Berisha: Azem Hajdari sot është një burim frymëzimi për t’u përballur me këtë diktaturë!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e ka cilësuar Azem Hajdarin si një njeri me guxim dhe instinkte politike të jashtëzakonshme. I ftuar nga departamenti ‘Brain Gain’ në PD, lideri i demokratëve ka kujtuar momente të shumta nga jeta dje veprimtaria politike e Azem Hajdatit.

Gjatë fjalës së tij, Berisha kujtoi se si, në janar 1991 u vendos rrëzimi i shtatores së diktatorit, ndërsa Azem Hajdari menjëherë vendosi dhe përhapi parrullën; ‘ta heqim Dullën’. Berisha, e konsideroi Azem Hajdarin, një lider të lindur, gjë që sipas tij e tregoi edhe te betimi që bëri në shesh gjatë protestës studentore.

Si një njeri i jashtëzakonshëm, Berisha tha se, Azem Hajdari jo vetëm që kishte guximin, por kishte instinkte, instinkte të çuditshme. Gjatë fjalës së tij në aktivitetin ‘Në kërkim të simboleve: Azem Hajdari si simbol i lirisë’, Berisha tha se Azem Hajdari i tha Ramiz Alisë se nuk kemi dalë në protesta për një gotë çaj, por për qëllime politike.

Në përmbyllje të fjalës së tij në aktivitetin ‘Në kërkim të simboleve: Azem Hajdari si simbol i lirisë’, kryedemokrati Sali Berisha tha se Azem Hajdari, është sot një burim frymëzimi më i madh se kurrë për t’u përballur me këtë diktaturë dhe për t’u rikthyer lirinë shqiptarëve. Sipas Berishës, askush nuk ka bërë për lirinë e shqiptarëve, si individ, sa ç’ka bërë Azem Hajdari, një njeri i shndërrimit të të pamundurave në të mundura.

FJALA E PLOTE

Mirëdita!

Një përshëndetje të përzemërt për ju këtu, drejtues këtu, anëtarë të panelit, miq të mi dhe të të gjithë të pranishmëve.

Por edhe një mirënjohje shumë të veçantë për Departamentin ‘Brain Gain’, i cili me mençuri ka zgjedhur në parimin më themelor të konservator simbolet dhe traditat, traditat dhe simbolet.

Në fakt, ne për këtë jemi. Dhe unë e kam vlerësuar shumë këtë përzgjedhje të tyre, e kam vlerësuar shumë, udhëtimet që kanë bërë nëpër Shqipëri me këtë tematikë, si një kontribut qenësor.

Po harrove të shkuarën, të ardhmen nuk e ke kurrë të sigurtë dhe kjo është e provuar me qindra herë në histori.

E shkuara të duhet për një qëllim, për të projektuar të ardhmen. Dhe këto të reja dhe të rinj, në këtë vrazhdësi, kohë të vrazhdë ta quajmë për PD, këta zgjodhën që trashëgimnia dhe simbolet jo veç të PD, të mos harrohen, por të nderohen, kujtohen, si burim frymëzimi për shqiptarët.

Këta kanë trajtuar çështje të tjera të cilat unë i kam vlerësuar shumë, një seri nismash, siç është nisma ‘Dhuro një libër’, i kanë dalë zot librit në një kohë shumë të vështirë për librin dhe në një kohë kur libri në mënyrë të padrejtë po skajohet nga aplikacionet e ndryshme, të cilat nuk e zëvendësojnë kurrë atë.

Por këta kanë qëndruar në anën e drejtë, janë marrë me librin dhe një seri temash të tjera.

Kanë zgjedhur sot për të na bashkuar këtu, një simbol të vërtetë të lirisë së shqiptarëve, Azem Hajdarin.

Unë mund tu them këtyre zotërinjve që nuk e kanë njohur, por në historinë tonë kombëtare nuk ka një individ si person, që të ketë bërë më shumë për lirinë e shqiptarëve se sa Azem Hajdari si person.

