Pastrimi i parave/ Rritet çmimi i shtëpive në Tiranë, i papërballueshëm për qytetarët!

Çmimi i shtëpive është bërë i papërballueshëm për shumicën e popullsisë, për shkak të kërkesës së lartë, teksa në anën tjetër në kontrast qëndron fakti që një pjesë e stokut të banesave janë bosh.

Profili i Shqipërisë për Zhvillimin Urban, Strehimi dhe Menaxhimin e Tokës, publikuar këto ditë nga Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Europën, sjell në vëmendje arsyet që e kanë bërë blerjen e një banese të papërballueshme për shumicën e popullatës.

“Ndërsa Shqipëria ka disa nga normat më të larta të banesave të pabanuara në Europë, shkalla e mbipopullimit për popullsinë tejkalon 58 për qind, më e larta në Europë, me përjashtim të Malit të Zi.

Këto pabarazi strukturore janë rezultat i rritjes së niveleve të pabarazive sociale dhe hapësinore. Boshatisjet kanë rrjedhur nga emigracioni masiv nga zonat më të varfra dhe rurale, nga njëra anë, duke rezultuar në prona të shumta të shkreta.

Nga ana tjetër, grupet më të pasura kanë investuar në prona të reja si një “strehë e sigurt”, shpesh duke i lënë këto prona të pabanuara. Kjo vetëm gjeneron kërkesë të mëtejshme dhe rritje të çmimeve në zonat me kërkesë të lartë.

Pastrimi i parave ka qenë një tjetër faktor kontribuues në rritjen e çmimeve të banesave në Tiranë dhe në zonat bregdetare të Shqipërisë.

E kombinuar me të ardhurat mesatare të ulëta të disponueshme të familjeve, e bën blerjen e një shtëpie të re në zonat e dëshiruara të papërballueshme për shumicën.

Kjo ka çuar në norma të larta të mbipopullimit, veçanërisht në mesin e grupit me të ardhura të ulëta. Tirana është një nga shtatë qytetet kryesore europiane me nivelet më të larta të papërballueshmërisë së banesave” vlerëson raporti.

Sigurimi i strehimit të sigurt, të përballueshëm dhe të përshtatshëm ka qenë shqetësimi kryesor për politikën kombëtare të strehimit.

Në krye të parathënies raporti sjell në vëmendje garantimin e të drejtës për strehim të përshtatshëm.

“Neni 59 i Kushtetutës së Shqipërisë njeh të drejtën për strehim të përshtatshëm dhe të përballueshëm si një nga objektivat sociale të shtetit shqiptar. Gjithashtu, neni 18 për barazinë siguron mbrojtjen e grupeve të ndryshme sociale kundër çdo forme diskriminimi.

Pas privatizimit masiv dhe ndërtimeve informale në vitet 1990, sektori i banesave në Shqipëri është dominuar nga pronësia e shtëpive private, me shumë shtëpi të reja vetë-ndërtuara dhe ndërtesa të tjera të ndërtuara fillimisht ilegalisht dhe në zona të banuara.

Sektori social i banesave me qira (qoftë publik, privat apo i përzier) përfaqëson vetëm rreth 0.1 për qind e totalit të banesave të banuara dhe nuk mund të konkurrojnë me tregun privat.

Tregu hipotekor (në këtë rast ka të bëjë vetëm me shtëpi që blihen nga kreditë interesat e të cilave i subvencionon shteti si pjesë e programeve të caktuara) gjithashtu sapo po zhvillohet, me më pak se 1 për qind e pronarëve të shtëpive që paguajnë aktualisht një të tillë.

Kjo është pjesërisht për shkak të rolit të rëndësishëm të sektorit informal dhe të vetë-ndërtuar, ku janë aktivitetet e ndërtimit financuar kryesisht nëpërmjet parave vash dhe remitancave.

Zhvillimet e organizuara formale (ndërtimet e reja të pallateve) synojnë segmente të banesave me çmim të lartë në zona me kërkesë të lartë dhe janë të papërballueshme për shumicën e popullsisë” thuhet në raport./ MONITOR

About Redaksia

Check Also

Berisha: Kushtetuesja mashtroi hapur! Gjykatësja me 5 mbiemra ka qenë në konflikt flagrant interesi

Kryetari i opozitës, Sali Berisha, denoncoi në Çim Peka Live një tjetër mashtrim nga vendimi …