Sula: Manastirliu nuk mashtron dot më me statistika inekzistente të prodhuara vetëm për fushatë elektorale

Deklarata e drejtueses së Departamentit të Arsimit, Lili Sula:

Ministria e Arsimit njoftoi shpalljen e raportit publik të Maturës 2024, por pa e bërë publik këtë raport, ashtu siç e kërkon ligji, në faqet zyrtare www.arsimi.gov.al, as ne www.qsha.gov.al. Mungesa e transparencës për publikun i bën të pabesueshme të dhënat mbi testet e Maturës 2024.

Për dy vite rresht numri i maturantëve konsiderohet statistikisht i njëjtë, gjë e pamundur, pasi sipas të gjitha raporteve nga viti në vit ka patur ulje të ndjeshme të numrit të nxënësve. Nota mesatare për lëndën matematikës, sipas ministres ka pësuar një rritje nga 6.72  në vitin 2023 në 7.79 në vitin 2024, rritje galopante që vetëm Ministria e Arsimit mund ta interpretojë, pasi nota mesatare mund të ndryshojë në shumën presje dhjetore (të dhjetat, të qindta).

1. Ministria Manastirliu mashtroi maturantët e vitit 2024 që, kanë filluar vitin e parë gjimnaz në 2021, vit në të cilin kanë mbaruar klasën e 9-të. Nga rezultatet e PISA 2022, Matematika ka shënuar rënie drastike për periudhën 2018-2022, me 69 pikë-rënien më të fortë nga të gjithë vendet pjesëmarrëse në testim. Nuk ka asnjë mundësi që këta nxënës, me arritjet më të ulëta në klasë të 9-të, të bëhen maturantët me rezultate më të larta.

2. Nuk ka asnjë publikim nga ministria e Arsimit dhe Sportit apo nga Qendra e Shërbimeve Arsimore për treguesit e testit në tërësi dhe për çdo pyetje. Është e domosdoshme të publikohet përmbajtja e testit, indeksi i vështirësisë, vlefshmërisë të secilës pyetje dhe testit indeksi i diskriminimit etj. të shprehura në %.

3. Në raport thuhet se ka rritje të ndjeshme të kalueshmërisë, ndërkohë nuk jepet asnjë informacion se cili ka qenë kufiri i pikëve dhe si është vendosur. Theksojmë se, nga vitet 2013-2020 me urdhër të Ministrisë, ky kufi ishte i paracaktuar 20% dhe në raportet ndërkombëtare është kritikuar disa herë pikërisht kjo mënyrë e përcaktimit të kufirit të pikëve.

4. Maturantët e vitit 2024 po ndjekin studimet universitare në vit të parë për këtë vit akademik. Në programet e studimit ku zhvillohet lënda e Matematikës, rezultatet e tyre janë mjaft të ulëta dhe kjo vërteton edhe një herë se të dhënat e raportit nuk janë ato që shpreh ministrja Manastirliu, por janë ato që kanë publikuar organizatat ndërkombëtare.

– Ministrja Manastirliu nuk mashtron dot më qytetarët me statistika inekzistente të prodhuara vetëm për fushatë elektorale, sepse maturantët dhe shqiptarët nuk e harrojnë që të gjitha testet e Maturës 2024 dolën në minutat e para të provimit, duke përmbysur procesin e testimit dhe të vlerësimit të tyre, si dhe duke hedhur poshtë mundin dhe djersën e 3 viteve të shkollimit të nxënësve më të mirë.

Partia Demokratike në programin e saj zotohet të mbështesë financiarisht me 5% të PBB arsimin, sistemin prioritar të qeverisë së pas 11 majit, dhe ta nxjerrë nga kolapsi i thellë, të përmirësojë rezultatet e aftësive të nxënësve në testimin PISA, të sigurojë infrastrukturë digjitale, të kthejë dinjitetin mësuesit dhe ta shndërrojë shkollën nga qendër pasigurie e droge në vatër edukimi e formimi europian.

About Redaksia

Check Also

Stafi i Trump i kërkon Donald Lu të largohet nga Departamenti i Shtetit

Shumë diplomatë karriere në Departamentin e Shtetit dhanë dorëheqjen mesditën e së hënës pasi iu …