Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Çlirim Gjata, mbajti një fjalim në tubimin në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha, ku u shpreh se nuk ka rrugë tjetër përveç rrëzimit të qeverisë së Edi Ramës.
“Gjykata Kushtetuese pardje mori një vendim jashtë çdo kufiri logjik dhe kushtetues, por edhe tallës. Se kështu ndodh kur je nën thundrën e urdhrave dhe peng i marrëdhënieve të dyshimta dhe antiligjore, që donin të çonin opozitën drejt eliminimit. Tashmë ne këtë e kemi kaluar. Mosbindja civile në të gjitha kushtet opozitare do të shkojë drejt rrëzimit pa kushte të Edi Ramës dhe qeverisë së tij”, tha Gjata, duke shtuar më tej: “Nuk mund të bëhen zgjedhje në këto kushte. E kam thënë dhe vazhdoj ta them, si mund të shkojmë në zgjedhje pa një Gjyqësor të pavarur.
Të nderuar demokratë, të gjithë bashkë, me familjet tona, me miqtë tanë, me zemër dhe fizikisht, ditën e martë duhet të jemi në protestën e mosbindjes civile. Nuk kemi rrugë tjetër, jemi si opozitë të dënuar të dënojmë Edi Ramën. Nuk kemi ku të shkojmë tjetër përveçse të rrëzojmë Edi Ramën”, tha Gjata.