Në vitin 1990, ne në tërësi, të jem i sinqertë me ju, ishim parashikuar pas 2 korrikut të mbetemi Kuba e Adriatikut. Ju sugjeroj të lexoni për këtë, një intervistë të protagonistit kryesor ndërkombëtar, që ishte i ngarkuari me punë, apo ambasadori Gjerman, Verner Daum.

Çfarë thotë ai? Ajo ishte një kryengritje madhështore, ajo ishte, ata që rinia punëtor, ti themi siç janë, por ata e përmbysën murin e Berlinit në Tiranë, ata si luanë iu vërsulën ambasadave.

Shoqëria, ne të tjerët, qëndruam në letargjinë tonë, në topinë tonë dhe nuk mbushëm rrugët. E thotë bukur ai.

Por çfarë thotë ai? Askush përveç se një zv/ministër në qeverinë time nuk më mbështeste dhe më vëzhgonin se mos isha nxitës. Ai nxiste në fakt, ai ishte burrë, meriton çdo nderim. Ai nxiste me shpresë se nga kjo, Tirana do të derdhej në rrugë.

Por thotë, më vinin telegramet dhe mesazhet se, kanë specifikat e veta, se janë kështu, e ashtu, përveç zv/ministrit, i cili më çonte mesazhe shumë i entuziazmuar nga veprimi im.

Kështu që, Ramiz Alia arriti të ringrejë murin e Berlinit. Shpërndarë kishte ata sampistat, kishte ca batalione terroriste. Rrihnin njerëz. Po të shihnin 15 veta në stacion, rrihnin, që të mos u shkonte mendja të futeshin në ambasada, pasi i përzuri.

Kështu që, plus ambasadat hynë në remont, pasi ishin dëmtuar. Ambasada Gjermane 3 mijë vetë në oborr dhe seli. Në atë kohë pra, kur këta e nisën betejën ishte e papritur.

Ka një ngjashmëri të madhe mes revolucionit çek dhe revolucionit demokratik shqiptar, edhe atë studentët e nisën, edhe atë e nisi Universiteti i Pragës.

Por ku ishte Çekia krahasuar me Shqipërinë, ishte shumë kate më e lirë se Shqipëria.

Ky që e quanin edhe Gorbaçov, vriste njerëz në kufi, vriste të rinj në kufi. Dhe jo vetëm i vriste, por ua zvarriste trupat nëpër qytete, Shkodër, Sarandë, Gjirokastër, e me radhë për të terrorizuar. Nga mëngjesi deri në darkë u frynte brirëve të demokracisë, thoje ti, se këtu po bëhet gjithçka.

Ata vriteshin, të rinjt i vriste. Dhe Ramiz Aliaj ka shkelur rregulloren e kufirit. Në një kohë kur kishte hequr veprën e tradhëtisë kombëtare për arratisjen.

Pra me gjithë këtë situatë, Azem Hajdari me një grup të vogël fillimisht në datën 8 në darkë, dalin e protestojnë në sheshin e Qytetit Studenti.

Nuk kishin drita, baltë në qytet, nuk kishin ngrohje etj. Natyrisht këto kërkesa ishin të tyre, por Ramiz Aliaj informohet menjëherë se, studentët janë në protestë dhe kërkojnë takim, pranon takimin dhe nuk i pret në Komitet Qendror, por i pret në universitet. Dhe këta shkojnë në Universitet.

Imagjinoni ju, një student të vitit 3-4, se ju e keni shumë të thjeshtë tani, por ju garantoj se po të bëhej një anketë në atë periudhë, se çdo të thotë pluralizëm, shumë të paktë ishin ata që mund të jepnin përgjigje se çfarë do të thotë pluralizëm.

Izolimi kishte bërë punë të jashtëzakonshme. Sigurisht kishte një elitë që e dinte, por masivisht, propaganda kishte bërë punë të jashtëzakonshme.

