Partia e Kancelarit Scholz përfundon e treta në zgjedhjet e së dielës në Gjermani

Fituesi i zgjedhjeve për Parlamentin Evropian në Gjermaniështë Unioni CDU/CSU. Partitë simotra së bashku kanë fituar, sipas rezultateve të para jozyrtare, rreth 29,5% të votave. Kristiandemokratët CDU kanë fituar rreth 23,4%, ndërsa kristiansocialët CSU rreth 6,2%. Ndërsa humbësit më të mëdhenj janë partitë e koalicionit në pushtet në Gjermani: socialdemokratët, ekonologjistët dhe liberalët. Partia socialdemokrate SPD ka fituar sipas prognozave të para vetëm 14,1%, ndërsa ekologjistët kanë rënë në 12,1%, e kjo parti është edhe humbësja më e madhe e zgjedhjeve me një minus prej më shumë se 8% krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Më në fund liberalët kanë fituar reth 4,9%, që është afërsisht sa edhe në zgjedhjet e kaluara. Kandidatja e SPDpër zgjedhjet evropiane Katarina Barley u shpreh shumë e zhgënjyer me rezultatet e votimit. Ndërsa partitë opozitare në Gjermani kërkuan përgjegjësi të partive në pushtet edhe sa i përket politikës brenda vendit. Kryetarja e SPD Sasia Esken tha se në ditët në vijim do të analizohen rezultatet dhe do të ndërmerren masa.

Pas partive të Unionit CDU/CSU, fituesit më të mëdhenj të këtyre zgjedhjeve janë Alternativa për Gjermani AfD, e cila angazhohet për ndryshime rrënjësore në Bashkimin Evropian si dhe Lëvizja majtiste e Sahra Wagenknecht, që është themeluar para disa muajve. AfD ka fituar sipas prognozave të para rreth 16,3% që do të thotë se kjo parti në këto zgjedhje ka zënë vendin e dytë në Gjermani. Ndërsa Lëvizja e Sahra Wagenknecht (BSW) rreth 5,7%. Të gjitha partitë e tjera në Gjermani janë nën 5%. Por eurodeputetë do të kenë edhe shumë parti të tjera gjermane, sepse për zgjedhjet në Parlamentin Evropian nuk ka ndonjë prag prej 5%..

Parlamenti Evropian do të ketë 720 mandate, prej tyre 96 nga Gjermania. Të drejtën e votës në Gjermani e kanë pasur 65 milion votues. Ndërsa në të gjithë Bashkimin Evropian janë ftuar për votime rreth 365 milionë votues. Për herë të parë kanë votuar edhe të rinjtë nga mosha 16 vjeçare.

Shikuar në nivel evropian, krahu i djathtë politik i komisioneres së deritanishme Ursula von der Leyen ka fituar më së shumti vota, që do të thotë se blloku i partive të këtij krahu mund të konsiderohet si fitues i zgjedhjeve në nivel evropian.

Por kjo nuk do të thotë se ajo do të vazhdojë të mbetet në këtë post, sepse rezultatet nga shumë vende duhet të konfirmohen, e priten edhe negociata shumë të vështira mes blloqeve të ndryshme politike në Parlamentin Evropian.

 

About Krye Redaktor

Check Also

Scholz shkarkohet në Bundestag, të djathtët drejt fitores së zgjedhjeve me 23 shkurt në Gjermani

Kancelari Olaf Scholz humbi votë-besimin në parlamentin gjerman të hënën, duke e çuar shtetin me …