BIRN: Testimi i parë i kampit të Gjadrit del bllof

Një anije ushtarake me vetëm 16 refugjatë të shpëtuar në detin mes Italisë dhe Afrikës u nis nga Lampedusa me destinacion Shëngjinin, në tentativën e parë për të vënë në punë një plan me kosto prej qindra milionë eurosh për të “procesuar” në Shqipëri kërkesat për azil, në atë që media dhe opozita italiane e konsideron si një platformë propagandistike me kosto të stërmadhe.

Një anije ushtarake italiane me kapacitet 80 marinarë dhe 200 “pasagjerë” nisi lundrimin nga Ishulli i Lampedusës në afërsi të Tunizisë deri në Shëngjin në Shqipërinë e veriut, një distancë prej mbi 1,200 kilometrash, për të sjellë për “përpunim” 16 refugjatë, dhjetë nga Egjipti dhe gjashtë nga Bangladeshi, njoftoi media italiane, në atë që gazeta La Repubblica e cilësoi si “bllof”.

Nisi në këtë mënyrë përpjekja kontroverse e qeverisë së ekstremit të djathtë në Itali të drejtuar nga kryeministrja Giorgia Meloni në bashkëpunim me kryeministrin e majtë të Shqipërisë Edi Rama për të “procesuar” në Shqipëri kërkesat për azil, pasuar nga një riatdhesim i shpejtë i të refuzuarve, me shpresë se një masë e tillë do të diskurajojë turmat e migrantëve të dëshpëruar, të cilët nisen zakonisht nga brigjet e Libisë në një udhëtim shumë më të gjatë dhe të rrezikshëm nga ai që ndërmerrnin shqiptarët nga brigjet e Vlorës për në Italinë e jugut dy dekada më parë.

Përpjekja, e cila pritet t’i kushtojë taksapaguesve italianë mbi 800 milionë euro, synon që të procesojë në Shqipëri jo më shumë se 3 mijë persona në muaj për një total prej 36 mijë personash në vit. Por para se të sjellë migrantët në Shqipëri, qeverisë italiane iu desh të kalojë disa filtra ligjorë, të tillë si fakti që familjet që udhëtojnë sëbashku të mos ndahen, gratë dhe fëmijët të mos sillen në Shqipëri dhe personat që i përkasin vendeve jo të sigurta, ku përfshihet shumica e vendeve të Afrikës e të Azisë, të procesohen në itali gjithashtu.

Rezultati i këtyre kufizimeve është që një numër i vogël migrantësh nga një numër i vogël vendesh të cilat Italia i ka klasifikuar si “vende të sigurta origjine” mund të sillen në Shqipëri dhe kjo shpjegon se në bordin e anijes ushtarake që pritet të mbërrijë në Shëngjin  janë  vetëm azilkërkuesit nga Egjipti dhe Bangladeshi. Të dyja këto vende nuk janë në fakt shumë të sigurta: Egjipti është nën kontrollin e një diktature ushtarake ku njerëzit zhduken nëpër ingranazhet e policisë sekrete ndërsa Bangladeshi gjendet në mes të trazirave pas protestave antiqeveritare të cilat qeveria tentoi t’i shtypë me dhunë duke i marrë jetën qindra protestuesve.

Rrjedhimisht, nëse nga të 16 azilkërkuesit që pritet të mbërrijnë në Shqipëri do të ketë individë që do të arrijnë të bindin gjyqtarët italianë se u rrezikohet jeta në Egjipt apo në Bangladesh, ata do të lejohen të udhëtojnë drejt Italisë me statusin e refugjatit ndërsa taksapaguesit italianë do të paguajnë për udhëtimin drejt Shqipërisë, udhëtimin drejt Italisë si dhe udhëtimet vajtje-ardhje të gjyqtarëve, avokatëve dhe policëve që duhet të merren me ta në territorin shqiptar.

Pyetur nga media italiane, kryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi se ai nuk ishte i interesuar të dinte se çfarë ndodhte brenda kampit, në përpjekje të dukshme për të larë duart nga shkeljet potenciale të të drejtave të njeriut nga ana e autoriteteve italiane. Juristët gjithsesi vërejnë se ka pak gjasa që në procese gjyqësore pasuese të shkeljeve potenciale të të drejtave të njeriut, Shqipëria të mos mbahet përgjegjëse bashkë me Italinë./BIRN

About Redaksia

Check Also

Tabaku: Të rinjtë në ballë të betejës për fushatën zgjedhore të 11 majit 2025

Partia Demokratike ka zhvilluar ditën e dytë të trajnimit të organizuar në bashkëpunim me Leadership …