Doktrina e guximit: Zgjedhja e vetme e demokratëve

Nga Pranvera SHEHAJ

Mbetet mistike të zbërthesh se si natyra njerëzore përpëlitet në dilemat e brendshme të dy forcave. Ndërkohë që ndokujt do t’i zgjohej mendimi për luftën mes të mirës dhe të keqes, mua jo. Për mua, luftë e kësisojtë e forcave të latuara në shpirtin mëkatar të humanëve, është e fituar dhe gjithçka që duket se tregon të kundërtën, është vetëm stacion mashtrues e makth i përkohshëm që përçart të pabindurit dhe sprovon durimin e të bindurve. Lufta në fjalë, në intrigën e kuriozitetit tim është në fakt midis humbjes dhe guximit. E tillë luftë, në kontekstin politik aktual shqiptar është e personifikuar në një betejë që rrënjos fatin e bashkëkombasve të mi brenda dhe jashtë kufirit. Rrëshkitur qorrazi apo me vetëdijen e nënshtruar ndaj frikës, Shqipëria ngjason sot me një humnerë të dënuar për të rrokullisur fatalisht shqiptarët e saj, me të vetmin shpëtim nga humbja në asgjënë e humnerës, largimin. Të mbeturit iu dorëzuan represionit politik që erdhi tinëzisht 11 vite më parë. Disa përdhosën veten e u krenuan me vetëshitjen, të tjerë u pajtuan dhe bashkëjetuan me zhurmat e ndërgjegjes duke vuajtur turpin e heshtjes, të tjerë vuajtën të pabindur mosshkeljen e parimeve të tyre, e mos-negociimi i parimeve është vetëm dëshmi e fisnikërisë në origjinë, karakter dhe personalitet. Këtyre të fundit u detyrohet sot e vetmja forcë opozitare që mban mes dhëmbesh identitetin e saj dhe kacavirret në rrjetën e një sistemi meskin të vrasjes së subkonshit të kombit e të vetë kombit, në linjë me stemën e fundit të timonit të pushtetit: Samo Pravo*.

Partia Demokratike duhet të jetë sot në fakt në pozitat më të rehatshme të aksionit të saj politik. Fundja ky është arti i kthimit të gjithçkaje në favor dhe plotkuptimi i shprehjes: kapja e fatit prej flokësh. Demokratët nuk duhet të jenë për së katërti viktimë e kufizimit të zgjedhjes mes alternativës dhe risisë e t‘i kërkojnë njëri tjetrit limitet e përpjekjeve për të qenë ndryshe nga ata. Historia bërtet tashmë për ndryshimin mes PD dhe atyre duke i vendosur demokratët përballë një detyre që shkon përtej kësaj që historia është e zonja të bëjë vetë. I pari obligim i demokratëve është shmangia e çarkut i cili, edhe pse i kalbur, i ka kushtuar atyre tre humbje përballë iluzionit të zgjedhjeve që ka krijuar autokrati me bekimin e ndërkombëtarëve (përsa kohë heshtja kur në dorë ke shumëçka, për mua është dakordësi). Partia Demokratike duhet të shkojë sot drejt deklaratave solemne për disa qëndrime të panegociueshme duke vetëshpallur Doktrinën e saj të guximit, atë që tejkalon detyrimet diplomatike dhe ushqen vetëm qëllimin final, marrjen e pushtetit. PD-së sot i duhet të forcojë identitetin duke u ngritur në lartësinë e aftësisë për të ndarë si me thikë miqtë dhe armiqtë. Ndonjëherë forcimi i identitetit të çon deri në kufijtë e denatyrimit ideologjik, por janë emergjencat jetike politike ato që legjitimojnë qëllimin si justifikim për mjetin.

