80 vjet nga pushkatimi nga nazistët i av. Skënder Muço, nacionalist i shquar antifashist

Bujar LESKAJ
12 gusht 1944-12 gusht 1994 :
80 vjet nga pushkatimi nga nazistët i av. Skënder Muço, nacionalist i shquar antifashist, themelues dhe drejtues i Ballit Kombëtar , themelues i Partisë Socialdemokrate në 1944 dhe bashkëluftëtarëvetë tij , nacionalistëve dr.YZEIR ISMAILI (ALIMERKO) e ZAKO MEZINI.
Skënder Muço (1904-1944) ishte avokat, drejtues i lartë i Ballit Kombëtar, themelues i së parës parti Social-Demokrate dhe së bashku me Musine Kokolarin themelues i gazetës “Zëri i Lirisë, organ i kësaj partie, si një alternativë e krahut të Ballit Kombëtar, që kishte një program socialdemokrat, siç konfirmohet dhe me “Dekalogun” e Mit’hat Frashërit.
Skënder Muço, lindi në fshatin Tragjas të Vlorës në vitin 1904. I ati, Dauti, ishte luftëtar i Pavarësisë . Mbas vdekjes së të jatit u ndihmua për shkollimin nga dajoja i tij Alem Memet Tragjasi, pjesëmarrës në ngritjen e flamurit më 1912 dhe në luftën e Vlorës më 1920.
Shkollën fillore e kreu te Arbreshët e Italisë, në Shëmitër Korone të Kalabrisë, ndërsa fakultetin e Drejtësisë në Universitetin prestigjioz të Bolonjës.
U kthye në Atdhe dhe ushtroi me sukses profesionin avokat. U arrestua në vitin 1932, si pjesëtar i organizatës politike anti Zogiste, “Lëvizja e Vlorës”, bashkë me Hasan Dostin, Hysni Lepenicën dhe miq të tjerë dhe ishte aq aktiv, sa u dënua me vdekje. Falet prej një amnistie të nënshkruar nga Mbreti Zog.
Më 7 prill 1939, me prof.Isuf Luzajn dhe atdhetarë të tjerë, mori pjesë në demonstratat antifashiste organizuar në Vlorë, kundër pushtues të Atdheut.
Në fund të nëntorit 1942, Hysni Lepenica dhe Skënder Muço, formuan çetën e parë nacionaliste të Vlorës me emrin “Shqiponja”. Në krye të saj, ata morën pjesë në shumë luftëra kundër pushtuesve fashistë e nazistë, siç mund të përmendim betejën e parë masive antifashiste të Gjormit, luftën e Dukatit, të Qafën e Dushkut, në Vajzë, në Selenicë, në Gorisht, në Drashovicë, etj, ku bashkë me forcat nacionalçlirimtare, kombinuan disa herë aksione të përbashkëta e të suksesshme.
Skënder Muço ishte misionar dhe iniciator i bashkimit të forcave politike ndërluftuese. Ai, ka marrë pjesë në disa takime gjurmëlënëse dhe efektive në rrethin e Vlorës me të tjera forca nacionaliste si dhe me përfaqësuesit e Nacionalçlirimtares. Skënderi, për shumë kohë, ishte kreu i Ballit Kombëtar për Vlorën dhe pjesëtar i këshillit organizativ kombëtar. Në këtë pozicion u thërrit në Konferencën e Pezës dhe mori pjesë aktive në Konferencën e Mukjes dhe në takime të tjera historike.
Merita më e madhe e Skënder Muços qëndron te fakti se ai ishte koordinator i Ballit Kombëtar me Aleatët e Mëdhenj Antifashistë, sidomos direkt me misionin anglez të Anton Ruejlit dhe me misionin e Togerit amerikan Tomas.
Në Konferencën e Mukjes Skënder Muço , si përfaqësues i Vlorës dhe Ballit Kombëtar ishte një zë i fuqishëm, që dha një ndihmesë të çmuar për arritjen e marrëveshjes dhe të krijimit të Komitetit për Shpëtimin Kombëtar, në të cilin u zgjodh anëtar. Dr.Skënder Muço frymëzoi e drejtoi disa beteja të përbashkëta të forcave nacionaliste dhe nacional çlirimtare kundër pushtuesve italianë e gjermanë.
Avokat Skënder Muço, së bashku me dy bashkëluftëtarët që e shoqëronin kudo që shkonte, dr.Yzeir Ismaili dhe Zako Mezini, kapet me pabesi dhe arrestohet nga gjermanët, më 10 gusht 1944, në Urën e Izvorit,Orikum.
Ai u ekzekutua dyditë më vonë , më 12 gusht 1944,pranë fshatit Bubullimë të Lushnjës.
Ndërkohë edhe vëllai i tij me nënë, Xhevit Mëhilli nga Dukati, i diplomuar gjithashtu në Itali ishte një nga drejtuesit dhe themeluesit e Ballit Kombëtar në Vlorë. Për aktivitetin e tij partiotik pas vitit 1944 u dënua me burg të gjatë nga komunistët.
Skënder Muço ishte i njohur si një nga njerëzit e besuar të anglo-amerikanëve dhe njeriu i ngarkuar për të organizuar mbështetjen e shqiptarëve, sidomos në zonën e Tragjasit- Dukatit e Vlorës për zbarkimin e aleatëve. Ai në atë kohë gëzonte një popullaritet të madh në zonë dhe ishte i pranueshëm nga të gjitha palët, komunistë e nacionalistë. Ishte koha kur misionet po përgatisnin kryengritjen e përgjithshme kundër gjermanëve dhe në Jug të vendit, avokat Skënder Muço ishte i përzgjedhuri i tyre për faktin se ishte i aftë politikisht, zotëronte disa gjuhë të huaja, kishte mbështetje në popull, ishte për bashkim kombëtar e luftë të përbashkët kundër gjermanëve.
