CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 85

Skemë pastrimi parash/ Si Veliaj i dha lejen për pallat të dënuarit në Belgjikë!

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, është vendosur përballë një hetimi pasuror të nisur nga SPAK, i cili mori iniciativën përmes një letre anonime, që ka mbërritur në zyrat e Prokurorisë së Posaçme.

SPAK ka ngritur dyshime të forta se, Erjon Veliaj është përfshirë në një skemë pastrimi parash dhe korrupsion, duke pasur si bashkëpunëtorë, gruan e tij, Ajola Xoxa, familjarët e kësaj të fundit, vëllain e tij, Arbër Veliaj, Adela Kondakçi, si dhe çiftin Marisa Nito dhe biznesmenin kontravers, Elman Abule.

Abule njihet në Shqipëri si biznesmen i aluminit, por në Belgjikë ai ka një të kaluar si hajdut.

Dokumentet e siguruara nga media tregojnë se Elman Abule, që sot në Tiranë konsiderohet biznesmen i suksesshëm, në vitin 2004-2005, ka qenë në Belgjikë një hajdut i dhunshëm, duke përdorur çelësa të kopjuar dhe metodën e thyerjes.

Dhe për këtë aktivitet kriminal në janar 2007 është dënuar në Antvverp, Belgjikë me dy vite burgim për “Vjedhje në rrethana rënduese” dhe Mbajtje dhe tregtimin e sendeve të vjedhura”.

Ndërsa me 1 vit burg është dënuar për akuzën e krijimit të bandës së hajdutëve.

Por pavarësisht kësaj situate, Abule, ka hyrë me shumë sukses në botën e biznesit në Shqipëri, duke krijuar lidhje të drejtpërdrejta me, kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj dhe politikanë lokalë.

Gazetarët e redaksisë “Ora News” janë informuar nga një banor i zonës me inicialet M.K, se pallati do ndërtohet mbi një lulishte.

“…unë jam një banor i kombinatit aty ku “Fidalba” Sh.p.k ka marë një lejë ndërtimi, duke transferuar një lulishte në një pronë private…”-shkruan qytetari M.K.

Qytetari i ka vënë në dispozicion redaksisë disa fotografi të lejes së ndërtimit dhe projektit të pallatit që do ndërtohej.

Në fakt, në 10 Janar 2024, kompania “Fidalba” me pronar Elman Abule, ka marrë një leje ndërtimi të firmosur nga Erjon Veliaj, për ndërtimin e një pallati 7 katësh, plus dy kate nën tokë në zonën e “Kombinatit”.

Bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 1591 metra katror që ishte lulishte dhe që në 10 Janar 2024, Veliaj miratoi lejen për ndërtimin e pallatit.

Kundër ndërtimit të këtij pallati që ndodhet në rrugën “Llambi Bonata” në Kombinat, në muajin korrik 2024, ka pasur një protestë të banorëve të zonës, me qëllim pengimin dhe moslejimin e ndërtimit.

Tashmë ky ndërtim është bllokuar totalisht, jo vetëm për shkak të protestave të banorëve, por dhe për shkak se dy pronarët e tokës, kanë revokuar kontratat noteriale të lidhura me Elman Abulen, duke e konsideruar atë si jo të përshtatshëm për zhvillimin e pronës.

Pavarësisht kësaj, SPAK vijon të hetojë marrëdhënien financiare mes Abules dhe njerëzve të afërt të Erjon Veliaj, për shkak të një hetimi që ka nisur qysh në muajin maj 2024 për disa akuza penale.

 

About Redaksia

Check Also

Berisha: Çdo shqiptar të pyesë pse Mali i Zi i kishte pensionet 30% më të ulëta se ne në 2013, kurse tani i ka 280% më të larta

Kryetari i PD, Sali Berisha gjatë konferencës me gazetarët, u shpreh se, Mali i Zi …