tedi Malaveci është personi që prej kohësh është denoncuar nga opozita, si drejtues i dhomës së përmbarimit.

“Personat me mbajtës të dokumentave më sipër na bëjnë të mendojmë se kanë njohje dhe lidhje me njëri-tjetrin ,-shkruan Muça,- dhe ky veprim mund të jetë bërë qëllimisht me arsyen e kalimit të lehtësuar të kufirit pa afat”.

Pasaportat që i shpëtojnë kërkimit të INTERPOL-it, e

Pasaportat që i shpëtojnë kërkimit të INTERPOL-it, e

Shkresa e Muçës

Dokumenti më sipër përmban versionin e historisë së Ervin Muçës, ish-drejtor i Teknologjisë dhe Informcionit në Ministrinë e Brendshme. Ai tregon se TIMS ka qenë i manipuluar dhe se kopja u krye për të kapur manipulimin. Njerëz të caktuar, sipas tij kanë mundur të levizin lirisht pa u gjurmuar nga sistemi, edhe pse mund të kenë qenë shpallur në kërkim nga Interpol.

Emrat e mësipërm janë zbuluar nga Muça dhe kanë dalë nga ekzaminimi që i është bërë kopjes së programeve të TIMS në maj të vitit të kaluar, por nuk dihet nëse emra të tjerë kanë përfituar nga e njëjta manovër para para se të kryhej një kopje e sistemit.

Rrjedha e ngjarjeve që tregon ish-Drejtuesi i Departamentit të Teknologjisë dhe Informacionit shpjegon edhe përse vartësit e tij në ministri i bënë rezistencë urdhrave për t’i marrë një kopje të sistemit, apo se përse Rama dhe Balla gënjyen që skandali i vërtetë të kalojë në heshtje.

Me gjithë pikëpyetjet që përmban, versioni i Ervin Muçës për skandalin e TIMS mbetet një dëshmi e fortë që tregon se sistemi TIMS ka të çarat e tij dhe se të paktën deri në maj të vitit të kaluar, sistemi ka qenë i korruptuar dhe pasaportat e njerëzve të caktuar mund t’i shpëtonin autoriteteve./Lapsi.al

About Krye Redaktor

Check Also

Bumerangu “tiktok” do t’i kthehet Ramës me votë në zgjedhjet e 11 majit

Franc NURI Lajmi se aplikacioni « Tiktok » do të mbyllet për 1 vit nga …