Nga Ndriçim KULLA
Edi Rama brenda rrathëve të ferrit në librin tim “Narkodiktatura në oborrin e Europës”
Gjithçka nisi me instinktin e natyrshëm të një intelektuali që e dashuron vendin e tij mbi çdo gjë. Asnjëherë në jetën time si personazh publik, deri para disa vitesh, nuk kam folur dhe analizuar asnjë situatë politike apo sociale, i ndikuar nga bindjet e mia politike. Ekulibri dhe kthjelltësia e së vërtetës ishin busulla e përhershme.
Madje çdo herë që e ndjeja se mund të kisha anuar, filloja dhe e analizoja akoma më tepër problemin në rrënjë dhe në tërësi. E gjithë kjo gjendje filloi të bëhej shumë më e shpeshtë në kohën më të tmerrshme të demokracisë dhe shtetit shqiptar, atëherë kur opozita e Lulëzim Bashës u largua nga parlamenti dhe pushteti i Edi Ramës, me arrogancën e pashembullt të një kapadiu të kohëve të sulltanëve, vendosi të bënte zgjedhjet pa opozitë.
Pata shkruar një ditë më parë një artikull të gjatë se si duhej të luftonte opozita, në sheshe protestash dhe në parlament, me ide dhe alternativa. Ngjarjet dihet si rrodhën, por ajo që humbi më shumë nga ky devijim i padëgjuar demokratik ishte Shqipëria. Dhe ajo çfarë ishte më e keqja, me “bekimin” e ndërkombëtarëve. Me dijen dhe intuitën e një njeriu të letrave politike dhe sociale, kuptova që atëherë se Shqipëria kishte hyrë në krizën e saj më të keqe të postkomunizmit.
Shkrova dhe një libër për këtë “Kriza mbi krizat” siç e pata quajtur atëherë krizën e demokracisë dhe lirisë në sistemin-vend shqiptar të asaj kohe. U duk paksa i sforcuar ky qëndrim, shumë njerëz nuk arrinin as ta kuptonin se ishin vënë nën kërcënim gjëra kaq të mëdha e themelore, siç ishin liria dhe demokracia. Mirëpo analiza ime e sjelljes së pushtetit dhe kryeministrit Edi Rama më jepte të gjitha shenjat dhe simptomat e një sëmundjeje të tillë. Që atëherë besova fort se maska e tij e mbrujtur me demagogji të parrëfyer ndonjëherë në asnjë libër të filozofisë politike, duhej çjerrë njëherë e mirë, për të mos u bërë më keq shqiptarëve, fillova të ndjek të vërtetën dhe kuptova se ajo ishte kundër projekteve të Ramës dhe miqve të tij ndërkombëtarë. E vërteta më shtrëngoi të mbaja anë, e ardhmja e Shqipërisë më detyroi të zhbiriloja dhe demaskoja të gjitha qëllimet, planet dhe manovrat e tij antidemokratike dhe antishqiptare. Dhe muaj pas muaji e vit pas viti, e gjithë kjo veprimtari e tij shtetërore dhe publike, më përvijoi një “ferr” të vërtetë.
Po, po, Edi Rama po ndërtonte për Shqipërinë një ferr real, pa kurrfarrë skrupulli, me mburojën sorosiane ndërkombëtare, dhe më e keqja, jo me efekte të një mandati apo dy në të ardhmen, por një ferr që trupi i Shqipërisë do ta ndjejë gjatë dhe do ta bëjë të lëngojë. Ndaj, duke dashur të analizoj gjithçka po ndodhte e të ndërtoja një strukturë kategorizuese për qasjen ndaj pushtetit, shtetit, lirisë, demokracisë, ekonomisë, arsimit, shëndetësisë, e në thelb ndaj ardhmërisë shqiptare, kryeministri Edi Rama më rezultonte i pamundur për t’u kualifikuar në një kategori apo dy të tilla më përfaqësuese.
Qasjet, diskursi, veprimet dhe realiteti shqiptar që ai ndërtoi në këto 12 vite më strukturuan rrathët e një ferri të madh. Në cilin rreth të ferrit do të duhet të përqendrohet i gjithë produkti i sundimit tënd 12 vjeçar Edi Rama? Nuk dita të gjej një, dy apo tre rrathë ferri, pasi arriti të më mbushej i gjithë ferri me rrathët e tij.
Kam patur mëdyshjet e mia për një kohë, nëse një strukturë e tillë ishte më e mira për të përshkruar realitetin shqiptar apo diskursi nuk duhej të qe kaq i ashpër dhe demonstrativ. Përsëri urdhëri imperativ i së vërtetës, më shtynte të kuptoja e të thellohesha nëse kjo gjë përligjej nga faktet jetësore dhe argumentat e shkencave politike e gjeopolitike, bashkë me praktikën e shumë lloj vëndeve që kishin kaluar të njëjtin kalvar si ne.
E gjitha nuk ishte një fiksion, aspak. Mjegulla e ngjarjeve të shumë viteve më parë, me kalimin e kohës u ça dhe e vërteta doli sheshit. Dhe për më tepër, u zbulua se kjo e vërtetë ishte një tragjedi, e përshtatshme për t’u konsideruar një rreth i vërtetë ferri dantesk.
Në cilin rreth atëherë, duhet ta vendosim thikën vdekjeprurëse që kish përgatitur Rama për opozitën duke i blerë me lobim e shantazh ndërkombëtar liderin e saj të dobët e frikacak, Lulëzim Bashën? Në rrethin e tretë, atë të tradhtarëve? Po tragjedinë e kanabizimit që e mbyti Shqipërinë me drogë dhe i la mbi shpinë një lukuni bandash e parash të pista që do t’ia gërryejnë trupin dhe shpirtin, bashkë me ekonominë, edhe për shume vjet akoma?