Dhe Azem Hajdari i thotë, na thuaj ku e ke qëllimin dhe fjala e tij; nuk kemi dalë për një gojë çaj.  Kemi dalë për atë që duhet dalë, pra për qëllime politike.

Ka një vlerësim për të pamposhturit. I pamposhtur është ai që rrezohet dhe ngrihet.

Këtyre u nxjerr Ramiz Aliaj me Hekuran Isain dhe sampistë dhe i rrahin në mënyrën më barbare. Imagjinoni tani. I kishte pritur, por tani ai me dajak donte ti bënte të pendoheshin pse kërkuan. U pendua, jo absolutisht. Doli të nesërmen në krye të studentëve dhe u nisën tani për të pushtuar sheshin.

Dhe ai ngrihej, ishte me një xhakovente të zezë, dhe ngrihej mbi supet, i rrethuar nga të gjitha anët, por një rrethim i papërshkrueshëm. Të gjitha llojet e armëve aty.

Kishte dalë dhe Garda. Dhe ky që ngrihej, poshtë dinastia, liri, demokraci. Hipte mbi supet e shokëve të vet që të dëgjohej më mirë dhe ata e duartrokisnin.

Me egërsinë e tyre, diktatura e pastroi rrugën.

Shkojmë me Besnikun dhe i gjejmë tek një nga konviktet. Na thanë se ju kemi kërkuar, por ju thamë se, nuk na kishte thënë njeri, por ne erdhëm sapo morëm vesh që keni dalë.

A do të na përfaqësoni na thanë, jo, përfaqësojmë veten tonë, por do të ju mbështesim. Ju përfaqësoni veten tuaj, ne do t’ju mbështesim ju fuqimisht.

I rrahur, pasi e kishin goditur, ishin bërë fërtele dhe i lëshon ultimatum Ramiz Alisë. Më thotë, na i lironi dot të burgosurit, i them jo, se nuk njoh në atë sektorin e burgjeve, kur aty gjindet njëri, thotë i njoh unë. Thotë u thuaj, se nëse nuk i lirojnë shokët tanë, xham e gjë pa thyer në Sheshin Skënderbej nuk do të ketë. Ultimatum. Dhe këtë ultimatum unë pastaj ja kam përcjellë Ramiz Alisë.

Pra i lindur. Doktrina thotë që, lider bëhesh dhe nuk lind, në fakt ai ishte i lindur dhe ishte më i jashtëzakoshëm si njeri që mund të bëhej.

E kishin rrethuar nga të gjitha anët. Çfarë bënte Ramiz Aliaj, ishte i dystuar. Po të mund ti shtypte, do ti shtypte. Nëse nuk i shtypte dot, pastaj do nënshtrohej. I kishte rrethuar shumë keq. Tu thonim ne se, ishin të rrethuar dhe nuk mund të dilnin, se ata i kapnin dhe i fusnin në kamionë dhe i shpërndanë. E vërteta ishte se, vetëm këta ishin aty, ishin vetëm studentët konviktorë. Tek tuk mund të ketë pasur, dhe qytetarë nuk kishte atë natë, ishin vetëm.

Pasi u bindën për të mos zbritur natën në shesh.

Aty ishin mbledhur mbi 1 mijë studentë, pasi po ktheheshin nga fundjava. Më thotë, dil e folu dhe unë u them, se janë liruar ata studentët, të tjerët në spitale janë kuruar dhe nuk do të zbrisni. Me eksplozion, tradhtar, tradhtar, na tradhëtove.

E merr fjalën ky. Jo, e keni shumë gabim, këta kanë ardhur me ne, për të na ndihmuar. Tani ja kthyen atij tradhtar. Tradhtar thotë; kur unë të ju tradhtoj ju, Kirit dhe Rudinës ua fus thikën në bark dhe ua nxjerr në gabzerr. Ata u shtangën, ishte ky lloj betimi i lashtë, shekspirian që sheshin e dominoi tërësisht dhe pas kësaj, brohoritje të fuqishme për heroin, për Azem Hajdarin.

