Si u keqpërdor Parlamenti për gjobën e Ramës dhe abuzimet e Ballukut

Nga Boldnews.al

Një vendim i Gjykatës së Brukselit, i cili bën të ekzekutueshëm gjobën 110 milionë euro që qeveria shqiptare duhet t’i paguajë biznesmenit Italian, Francesko Beketi, hedh dritë edhe mbi tentativat e dështuara dhe keqpërdorimin e komisioneve parlamentare të drejtuara nga Partia Socialiste, për të shpëtuar skandalin më të rëndë financiar që ka përfshirë qeverinë e Edi Ramës.

Avokatët e qeverisë në procesin gjyqësor në Bruksel kërkuan anulimin e masës së sekuestrove të vendosura ndaj llogarive të “Albcontrol” pranë shoqërisë ajrore të fluturimeve europiane, “Eurocontrol”, pasi, “tashmë kompania ajrore shqiptare ka ndryshuar status juridik dhe, si një ent publik, gëzon imunitet shtetëror nga vendosja e sekuestrove”.

Qeveria shqiptare pretendoi se llogaritë e “Albcontrol” mbrohen nga imuniteti shtetëror

Ky pretendim i qeverisë shqiptare nuk u pranua nga Gjykata e Ekzekutimeve në Bruksel.

Sipas vendimit, një kopje të të cilit e ka siguruar “Boldnews.al”, Gjykata e Ekzekutimeve vlerësoi se vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Ndërkombëtar, me të cilin është gjobitur qeveria shqiptare me 110 milionë euro për çështjen “Beketi” i përket një periudhe kur “Albcontrol” ishte shoqëri tregtare dhe, për më tepër, ligji i ri për kompaninë ajrore, nuk ka efekt prapaveprues.

Gjykata e Ekzekutimeve në Bruksel rrëzoi argumentat e qeverisë shqiptare

Ky zhvillim tregon se ndryshimi me “urgjencë” i statusit të kompanisë “Albcontrol” në Parlament ka qenë pjesë e një strategjie, gjithësesi të dështuar, të qeverisë dhe Parlamentit, për të shmangur gjobën 110 milionë euro.

Por, nga ana tjetër, ky ligj i ri duket se ka pasur tentativë “të fshehur” edhe për të murosur përfundimisht shpenzimet marramendëse dhe të dyshimta abuzive të ish-drejtoreshës së “Albcontrol”, Belinda Balluku, aktualisht zëvendëskryeministre në qeverinë “Rama”.

Keqpërdorimi i Parlamentit nga Rama

Në maj të vitit 2024, Parlamenti miratoi vetëm me votat e socialistëve një projekt të qeverisë, nëpërmjet të cilit u vendos ndryshimi i statusit të shoqërisë të shërbimit ajror, “Albcontrol”, nga një shoqëri aksionere fitimprurëse, në një ent publik të pavarur dhe jofitimprurës.

Projekt-ligji u miratua nga Komisioni Parlamentar i Financave dhe nga ai i Veprimtarive Prodhuese, të drejtuara përkatësisht nga socialistët Eduard Shalsi dhe Arben Pëllumbi, e më tej iu përcoll seancës për votim.

Kryetari i Komisionit Parlamentar të Financave, deputeti socialist, Eduard Shalsi

Projekt-ligji qeveritar kishte qëllim kryesor ndryshimin e statusit juridik të “Albcontrol”. Ky modifikim, sipas versionit zyrtar, bëhej në përputhje me parashikimet e Kodit Ajror të miratuar në vitin 2020.

Në atë Kod, në nenin 85 të tij, parashikohej se “shërbimet e lundrimit ajror ofrohen nga një ent publik ose privat…”. Qeveria, e më tej edhe Parlamenti, vendosën që të miratonin variantin që “Albcontrol” të ishte një ent publik.

Opozita parlamentare ngriti zërin se ky projekt-ligj qeveritar ishte vetëm një tentativë e qeverisë për të shmangur bllokimin e llogarive të shoqërisë “Albcontrol” pranë kompanisë europiane të fluturimeve, “Eurocontrol”, të sekuestruara pas një kërkese të sipërmarrësit Italian, Francesko Beketi.

