Kryetari i PD, Sali Berisha zhvilloi një takim me ish-deputetin Ervin Salianji në burgun e Fierit, ku ky i fundit po vuan dënimin e tij.
Në një prononcim për mediat pas vizitës, Berisha e quajti Salianjin një viktimë të drejtësisë së kapur nga mafia politike. Ai theksoi se ish-deputeti po vuante dënimin vetëm sepse kreu detyrën e tij, duke denoncuar klanet mafioze që drejtonin trafiqet e drogës në Shqipëri. Sipas Berishës, Salianji ekspozoi publikisht aktivitetet e paligjshme të Agron Xhafës, vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa.
Berisha shtoi se Agron Xhafa kishte dy mbështetës kryesorë, Fatmir Xhafën dhe Olsi Ramën, të cilët duhej të ishin ata që përgjigjeshin para drejtësisë. Kreu i PD-së akuzoi qeverinë se po përdorte drejtësinë si mjet për të ndëshkuar ata që guxojnë të zbulojnë të vërtetën.
“Erdha këtu dhe takova deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, që dergjet, vuan dënimin vetëm e vetëm se i shërbeu vendit, iu shërbeu qytetarëve, kreu detyrën e tij, obligimet e tij duke denoncuar në atë kohë, klanin më të rrezikshëm e trafiqeve në Shqipëri, klanin e Geron Xhafës.
Ervin Salianji, siç dihet, bëri publike regjistrimin e një gazetari guximtar në të cilën faktohej se, Agron Xhafa, njeri dhe ai me tre emra, drejtonte trafiqet nga gjiri i Vlorës drejt Italisë.
Agron Xhafa kishte dy vëllezër. Një vëlla nga gjaku, Fatmir Xhafën, një vëlla tjetër nga morali, Olsi Ramën.
Kjo është e vërtëta.
Dhe, meqënëse, Salianji goditi me një të rënë dy klanet mafioze më të rrezikshme të Shqipërisë dhe të Ballkanit, klanin Rama dhe klanin Xhafa, u vërsulën kundër tij me të gjitha mjetet e mafies dhe sot ai vuan dënimin për shërbimin e madh dhe të çmuar që i bëri Shqipërisë.
Në vend të tij, këtu duhet të ishtë Fatmir Xhafa dhe Olsi Rama, për të mos thënë absolutisht dhe Edi Rama vetë”, tha Berisha.