Ishte i jashtëzakonshëm, ju them unë ju.

Po ta marrësh në një aspekt, ai kishte guximin, por kishte instinkte, instinkte të çuditshme.

Po themelonim partinë. Shkonim ne nëpër rrethe. Po të mos ishte do ta kërkonin patjetër. Mbaronim takimin dhe më thoni, doktor ne kërkojmë të na vijë dhe ai njëherë dhe ai do të shkonte tu mbante atë fjalim që ata donin.

Ai fjalim ishte lëmshi i zjarrtë që vriste frikën tek ata. Ky ishte fjalimi i tij.

Në çdo etapë ai ka patur një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm.

Ne ishim opozitë, aty ishte shtatorja e Enver Hoxhës, formale. Dhe i them një ditë, duhet të ketë qenë fillimi i janarit. I them, Azem ne duhet të përqendrohemi tek shtatorja, më përqafoi menjëherë. Më tha, ky është turpi ynë më i madh ta lëmë ne aty. Po i them, por ama ne nuk duhet të dalim.

Pse më tha? Sepse Partia e Punës do të thotë ai është simboli ynë, ç’punë keni me simbolin tonë. U them tha, ta marrin në Komitet të Partisë. I them, që ne këtu duhet të punojmë me sindikatat dhe me të tjerët, prandaj duhet një punë përgatitore, se Enver Hoxhën e kishin mos e pyet, sidomos tani që po humbisnin fajësonin ekzistuesit dhe mendjen e kishin te Enverit.

Kishte lidhje shumë të ngushta me të përndjekurit, sindikatat, studentët dhe filluan të përhapin parrullën; ‘Ta heqim Dullën’ për Enver Hoxhën. U gëzua jashtë mase.

Shkon drejt e në Kamzë. E vërteta është se, etapa e dytë e revolucionit demokratik që solli rrëzimin e shtatores ka filluar në Kamzë.

E filluan Osman Stafa, kanë qenë disa shumë të mirë. Problemi ishte se, Enver Hoxha quhej universiteti në Tiranë, jo Kamza. Sapo kishin filluar dhe me thotë mua, do të shkoj në Kamzë, i them, shko por merr dhe Arben Imamin. Arbenin e dëgjonte shumë, mik shumë. Me Arben Imamin ai këshillohej dhe i them se do shkosh me të.

Shkon atje dhe si përfundim ajo grevë kalon në kërkesa për rrëzimin e qeverisë, etj., me radhë. Por gjithë synimi i tij, ishte si të arrijmë tek shtatorja.

Momenti më i vështirë që kam pasur me atë njeri, ishte në grevën e urisë. Donte të hynte me çdo kusht dhe unë që, isha kategorik. Imagjinoni që ishte lëvizja studentore që kishte krijuar Partinë Demokratike, por prap ne na interesonte që të ishte lëvizje studentore. Dhe unë i thoja, që ajo do të jetë veprimtari e lëvizjes studentore dhe e ne mbështesim me të gjithë, por futja jote aty e kthen në aktivitet të PD, do ta lëmë si lëvizje studentore.

Ishte moment shumë kritik. Se ata në fakt, u faktua më vonë se çfarë bënë. E kam mbajtur me vështirësitë më të mëdha, i pabindur që nuk duhej të futej. Jo thoshte, duhet të futem, se u turpërova para shokëve të mi.

Jo i thosha, nuk u turpërove. Ishte ky synim, ne donim këtë formë. Sepse një betejë direkte e PD-së për kultin, çonte në përplasje civile të sigurtë. Ata kishin mjetet e propagandës, armë, çdo gjë.

Në grevë nuk u fut sigurisht, por u menaxhua me sukses të plotë nga shtabi i grevës dhe ne që kishim komunikim të vazhdueshëm me ta.

