Janë zbardhur detaje të reja nga kontrollet e ushtruara mëngjesin e sotëm me urdhër të SPAK nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Burime bëjnë me dije se kontroll është ushtruar në banesën e Arbër Veliajt, vëllait të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Gjithashtu, mësohet se kontroll është ushtruar edhe në zyrat e fondacionit “Harabel” i themeluar në vitin 2018 nga artisti Driant Zeneli dhe “promotorja kulturore” Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Ndërkohë, mësohet se Ajola Xoxës dhe Arbër Veliajt i janë sekuestruar telefonat me vendim të prokurorit të SPAK, Ols Dado. Mësohet se për kontroll në banesën e kryebashkiakut Erion Veliaj nuk ka ende një vendim Gjykate.
Kontrollet e sotme nga BKH janë ushtruar në kuadër të procedimit penal të filluar që prej muajit Maj të këtij viti për hetimin pasuror ndaj Erion Veliajt dhe familjarëve të tij, bashkëshortes Ajola Xoxa, vëllait Arbër Veliaj dhe të ëmës Shqiponja Veliajt.
Disa kohë më parë, në media u publikua një dokument i firmosur nga Ols Dado, ku SPAK kërkonte t’i vendosej në dispozicion çdo veprim bankar dhe çdo transaksion financiar nga kryebashkiaku Erion Veliaj, bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, i vëllai Arbër Veliaj dhe nëna Shqiponjë Veliaj.
Ditën e sotme që u ushtruan kontrollet nga BKH, kryebashkiaku Erion Veliaj nuk ndodhej në Tiranë, pasi është në një vizitë dy ditore në Hamburg të Gjermanisë.
Lidhur me kontrollet e ushtruara ditën e sotme nga BKH, pati një reagim të shkurtër për mediat dhe nga vetë SPAK, e cila tha se janë ndërmarrë disa veprime hetimore, ndërsa hetimi është ende në faza paraprake.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar informon se janë ndërmarrë disa veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal. Duke qenë se hetimi ndodhet ende në fazën paraprake nuk mund të publikojmë të dhëna apo informacion të mëtejshëm në këtë moment. Faleminderit për mirëkuptimin”, thuhet në reagimin e SPAK.
Akuzat për pastrim parash me kompaninë e Arbër Veliajt
Arbër Veliaj, vëllai i vogël i kryebashkiakut të Tiranës krijoi kompaninë “Gogel” sapo Erion Veliaj u emërua ministër i Mirëqenies Sociale në kabinetin “Rama 1”. Kjo kompani e nisi me një fitim prej 30 mijë lekësh dhe brenda disa vitesh e shumëfishoi atë, me akuza se ka përfituar para publike.
“Gogel” është kompani me objekt veprimtarie marketingun dixhital dhe sipas akuzave, Erion Veliaj i kalon tenderat kompanive përfituese të parave publike dhe këto të fundit si klientë i derdhin paratë në kompaninë e Arbër Veliajt i cili u bën fushatat e marketingut.
Lidhja e fondacionit “Harabel” me kompanitë e inceneratorëve
Fondacioni “Harabel” është themeluar në vitin 2018 nga artisti Driant Zeneli dhe “promotorja kulturore” Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Adresa zyrtare e “Harabelit” është në Sky Tower në zemër të zonës së shtrenjtë të Bllokut të Tiranës dhe është në të njëjtën ndërtesë me praktikën ligjore të Xoxës, “The Partners”, dhe ish-ekzekutivi i programit të Harabelit dhe koordinatori aktual ligjor, Xhoi Skënderasi, gjithashtu anëtar në bordin e kompanisë botuese të Xoxës, Botimet Enciklopedike.
Më 1 korrik 2021, platforma e artit bashkëkohor Harabel prezantoi një skulpturë të artistit kosovar Sislej Xhafa, të titulluar Bleta (“Bleta”), në landfillin e Sharrës, vend depozitimi i mbetjeve bashkiake të Bashkisë së Tiranës. Skulptura e Xhafës supozohej të ishte e para nga një seri veprash arti publike që do ta transformonin këtë “pronë private” në një “park skulpture të artit bashkëkohor”.
Kjo vepër arti u vendos në landfillin e Sharrës pas një marrëveshje të nënshkruar mes fondacionit “Harabel” dhe kompanisë së inceneratorëve “Integrated Energy BV SPV”.
Kontrata parashikonte që Xhafa do t’i “dhurojë” Harabelit veprën e tij Bleta dhe një kompani e quajtur “Integrated Energy BV SPV” do të instalojë dhe mirëmbajë veprën në pronën e saj për të paktën pesë vjet në emër të Harabelit dhe artistit.
Pyetja që shtrohet është: Pse Integrated Energy BV SPV, një kompani private e krijuar për “menaxhimin, administrimin dhe realizimin të punimeve për ndërtimin e Zonës së Trajtimit të Mbetjeve Tiranë”, do të të sigurojë pronën dhe mbështetjen e saj pa pagesë për krijimin e një parku skulpturash në periferi të Tiranës?
Veliaj nën hetim edhe për inceneratorin dhe dosjen “5D”
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka në SPAK edhe dy dosje të tjera ndaj tij. E para është ajo e inceneratorit të Tiranës, i cili nuk ekziston.
Për këtë dosje, Erion Veliaj dëshmoi për rreth 7 orë më 30 Prill të këtij viti në SPAK. Prokuroia e Posaçme më pas përfundoi hetimet për një pjesë të zyrtarëve dhe Erion Veliaj nuk u mor i pandehur. Jo zyrtarisht u tha se akuzat për Erion Veliajn ishin ndarë në një fraksion më vete, por SPAK nuk kthen një përgjigje zyrtare nëse Erion Veliaj po hetohet për inceneratorin e Tiranës apo jo.
Dosja tjetër është ajo e “5D”, ku SPAK arrestoi drejtorët e Bashkisë së Tiranës, Mariglen Qato dhe Redi Molla, të cilët kishin krijuar kompaninë “5D Konstruksion”, me pronarë të afërm të tyre, dhe përfitonin para publike përmes tenderave të marra nga Bashkia e Tiranës.
Për këtë dosje nën hetim është edhe Erion Veliaj edhe pse nuk ka ende një akuzë të ngritur ndaj tij.