Dyshimet politike të opozitës konfirmohen në një vendim të miratuar në 17 Tetor 2024 nga Gjykata e Ekzekutimeve të Brukselit, të cilin e ka siguruar “Boldnews.al”.

Çështja “Beketi” fundos financat shqiptare

Nga fundi i vitit 2013 e deri në vitin 2015, bizneset e sipërmarrësit Italian, Francesko Beketi, përfshirë edhe televizionin “Agon Channel”, u gjendër nën një “sulm” të koordinuar politik, me aktorë kryesorë kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin aktual të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Këto “sulme” pasuan me lëshimin e një urdhër-arresti ndaj Beketit dhe disa bashkëpunëtorëve të tij, nën akuzat e “mashtrimit” dhe “pastrimit të parave”.

Urdhër-arrestet nuk u ekzekutuan asnjëherë dhe Beketi, nëpërmjet avokatëve të tij, siguroi një vendim nga gjykatat britanike, në të cilat konfirmohej se ai ishte subjekt i një persekutimi politik. Mbi bazën e këtij vendimi, emri i tij u hoq nga listë e të kërkuarve pranë “Interpolit”.

Në vijim, Beketi iu drejtua Gjykatës së Arbitrazhit Ndërkombëtar të Bankës Botërore (ICSID), në të cilën kërkoi dëmshpërbim për shkatërrimin e bizneseve të tij në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama deklaron se nuk do të paguajë gjobën 110 mln euro për Beketin

Në prill të vitit 2019, Gjykata e Arbitrazhit gjobiti qeverinë shqiptare me 110 milionë euro, gjoba më e rëndë e marrë nga Shqipëria në 40 vitet e fundit. Kryeministri Rama dhe qeveria e tij refuzuan të paguajnë gjobën, duke ndjekur rrugën e ankimit dhe më tej rishikimit.

Të dyja këto tentativa dështuan në Gjykatën e Arbitrazhit dhe, në maj të vitit 2023, gjoba 110 milionë euro u bë e ekzekutueshme. Qeveria sërish refuzoi të paguante gjobën.

Në këto kushte, Beketi ndoqi një rrugë tjetër. Ai iu drejtua Gjykatës Administrative të Brukselit, e cila vendosi bllokimin e llogarive financiare të “Albcontrol-it” shqiptar që kishte pranë “Eurocontrol”, me qëllim kryrjen e pagesës së përcaktuar nga Arbitrazhi.

Vlera fillestare e bllokuar ishte rreth 60 milionë euro, shumë kjo e siguruar nga “Albcontrol” si rrjedhojë e tarifave që paguajnë kompanitë e fluturimeve për ulje-ngritjet dhe tranzitimin në hapësirën ajrore shqiptare.

Ish-pronari i “Agon Channel”, Francesko Beketi

Qeveria refuzoi sërish. Në këto kushte, Beketi iu drejtua Gjykatës së Ekzekutimeve në Bruksel për lirimin e fondeve të “Albcontrol-it” dhe kalimin e tyre në llogaritë e tij. Shuma aktuale e sekuestruar ka arritur në mbi 76 milionë euro.

Rama kërkoi “shpëtimin” tek ligji i ri

Në procesin gjyqësor të zhvilluar në Gjykatën e Ekzekutimeve, qeveria e Edi Ramës tentoi të anulonte vendimin e sekuestrimit të llogarive të ‘Albcontrol”, duke përdorur ndryshimin e statusit të kompanisë ajrore, nëpërmjet ligjit që u miratua në Maj 2024.

Republika e Shqipërisë pretendoi se llogaritë e “Albcontrol” pranë “Eurocontrol”, të vendosura nën sekuestro, mbrohen nga imuniteti shtetëror ndaj ekzekutimit, për sa kohë që subjekti që i mbledh ato shuma, i përdor për qëllime të shërbimit publik dhe jo-tregtar. Gjithashtu, Republika e Shqipërisë pretendoi se çështja duhet të shqyrtohet në dritën e hyrjes në fuqi të ligjit të ri”, citohet në vendimin e Gjykatës së Ekzekutimeve të Brukselit.

