Në tubimin e qytetarëve në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha, aktivistja Adriana Tolka preku problematikën e largimit të rinisë nga vendi apo edhe mashtrimin e Ramës me bonusin për pensionistët.
Me tone të ashpra u shpreh se, aq më shumë majmet Rilindja, aq më shumë mjerimi ulet këmbëkryq në vatrat tona.
“Nderime për brezin e tretë, që vazhdon e proteston në një kohë që ka qenë e paimagjinueshme para dhjetë viteve që tani ende do të protestonin për liri dhe demokraci në zemër të Europës.
Në vend që të bëjmë hapa para, bëjmë prapa. Aq më shumë majmet Rilindja, aq më shumë mjerimi ulet këmbëkryq në vatrat tona.
Gjithmonë këtu kam parë me keqardhje që shumica e protestuesve i përkasin brezit të tretë. Për shkak se mosha me vitale është pjesë e hemorragjisë kombëtare, që ka marrë përmasa shkatërruese për kombin, sidomos në këto 12 vite të qeverisjes së Rilindjes.
Me keqardhje ngushëlloj familjen që sot humbi fëmijën 14-vjeçar. Ne vazhdojmë të humbasim fëmijët, humbasin rininë tonë. Një pjesë nga hemorragjia e trurit, largimi i të rinjve dhe një pjesë nga degjenerimi i shoqërisë, nga keq edukimi i brezit të ri.
Humb jetën një fëmijë sot, humb jetën Ardit Gjoklaj në plehrat e Sharrës dhe ende gjaku i tij dhe drejtësia nuk është vënë në vend. Humb jetën Klodian Rasha dhe protestat tona nuk mjaftuan që gjaku i tij të ‘vihej në vend’, që qeveria të rrëzohej.
Dhe sa e sa bij kanë humbur jetën dhe për fat të keq do të vazhdojnë, nëse mbajmë këtë qeveri të korruptuar që ka forcuar policinë për të na ndëshkuar dhe jo për të na mbrojtur.
Rama duke parë që rinia e ka braktisur vendin, ka hedhur sytë nga brezi i tretë për t’i marrë votat. Dhe ai ua vuri çmimin, me 2 gjela deti në vit. Dy bonueset i ruajti nga pensionet që nuk i ngriti, pra i vodhi dhe tani ua kthen me çmimin 2 gjela deti për kokë.
Bëj një pyetje, aq vlen jeta juaj, aq vlen ‘koka’ juaj? Kjo është thirrje për pensionistët që mos të bien pre e mashtrimit të Ramës me bonusin e pensionit”, u shpreh Adriana Toka.