Vetëm të paaftët rrethohen nga miq të pabesë dhe armiq të pasigurt. Vetëm të parrezikshmit përvishen nga keqardhja e miqve të pabesë dhe sehiri i armiqve të pasigurt. Vetëm solemniteti si pasojë e guximit, do të mund ta propozojë PD-në përballë shqiptarëve si forcë të rrezikshme mjaftueshëm për t‘i kallur krupën një autokrati. Në politikë, i afti pozicionohet, pozicionohet me qëndrim, me besim, me identitet, me argument dhe në fund me zgjedhje. Politika nuk është mbijetesë me dhëmbët e frymës dhe kushdo që e përdor atë vetëm për të justifikuar ekzistencën është casus dështimi. Politika është qëllim dhe qëllimi është vetëm vrasja politike e kundërshtarit dhe fitorja në emër të besimit se kombi ka nevojë për ty. Rrugëtimi drejt fitores nuk mund të jetë diplomaci fund e krye, as nuk shijon e as nuk garanton arritjen e qëllimit final ai si i tillë. Rrugëtimi drejt fitores është në qindra çaste pozicionim, zgjedhje dhe dyluftim. E tashmja i legjitimon PD-së zgjedhjen vetëm të vetes duke e shkompleksuar dhe çliruar nga çdo stepje që buron nga detyrimet diplomatike. PD duhet të zgjedhë vetëm veten dhe qëllimin final. Vetëm një PD e guximshme ngjall tek shqiptarët besimin se është e aftë mjaftueshëm, së pari për të marrë hak, së dyti për t‘u dalë zot, së treti për t‘u ofruar të ardhme.

Doktrinën  e guximit dhe solemnitetin e PD e shoh jetik dhe të panegociueshëm në tri çështje:

Së pari, ndërsa lideri i saj është i burgosur politik prej 6 muajsh nga një autokrat – të cilit ndofta pushteti i shëroi shumë njolla psikologjike e trauma të manifestuara pa dashur, por kurrë s‘mundi t’i kamuflojë inferioritetin intelektual, moral e njerëzor ndaj liderit të së djathtës, – trenat e ambasadave të huaja kalojnë e ndërrohen shpesh në Shqipëri, e kur ndalen urdhërojnë gjyqësor e përtej gjyqësorit, por diplomacinë e patën të akullt ndaj mobilizimit për zhdukjen e së djathtës. Në fakt unë për PD shoh dritë jeshile në këtë qëndrim symbyllurazi të udhëtarëve të trenave turistikë diplomatikë në Shqipëri, dritë që më legjitimon çdo diskurs apo veprim përtej korrektësisë diplomatike. Nëse si parti, në këtë padrejtësi të kobshme politike jam vetëm, bekuar qofsha në vetminë time për të marrë hak dhe për ta rikthyer drejtësinë në këtë çështje me çdo mjet brenda dhe jashtë institucioneve tek i cili më drejton guximi. Braktisja në këtë rast është bekim për të mos patur frikë nga mosdakordësia e sërish, bekuar qofsha në guximin tim për të thyer ligjësitë e hipokrizisë diplomatike sepse dinjitetin tim politik ndërsa kaloj përtokë e gjej dhe pa dashur e shkel. Bekuar qofsha në lirinë dhe vetminë time Sovraniste për ta marrë fatin në dorë me guxim, me çdo çmim!

Së dyti, që ne shqiptarët e kemi adrenalinë të rutinës ditore spiunazhin, edhe pse tingëllon cinike dhe thjesht detaj, është pohim që ia kanë lënë të shkruar historisë edhe kalimtarë në Shqipëri në ditarët e tyre. E di, ka shijuar e shijon si sport, por më mjafton një rast kundër për ta hedhur tutje këtë pohim. Edhe pse rastet kundër m’i ka rrënjosur në kujtesë historia e vendit tim, zgjedh t‘i referohem atyre të dëshmuara dhe përjetuara. Janë qindra-mijëra demokratët që patronazhimit, kërcënimeve dhe persekutimeve të epokës demokratike i bënë karshillëk me qëndresë, shumica duke shtrënguar dhëmbët e frymës e duke kujtuar se si historia përsëritet e shpesh qenkemi të dënuar të jetojmë fatin e trashëguar qoftë në mallkime a urime, të tjerë, mbyllën derën pas vetes pa e kthyer kokën pas, të tjerë u kacafytën deri në përndjekje nga të fortët e rilindur, të rilindur a thua shëmbëlltyrë aq e denjë e etërve. Pyes nën efektin emocional që ndoshta shkakton përjetimi në lëkurë i këtij realiteti, a nuk iu detyrohet Partia Demokratike këtyre demokratëve? A nuk meritojnë këta shqiptarë që mbartin me dinjitet cilësitë më të vyera të karakterit kryeneç, së paku të ndjejnë se sakrifica për bindjet e tyre politike e paguar me tmerrin psikologjik dhe ekonomik të vrasësve të votës së lirë nuk do të kalojë pa u shpaguar? Për pak do të jenë 12 vite përjetime të një drame që i riktheu të djathtët pas në kohë, e për të dytën herë s‘patën frikë të mbesin stoikë. Pse Partia Demokratike duhet të ketë frikë nga ngritja në lartësinë e guximit për t‘i dalë zot votës së lirë, duke dëshmuar forcë, forcë për të kallur frikë?! I padrejti nuk ka turp, i padrejti ka vetëm frikë, frikë nga hakmarrja e atij që haku i është marrë për së gjalli.

