Nela: Ibrahim Rugova ishte unik, është themelues i shtetit të Kosovës

Intervistoi: Hyrë Tejeci

Në një intervistë për Radio Kosovën, Milaim Nela thotë se Ibrahim Rugova akoma nuk e ka zënë vendin që realisht i takon në historinë dhe shtetbërjen e Kosovës dhe avancimit të çështjes shqiptare në përgjithësi. Ai në këtë intervistë e përkufizon Rugovën si një dijetar.

Sot janë bërë 19 vjet nga vdekja e presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova. Familjarë, miq, qytetarë e zyrtarë do ta kujtojnë figurën e Rugovës në këtë përvjetor. Ndërkaq, studiuesit thonë se figura e Ibrahim Rugovës duhet të studiohet e të njihet edhe më shumë ndër shqiptarët. Milaim Nela ka bërë një studim të veçantë për disa vjet për Ibrahim Rugovën dhe së fundmi dhe një analizë për vëllimin e librit të Adnan Merovcit, me emrin “Të premteve”, që tregojnë 234 konferenca për media të Ibrahim Rugovës gjatë viteve 90-të.

Milaim Nela është mjek me profesion. Ai jeton që mbi 26 vjet në Londër me familjen e tij. Ai ka bërë të njëjtën kohë edhe studime të veçanta për figurën e presidentit Ibrahim Rugova.

Cili është përkufizimi juaj për Ibrahim Rugovën?

Milaim Nela: Besoj që përkufizimin më të saktë të figurës shumëdimensionale të Rugovës, apo fjala që i shkon më së shumti si përkufizim është “Dijetari Ibrahim Rugova”. Sepse ai është unik. Është figurë unike në trojet shqiptare, siç e përmenda edhe në fjalën time në promovimin e librit “Të premteve”. Dr. Rugova ka operuar me fjalën, me idetë. Ai jo rastësisht, duke e njohur historinë e lashtë të shqiptarëve, ai deshi t’i tregojë Evropës dhe i tregoji asaj që ne jemi themeluesit e qytetrimit evropian. Pastaj, flamurin dardan dhe hymnin e Kosovës, të cilët ai ia sugjeroi shtetit të ardhshëm të Kosovës, edhe unë shpresoj shumë që një ditë të përqafohet dhe të kthehet ai. Këto nuk kanë qenë të rastësishme. Ka qenë një ide që ai është munduar ta përçojë herë pas here, qoftë në takime ndërkombëtare, qoftë në konferenca të shtypit, apo në daljet e rralla publike që ka pasur, dhe ka thënë që ne jemi ata që jemi. Ne nuk mund ta mohojmë lashtësinë tonë, origjinën tonë. Ne jemi të parët në këto troje. Është fakt! Nuk është as për t’u vetëmburrur, as për të bërë politikë të kohës.

Zoti Nela, ju jeni nga zona e Kukësit në Shqipëri, keni bërë studime në Tiranë e gjithandej, e tani jetoni në Londër. Si kishit dëgjuar ju fillimisht për emrin e presidentit Rugova?

Milaim Nela: Unë jam rritur me Kosovën. Gjyshi im ka qenë pjesëtar i një familjeje që ka dhënë jetën për trojet shqiptare. Jo vetëm në Kosovën e sotme, por edhe në Serbinë jugore që është sot. Unë kam qenë pjesë e konakut që kam dëgjuar ato histori. I kam mësuar kufijtë e Kosovës që në moshën pesë vjeç, ku ishin kufijtë e vjetër të Shqipërisë dhe kjo më ka shoqëruar që atëherë e deri sot. Kështu që për mua nuk është e rastësishme. Unë i përkas trungut të Havzi Nejlës që ndoshta është njeriu që ka shkruar më së shumti për Kosovën, pas ndarjes së Shqipërisë më 1913. Ai ka shkruar më shumë se kushdo tjetër. Ka mbi 7000 vargje për Kosovën dhe i ka shkruar çdo pjese, çdo treve të Kosovës. Këtu mund të bashkohen këto komponente dhe Kosova për mua është dashni.

Zoti Nela, ju keni përcjellë zhvillimet në vitet ’90-ta, kur presidenti Rugova ka bërë përpjekje të intensifikojë çështjen e Kosovës në qarqet ndërkombëtare, derisa vazhdimisht ka pasur një vizion për statusin e Kosovës se si do të dukej, që atë kohë. Keni arritur të bëni një analizë të kohës se si është përceptuar nga ai atëherë kjo gjendje e Kosovës?