Ditën, me datën 20 shkurt në mëngjes Raimonda fton qytetarët të nisemi tek Ramiz Aliaj, ai ishte shpërndarë atje dhe thoshte, ta shporrim qelbësirën. Me minatorë, të përndjekur ishte në krahun verilindor të pallatit. Një miting gjigant.

Gëzimi i tij nga përmbysja e shtatores, i papërmbajtur.

Të nesërmen pas rrëzimit të bustit, kishin parashikuar takim të tij, në Devoll. Do shkosh i them unë, këta ne i ndjekim çfarë po bëjnë dhe ne ndjekim axhendën tonë.

Ramiz Aliaj dhe Kiço Mustaqi dhe shtabi i përgjithshëm vënë në lëvizje grushte shteti tek Shkolla e Bashkuar. Mblidhen atje oficerë e ushtarë dhe si përfundim qëllimi i tyre ishte të sillnin shtatoren e Shkollës së Bashkuar në sheshin Skëndërbej. Ku gabuam? Sigurimi vret një oficer të ri tek dera e shkollës, me një ‘Fiat’ të bardhë, dhe ne kishim një ‘Fiat’ të bardhë dhe mediat menjëherë, e vrau Azem Hajdari.

E vrau Azem Hajdari dhe këtu, natyrisht  Azem Hajdari duhej vra se e vrau. Për fat, koicidentë, duke u kthyer nga Devolli ishte ndalur me një grup policësh në postbllok dhe po i përqafonte në atë kohë, sepse nuk dinte gjë për këto që po thuheshin. Dhe ata policë sa e dëgjojnë, njoftojnë se, ai sa kaloi këtu, ku vrau. Dhe këta mbetën shumë keq nga kjo vrasje.

Të nesërmen, prap guximi dhe heroizmi i tij.

Gjatë asaj nate nisën komunikata lufte, që pala jonë, pala tjetër, qeveria dhe ne pala armiqësore. Bëmë një takim, Neritani me Avdi Baletën në Shkollën e Bashkuar, shpalosën kërkesat e puçit e këto me radhë.

Çfarë bëmë ne, ne donim ta shmangnim atë përplasje, por shtatoren nuk pranonim ta vendosin ata. Ne vendosëm që të presim pemët të bënim barrikada, 2-3 barrikada nga shkolla e bashkuar deri tek spitali. Kaq.

Se në lëvizje njëherë të drejtojnë, e njëherë i drejton.

Ishin bashkuar si për mrekulli, nja 200-300 gjimnazistë, të cilët, jo pak prej tyre, se në atë kohë shiteshin disa shishe të vogla konjaku ‘Skëndebeg’, kishin marrë shishe konjaku dhe ngjiten tek muri i shkollës, te cepi sipër dhe i përvishen murit.

Por tek ky cep, rreth 5 metra ishin konviktet e studentëve dhe fillojnë të rrëzojnë murin. Fillojnë e rrëzojnë murin, e natyrisht aty ishte moment shumë kritik, sepse këta studentët e Shkollës së Bashkuar do të mbroheshin. Ne ishim në seli dhe i them, Gramozit, Azemit që do të shkoni dhe ti largoni. Shkon aty dhe në mes të përleshjeve, ata gjuaj në gurë e shishe molotov dhe u thotë; vëllezër, mos i gjuani këta dhe ata nisin të bërtasin. Vëllezër u thotë, hajdeni të ju mbaj një fjalim unë këtu dhe pastaj po ngjitemi bashkë. I tërhoqi tek shkolla ‘Bajram Curri’ dhe u thotë; Ramiz Aliaj këtë që po bëjmë ne, kërkon nuk janë këta fajtorë, fajtorë janë Ramiz Aliaj dhe u mban një fjalim kundër Ramiz Aliajt dhe e shpëtoi gjakderdhjen. Ata pastaj rroftë Azem Hajdari, por u thoshte të vërtetën. U fut mes gurëve, mes shisheve, njëlloj si në Mat.

Pra ishte një njeri me guxim të jashtëzakonshëm dhe instinkte politike të jashtëzakonshme, atdhetar i flaktë.