Ky pretendim u rrëzua nga trupa gjyqësore, e cila theksoi: “Ligji i ri i “Albcontrol” ka hyrë në fuqi në 18 qershor 2024. Në këtë ligj nuk ka asnjë dispozitë që të ketë efekte prapavepruese. Pra, ky ligj bëhet efektiv (për ngjarje që kanë ndodhur) vetëm pas datës 18 qershor 2024

Gjykata e Ekzekutimit në Bruksel rrëzoi pretendimet e qeverisë shqiptare

Në përfundim, Gjykata e Ekzekutimeve vendosi se kërkesa e Republikës së Shqipërisë (e mbështetur edhe nga Shteti Belg), për mos-lëshimin e urdhërit të ekzekutimit “është e pabazë dhe e papranueshme”.

Çfarë bëhet me kredinë 50 mln euro?

Përpjekjet e dështuara të kryeministrit Edi Rama për të shpëtuar “gjobën Beketi” me ligjin e rij, shoqërohen edhe me një faturë të rëndë financiare.

Në nëntor të vitit 2023, qeveria shqiptare miratoi një kredi me vlerë 5 miliardë lekë të reja ose rreth 50 milionë euro në favor të ‘Albcontrol” sha, me qëllim që ajo të kryente aktivitetin e saj, pas sekuestrimit të llogarive pranë “Eurocontrol”.

Sipas vendimit qeveritar, shoqëria tregtare “Albcontrol” sha do të shlyente këtë detyrim me të ardhurat e saj, të cilat rridhnin nga tarifat e kompanive ajrore ndërkombëtare.

Por, me miratimin e ligjit të ri, tashmë “Albcontrol” nuk është një kompani fitimprurëse, por thjeshtë një “ent publik buxhetor”. Gjë që do të thotë se ajo nuk mund të krijojë fitime dhe, rrjedhimisht, as nuk mund të paguajë borxhin 5 miliardë lekë që i ka marrë qeverisë shqiptare.

Shpenzimet e Ballukut

Ligji i miratuar në Maj 2024, në dispozitat e tij kalimtare, vendos që “shoqëria Albcontrol sha” prishet pa likujdim, çfarë do të thotë se i gjithë aktiviteti i mëparshëm financiar “taposet” dhe fillon një “erë e re” në menaxhimin dhe drejtimin e shoqërisë ajrore, tashmë si një ent publik administrativ.

Opozita është e bindur se ndryshimi i statusit dhe “prishja pa likujdim” ka një prapavijë të fortë politike të maxhorancës, atë për të zhdukur çdo lloj gjurme të “abuzimit të Belinda Ballukut”.

Zv.kryeministrja Belinda Balluku, në kohën kur drejtonte “Albcontrol” sha

Numri dy i qeverisë aktuale ka mbajtur për disa vite postin e Drejtoreshës së “Albcontrol”. Të dhëna të publikuara periodikisht në media flasin për shpenzime të ekzagjeruara financiare, përfshirë festa ekzotike apo blerje tapetësh “70 mijë euro”, gjatë kohës që kompania ajrore drejtohej nga Balluku.

“Prishja pa likuidim”, sipas ligjit të ri, do të thotë që “Albcontrol” sh.a e mbylli aktivitetin e tij financiar pa një bilanc tregtar, pra, pa një analizë të të ardhurave dhe shpenzimeve, duke synuar, me shumë mundësi, “zhdukjen e gjurmëve” të shpenzimeve stratosferike në “periudhën Balluku”.

About Redaksia

Check Also

Ministrat e qeverisë me pasuri 17.2 milion euro, Rama deklaron 2.5 milionë euro

Rilindja duket se nuk ka qenë vetëm një nocion politik i përdorur nga Edi Rama …