Milaim Nela: Jo. Më mirë të shtroni pytejen, ndoshta, se si duhet të përceptuar nga ne, sepse ai ka pasur vizionin e saktë. Unë besoj që janë dy gjëra. E para ai nuk ka hequr kurrë dorë nga bashkimi i shqiptarëve, por për konjukturat dhe rrethanat e momentit, sepse ai e thoshte se realiteti politik ndryshon. Për kohën që e jetoi ai, ky ka qenë opsioni më i mundshëm – Kosova e Pavarur. Duke parë dhe konjukturat ndërkombëtare në atë moment që të shkohej me këtë opsion, sepse edhe Serbia luftonte me atë armë që do të bëhej “Shqipëria e Madhe”. Në fund të fundit koncepti “Shqipëria e Madhe”, nuk është koncept shqiptar, është koncept i akademisë serbe. Për mua ai ka qenë shumë i qartë. “Kosova e Pavarur dhe neutrale” ka qenë një ide që nuk mund ta refuzonte as perëndimi, por çarmatosej dhe Serbia, e cila operonte me idenë e “Shqipërisë së Madhe”. Kështu që për mua, Rugova ka qenë jashtëzakonisht i qartë me këtë projekt.

Ku keni qenë me 21 janar 2006?

Milaim Nela: Kam qenë në Londër.

Si e keni pritur lajmin për vdekjën e presidentit Rugova?

Milaim Nela: E kam përjetuar jashtëzakonisht keq. Tmerrësisht keq, sepse ishte një humbje, sidomos për Kosovën që kishte vizionin e Pavarësisë së Kosovës. Dr. Rugova nuk hiqte dorë nga Pavarësia e Kosovës, pavarësisht se perceptimi ishte se ishte natyrë e butë. Por, ai nuk bënte kompromise dhe fatkeqësisht më vonë janë bërë kompromise. Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, që nga Plani i Ban Ki Munit, i gjashtë pikave dhe lëshimet që i janë bërë Serbisë, kanë shkuar në disfavorin e Kosovës. Ne e njohim “Portin e ferrit”, siç është quajtur. Serbia pas çdo lëshimi që i bëhet, ajo kërkon diçka tjetër, shkon përtej. Kështu që ne duhet të ishim të qartë si shqiptarë, i gjithë spektri politik i Kosovës sot, se pavarësia është realitet i mbyllur. Kosova është një dhe e pandarë! Unë kam thënë edhe më herët se jam kundër asociacionit të çdo lloj forme, sepse çdo të drejtë që kërkojnë sot qytetarët evropianë e kanë të realizuar serbët me Kushtetutën e Kosovës. Asociacioni është vetëm një shkas për ndarje dhe coptim të Kosovës, ose thënë troq “Gozhda e Nastradinit të Serbisë në Kosovë”. Dhe nuk duhet të lejohet.

Zoti Nela, po kthehemi te figura e presidentit Rugova. Në komunikimet që keni ju me intelektualë, politikanë e personalitete të ndryshme ndërkombëtare atje ku jetoni dhe veproni, si është përmendur figura e tij, çfarë pozite i kanë dhënë për ndikimet që mund të ketë pasur Rugova për zhvillimet e kohës?

Milaim Nela: Po. Me një fjalë të vetme: Kur është përmendur Rugova, është permendur Kosova. Ai ka qenë Kosova vetë! Ka qenë njeriu më i njohur, ka qenë personifikimi i Kosovës.

Pra, si mendoni, ku duhet të vendoset figura e presidentit Rugova në historinë shqiptare?

Milaim Nela: Ai është themeluesi i shtetit të Kosovës dhe roli i tij është i jashtëzakonshëm, i papërsëritshëm dhe kjo duhet të jetë gjithmonë dhe të flitet herë pas here e të njihet më tej, sepse ne nuk e njohim dimensionin e plotë të Rugovës.

Nuk e njohim ende figurën e tij, thoni?

Milaim Nela: Padiskutim! Sepse ka keqinterpretime, ka abuzime. Imagjinojeni kur bëhen abuzime sot në kohën kur ne kemi jetuar atë kohë, imagjinojeni për brezat e ardhshëm…. Duhet të shmangën spekulimet dhe realiteti të dalë në dritë.

About Redaksia

Check Also

“Krim kundër njerëzimit”, përkujtojhet masakra e Reçakut

Tre liderët e partive opozitare, Lumir Abdixhiku (LDK), Memli Krasniqi (PDK) dhe Ramush Haradinaj (AAK), …