Në 1997 shkon në Uashington, takon atje një mik timin në Kongres. Miku i im i thotë, z. Hajdari pse e mbështet Berishën tani. I kthehet dhe i thotë, kongresmeni ishte pro shqiptar shumë, i thotë Azemi; a do të them një fjalë, Sllobodan Millosheviçi nuk do të donte gjë tjetër veç kësaj. Por unë nuk ja bëj qejfin atij. Shumë i flaktë, vazhdimisht, me dhjetëra herë.

Do të hy në Kosovë, do të shkoj të luftoj, me dhjetëra herë, ishte një patriot i vërtetë. Prandaj dhe sa më shumë ta kujtojmë ne nderojmë lirinë.

Askush nuk ka bërë për lirinë e shqiptarëve, si individ, sa ç’ka bërë Azem Hajdari. Pra ky ishte një njeri i shndërrimit të të pamundurave në të mundura.

Dhe sot kërkohet nga ne, që të pamundshmet ti kthejmë në të mundshme. Është plotësisht reale kjo kërkesë. Ne sot jetojmë në diktaturë e askush nuk duhet të ketë iluzion.

Nuk është diktaturë komuniste kjo. As naziste, as teokratike. Kjo është diktaturë, sepse të gjitha pushtete janë në duart e diktatorit. Nuk kontrollonte Ramiz Aliaj në 1991 pushtet më shumë se Edi Rama sot.

Është diktaturë sepse ka bllokuar zgjedhjet. Janë fasadë, nuk e themi ne, tani e thotë gjithë bota se ky bën zgjedhje fasadë dhe po nuk bëre zgjedhje nuk ka rotacion.

Është diktaturë sepse ka rikthyer burgosjet dhe persekutimin politik.

Është diktaturë sepse ka vendosur censurën dhe kontrollon të gjitha mediat kombëtare, për të mos thënë edhe të tjera.

Kontrollon ekonominë dhe për dramën tonë, kontrollon dhe shoqërinë civile.

Kjo është diktaturë jo e bazuar në ideologjinë marksiste-leliniste, por e bazuar në drogën, krimin dhe vjedhjen e shqiptarëve.

Ndaj dhe Huntington këtë lloj diktature e ka vlerësuar si formën më të keqe të diktaturave, më të keqe se dy të parave.

Kur ai thotë se kjo është më e keqe se, diktatura komuniste, Huntington e ka pasur të qartë që, diktatura komuniste i ka kushtuar njerëzimit 100 milionë jetë.

Kur ai thotë se është më e keqe se diktatura Naziste, Huntington, historian dhe sociolog e ka pasur të qartë se Nazizmi kushtoi 30 milionë jetë njerëzish me luftërat.

Por e thotë ai, kjo është diktaturë pa asnjë rregull, ka vetëm vullneti i një njeriu që projektohet.

Ndaj dhe do ta mbyll këtë me bindjen më të madhe se, Azem Hajdari sot është një burim frymëzimi më i madh se kurrë për tu përballur me këtë diktaturë dhe rikthyer lirinë shqiptarëve.

Për çdo të ri, ai është dhe mbetet frymëzim i pashterrshëm guximi, vizioni. Çdo hap të tij madhor në jetë, ai e bëri vetëm për lirinë.

Unë e mbyll këtë fjalë, duke ju falënderuar shumë për organizmin e këtij takimi kushtuar njeriut që ka bërë më shumë, si person, kanë bërë të tjerë me ushtri, mënyra të tjera, por si person, si individ nuk ka bërë askush sa ç’ka bërë Azem Hajdari për lirinë e shqiptarëve.

Faleminderit!

About Redaksia

Check Also

Vendimi për mbylljen e Tik Tok-ut, dështim dhe mosmarrje përgjegjësi për vitin më të errët të arsimit!

Deklarata e drejtueses së Departamentit të Arsimit në PD, Lili Sula Teatri i ministres së …