Në shkurt të vitit 1944, Skënder Muço, u jep një projekt marrëveshje të shkruar, oficerëve britanikë në Shqipëri. Ai takon majorin Antoni Kuell në Dukat, ku ai kishte shtabin, dhe i kërkoi që këtë marrëveshje ta dorëzonte në komandën ushtarake të Aleatëve në Kajro. Skënder Muço kërkoi gjithashtu që të udhëtojë drejt Kajros për të finalizuar marrëveshjen. Kjo marrëveshje përmban disa pika mjaft interesante. Balli Kombëtar kërkonte nga britanikët që ata të siguronin pavarësinë e Shqipërisë pas lufte dhe në këmbim, ata ofronin gjithë mbështetjen e tyre ushtarake për të luftuar gjermanët, madje nën komandën e oficerëve britanikë.
Propozimi i Skënder Muços kishte këtë përmbajtje:
1-Pavarësinë e Shqipërisë pas luftës.
2-Marrjen e ishullit të Sazanit.
3-Pagesat e dëmeve të luftës nga italianët.
4-Përjashtimin e trupave italiane dhe greke nga operacionet në Shqipëri.
5-Ndihmë për Shqipërinë pas luftës.
Skënder Muços iu tha gojarisht nga anglezët se politika jonë është të ndihmojë këdo që do t’u rezistojë gjermanëve.
Marrëveshja u shqyrtua nga zyra politike e aleatëve në Kajro dhe iu nis për miratim edhe Ministrisë së Jashtme Britanike.
Lufta e Dytë Botërore, e përfshiu të gjithë popullin shqiptar. Ajo shërbeu si një filtër i madh social, ku klasat dhe shtresat e ndryshme të shoqërisë shqiptare u diferencuan qartë përballë luftës kundër pushtuesit nazifashist, për çlirimin dhe rivendosjen e pavarësisë së shtetit shqiptar.
Qysh në orët e në ditët e para të pushtimit, në krah të pushtuesit italian u evidentua qartë grupimi i kuislingëve dhe i kolaboracionistëve, por duhet theksuar se pjesa më e madhe e forcave balliste, që drejtoheshin nga Hysni Lepenica, Abaz Ermeni, Safet Butka, Muharem Bajraktari, Skënder Muçoetj, vazhduan luftën edhe kundër pushtuesve gjermanë.
Avokat Skënder Muço, ishte njëkohësisht antikomunist, po dhe antifashist e antinazist (deri sa ata e vranë). Ai e donte Shqipërinë e Lirë me Kosovë e Çamëri dhe me drejtim perëndimor, sipas vendimeve të proklamuara prej tij në Konferencën e Mukjes.
Janë këto arsyet që Skënder Muçon e nderojnë dhe e respektojnë në mbarë vendin dhe akoma më shumë Vlorë ,në fshatin e tij Tragjas , fshatin e dëshmorëve dhe në gjithë Labërinë.Ai, i pushkatuar nga pushtuesit Gjermanë, me të drejtë legjitime është shpallur dhe vendosur në listën e dëshmorëve të luftës për Atdhe, mbas fitores së demokracisë 1992.
Në 1994 qeveria Meksi i shpalli Dëshmorë të Atdheut të zre nacionalistët e pushkatuar nga nazistët dhe presidenti Sali Berisha e nderoi av.dr.Skënder Daut Muço , në gusht 1994 ,me titullin më të lartë “Urdhri i Flamurit kombëtar i klasit I”, me motivacionin: “Për merita të shquara në luftën për bashkimin dhe lartësimin e kombit, për unitetin kombëtar, lirinë dhe përparimin e atdheut!”
Këtë vit 2024, në përkujtim të 80 vjetorit të ndarjes nga jeta dhe 80 vjetorit të çlirimit nga pushtuesit nazi-fashistë,studiuesi i njohur e i apasionuar pas figurave e ngjarjeve të shquara historike e nacionaliste ,luftëtari i dritës në demokraci ,z.Enver Memishaj –Lepenica autor i disa librave për heroin Hysni Lepenica , Luftën e Vlorës 1920 dhe organizatat e ngjarjet në Luftën antifashiste 1939-1944, ka përgatitur dhe së shpejti do botojë librin studimor mbi aktivitetin patriotik të Av. Dr. Skënder Muço.Mbi bazën e këtij libri(draft) kam përgatitur këtë postim modest më 12 gusht 2024, datën/ditën përkujtimore.
Vlora, ky qytet me histori të madhe kombëtare i ka borxh të madh Heroit antifashist , nacionalistit demokrat, intelektualit properëndimor avokat dr.Skënder Muço.
Brenda muajit tetor “Instituti i Studimeve Politike “Ismail Qemal- Vlora” do të organizojë një akademi përkujtimore për jetën dhe veprën e luftëtarit antifashist
dr.Skënder Muco dhe dëshmorëve të atdheut dr.Yzeir Ismail Alimerko e Zako Mezini.
Të paharruar përjetë luftëtarët e lirisë dhe demokracisë !

About Krye Redaktor

Check Also

Pse ishtë “gjë e mirë” ky lajmi i shpërndarë për Parashqevi Simakun?

Nga Adriana KALAJA Kur shoh këtë histerinë kolektive për Parashqevinë, me gjithë mirënjohjen pafund që …