Kapitulli i tretë i Doktrinës së guximit është qëndrimi i qartë dhe bërtitës ndaj çështjeve që ndajnë kufirin mes globalizmit (tashmë atij subjekt të axhendave) dhe sovranizmit. Këtu i referohem emigracionit, shpopullimit dhe luftës ndaj familjes përmes haluçinacioneve seksuale.  Së pari, më kujtohet një bisedë me një nga profesorët e mi të doktoratës në Vjenë, gjerman dhe ekonomist i lartë në qeverinë gjermane. Ndërsa unë i ankohesha se ulja e standardeve të vendeve gjermanishtfolëse ndaj emigrantëve po zbehte sakrificën time për t‘u arsimuar në shtete me cilësi të lartë, ai fillimisht qeshi e më tha se vuaja nga sindroma e Groucho Marx*, e më pas u shpreh: “Qëllimi ynë si Gjermani apo Austri është të jemi selektivë edhe në këtë krizë të fortë të emigrimit masiv. Nuk kemi asnjë problem me emigrantët nga Evropa Juglindore, ata përshtaten dhe integrohen me lehtësi. Problemi ynë është me emigrantë nga vende rrënjësisht ndryshe nga ne, sidomos në civilizim, sepse është e pamundur të gjesh formën për t‘i integruar në shoqërinë tonë.” Në të njëjtën vijë logjike e shoh legjitime për PD të pozicionohet qartazi kundër emigrantëve që nuk kanë asnjë mundësi, dëshirë apo aftësi për t’u afruar kulturalisht me shqiptarët apo ta ndihmojnë vendin të bëjë progres. S’ka vend për kompleks, ujëra devijuese a stepje për qëndrim kundër. Së dyti, PD duhet të ketë guximin të tejkalojë indoktrinimet argumentative të lirisë së individit, dhe t‘i shpallë luftë përmes propozimit të ligjeve për ndalimin e aktivitetit influencues të armiqve të familjes, prej së fundmi paguesve të surrogacisë që synojnë krijimin e një bordelloje indiane në Ballkan, deri tek armiqtë e familjes që haluçinacionet seksuale primitive sa vetë njerëzimi, i manifestojnë sot në shkolla dhe ambjente me fëmijë e të rinj. Asnjë forcë e djathtë nuk mjaftohet me komente të moderuara ndaj çështjeve kaq jetike. Prej tyre si detyrë ndaj ZOTIT dhe kombit kërkohet shumë më shumë, duke nisur prej ligjeve për ndalimin e fuqisë së armiqve të familjes: çensurë, shfuqizim ligjesh civile për ta, dënim ligjor në rast të prekjes psikologjike apo fizike të fëmijëve dhe adoleshentëve. Familjes i krijohen kushtet për të lulëzuar kur janë luftuar së pari armiqtë e saj. Edhe për këtë, PD-së i duhet Guxim!

Në rikapitullim të mendimeve, e gjej veten tek një deklaratë solemne e liderit historik të demokratëve, e cila paksa e përvetësuar në përshtatje do të ishte: Ja guxojmë, ja shuhemi*!

Pranvera Shehaj

*Samo Pravo (serbisht) –  Vetëm Përpara (shqip): Slogani i fushatës së spastrimit etnik në Kosovë, Bosnjë dhe Kroaci nga Milosheviç (1981-1999) – slogani i Rilindjes në zgjedhjet e fundit.

*Sindroma e Groucho Marx: “Unë kurrë nuk do t’i bashkohesha një klubi me standarde aq të ulëta sa të më lejonte edhe mua si anëtar”.

*Ja fitojmë, ja shuhemi!

About Redaksia

Check Also

Kur mediat nuk kanë interesin publik primar, por pagesat nga inceneratorët…

Nga Adriana KALAJA Sot gjithë mediat që paguhen nga inceneratorët, dhanë lajmin e dosjes së …