Gazeta Express: Ju keni qenë i përfshirë gjatë mandatit të parë të Trump edhe në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, kush ka qenë i pari që e ka vendosur në tavolinë idenë e korrigjimit të kufijve, a kanë qenë liderët nga Kosova dhe Serbia, presidenti Trump, ka zëra që e përfshijnë ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe, Tony Blair- A ka diçka të vërtet në këtë?
John Bolton: Epo, nuk e di se nga ka filluar origjina e kësaj çështjeje. Biseda ime e parë që përfshinte mundësinë e shkëmbimeve territoriale ishte me Tony Blair. Ai erdhi për të më vizituar në Shtëpinë e Bardhë. E njihja që kur ai ishte kryeministër gjatë administratës së George W. Bush-it, dhe ai më nxiti të përfshihesha për të parë nëse mund të isha i dobishëm.
Mendova se bëri një sugjerim të arsyeshëm dhe, me gjithë respektin për miqtë tanë në Evropën Perëndimore, mendova se ata nuk kishin bërë shumë përparim. Ndoshta dikush nga ana tjetër e Atlantikut mund të ndihmonte. Por ishte ajo bisedë me Tony Blair që ndihmoi vërtet të formohet në mendjen time pikëpamja se kjo ishte në thelb një çështje për Kosovën dhe Serbinë dhe të tjerët mund t’u urojnë të mirën dhe të përpiqen të lehtësojnë gjërat. Por ideja që do të kishte një zgjidhje të imponuar nga jashtë, qoftë që përfshinte shkëmbime territoriale apo jo, nuk do ta përfundonte problemin.
Gazeta Express: A ishte ideja e shkëmbimit të territoreve apo korrigjimit të kufijve pjesë e Marrëveshjes origjinale të Washingtonit që ishte përgatitur të nënshkruhej nga presidenti Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksnader Vuçiq. A ke një informacion të tillë, a ishte kjo në marrëveshjen origjinale, që me pas u ndryshua..?
John Bolton: Marrëveshja ndodhi pasi unë u largova. Dhe nuk e di me siguri. Nuk e kam parë tekstin. Pozicioni im ishte se nuk isha kundër shkëmbimeve të tokave. Siç thashë, nuk e konsiderova si një precedent që detyronte dikë tjetër në Ballkan. Nuk mund të detyrohesh nga diçka me të cilën nuk jeni dakord. Pra nëse ka pasur mosmarrëveshje territoriale mes shtetesh të tjera, ato nuk duhet të ndikohen nga çfarëdo marrëveshje që arrihet mes palëve të një mosmarrëveshjeje tjetër territoriale.
Të thuash që shkëmbimet territoriale janë një parakusht për arritjen e një marrëveshjeje mund të interpretohet si një anonçim ose favorizim ndaj njërës palë në krahasim me tjetrën. Kjo nuk ishte ajo që po përpiqesha të bëja.
Së paku nga ana ime, unë po përpiqesha që dy liderët, Vuçiq dhe Thaçi të punojnë së bashku, e të cilët në të vërtetë bënë përpjekje për të gjetur një marrëveshje, kjo kërkon një kurajo, kjo është pjesë e lidershipit politik, dhe mendoj se ata duhej të përkraheshin pa marrë parasysh nëse do të kishin sukses ose nëse do të dështonin. Ia vlente përpjekja.