Ndoshta në rrethin e dytë. Po shpopullimi që si nje sëmundje e pashërueshme arriti ta tkurrë e ta sëmurë tashmë si një plak, trupin e saj dikur rinor? Në rrethin më të tmershëm të ferrit, që as Dante-ja nuk e pat inagjinuar, të parin e të gjithë rrathëve.
Po demagogun e liderin global, që flet për gjëra që nuk i përkasin dhe nuk flet e nuk ndihmon aspak kauzën e shqiptarëve të Kosovës, përkundrazi është në pikën më të keqe të marrëdhënieve që dy vendet tona vëllezër kanë qenë ndonjëherë.
I takon rrethi i pestë, ai i hipokritit, ujkut me lëkurë qengji, që mbështet padronin e vet për Ballkanin e hapur, dhe bërtet e ulëret se kjo është mirë edhe për Kosovën. Ndoshta rrathët e ferrit nuk mjaftojnë për të gjitha ngjarjet dhe shkatërimet që ai i ka sjellë Shqipërisë, se ato janë vetëm nëntë, ndoshta secili mund t’i vendosë ndryshe ose në një rreth tjetër ferri, të gjitha ato plagë që ai i ka sjellë këtij vendi, por një gjë është e sigurt si drita e diellit.
Në anatominë e destruktivitetit njerëzor, analizuar shumë thellë e gjatë nga filozofi dhe sociologu i madh Erich Fromm për disa nga liderët më të këqinj të njerëzimit, Edi Rama zë një vend unik. Ferri që ai i ka “dhurruar” Shqipërisë në kohën e gjatë të pushtetit të tij është ndërtuar rreth pas rrethi, deri në detajet më të imta.
Por ajo që e bën më të dukshme dhe më të qartë, është shkatërimi i demokracisë dhe lirisë, dy shtyllat e një qytetërimi perëndimor, nëpërmjet shkatërimit ose marrjes peng të opozitës. E thashë që në fillim. Kur klitha zërin e ndërgjegjes së njeriut të letrave për këtë rrezik, ndoshta shumë kush e quajti teprim.
Por sot, edhe në shtetin më demokratik të botës, ose në SHBA, në atdheun më të madh të lirisë, ka vite që i gjithë diskursi politik përqendrohet në betejën për mbrojtjen e lirisë dhe demkracisë.
Nuk më vjen mirë të më përligjet fjala e thënë dikur, rreth problemeve të tilla kaq serioze, por ky është një fakt i pakontestueshëm se liria dhe demokracia nuk janë gjëra të fituara njëherë e përgjithmonë.
Ato duhet të ruhen dhe fitohen çdo herë kur kërcënohen. Edhe këtu, në këtë të keqe të paimagjinueshme që regjimi i Edi Ramës i ka kanosur Shqipërisë, duke pushtuar gjithë mediat me fake e mbyllje zëri të së vërtetës, unë gjeta vështirësi në kategorizimin e rrethit të ferrit ku po rrojmë.
Ndoshta dhe gaboj që e vendos në rrethin e dytë, por shpopullimi është një plagë që ka goditur indin e trupit dhe ekonomisë dhe është shumë më e vështirë të shërohet, edhe sikur ta shporrim këtë regjim.
Në fund, duke vijuar në linjën e personalitetit shoqëror dhe formimit mendor të një lideri, që ndikon fortësisht në shkallën e lartë apo jo të destruktivitetit të tij, rrethi i nëntë, ai i mosmirënjohësve, përshtatet plotësisht me mënyrën e sjelljes së pushtetarit Rama me vartësit e tij.
Jo më kot e cilësova termin pushtetar, sepse raportet e tij me ministra e zv/ kryeminstra nuk janë shoqërore, përkundrazi ato janë pasqyra më e mirë e qenësisë së një lideri. Epo këtu, në këtë rreth ferri, nuk e di se sa bërtasin e thërrasin kundër tij, por do përmend dy miqtë e shokët e tij më të afërt, Arben Ahmetajn dhe Saimir Tahirin.
Nuk ka fëlliqësim dhe paburrnim më të keq politik dhe shoqëror se mënyra si ai është sjellë e po sillet me ta. Por njëherësh, nuk ka simptomë më të qartë dhe të dallueshme se çfarë do të thotë për të pushtet.
E gjithë kjo strukturë e ndërtimit të këtij libri, nuk duhet të shikohet vetëm si e dobishme apo efektive, nga pikëpamja letrare apo formale. Përkundrazi, qëllimi i këtij shpjegimi paraprak, duhet të shikohet si i qëllimshëm.
E gjithë Shqipëria e tre mandateve të Edi Ramës, me analizë të të gjitha llojeve, me fakte e argumente të të gjitha kahëve, duhet kuptuar pikërisht ashtu siç është, një ferr i vërtetë. Ndryshe nuk arrin të kuptohet edhe përmasa apo dimensioni i së keqes, i destruktivitetit të së ardhmes sonë, që ajo ka shkaktuar.
Përkundrazi. Vetëm nëse e njohim dhe e kuptojmë si ferr atë çfarë Rama ka ndërtuar për ne, mund të kemi shpresë të luftojmë dhe të përballemi me forcën, qëndresën dhe durimin që kërkon një luftë me ferrin.
E dimë se çfarë është ferri, por dimë gjithashtu se vetëm po kalove nëpër ferr, bëhesh më i fortë për të vleresuar të mirën. Për aspra ad astra, thonin latinët. Përmes vuajtjeve drejt fitores, thotë ky libër